Martesa është krijimi i një marrëdhënie të re mes një djali dhe një vajze, një fazë e re për ata të dy por që nga ana tjetër ndikon dhe në natyrën e marrëdhënieve që secili do të ketë me të tjerë në të ardhmen dhe ajo më e ndjeshmja, më delikatja (Nëna-Biri dhe Bija-Nëna) përmendet pikërisht në këtë këngë në vargjet, “Të rrija beqar hoj ene sivjete, sa t’çojsha me Nanën hoj nitro lezet”. Njëkohësisht në të njëjtin tekst, në pjesën e parë, (boll ju luta Nanës të rrija beqar) nënkuptohet dhe njëfarë hezitimi dhe frike për nisjen e kësaj marrëdhënie të re dhe të panjohur. Në pjesën e dytë të këngës kemi zotimin e Nënës për djalin ku premton që do ta bëjë dhëndrrin më të mirë ndër shokët e tij. Kujdesi i vazhdueshëm për fëmijën, edhe kur ai është i rritur dhe burrnohet, duket që është thelbi i Nënës. Ky është një shqetësim kronik, që Nënën e shoqëron gjithë jetën.





