Lirikë Kuksiane 4

1. Nanë e mori Nanë Në këtë këngë del në pah marrëdhënia dy-palëshe mes vajzës dhe nënës. Nëna dikur ka qenë vajzë dhe për këtë arsye ajo njeh shumë mirë tashmë peshën që mosha ka në pjekurinë dhe maturinë e njeriut. Vajza, e pamundur të gjejë e përgatisë pajën, kërkon ndihmë tek nëna. Nëna e këshillon dhe nga ana tjetër vë në dukje menaxhimin e gabuar të kohës nga ana e vajzës duke përdorur vazhdimisht pjesën mohuese “mos” (mos rrijshe t’u lujt; mos rrijshe n’dollap; mos rrijshe n’kojshi). Në këto rrjeshta del në sipërfaqe dhe gjendja e rënduar ekonomike e familjes dhe vendit (po vijn krushqt me m’marr, s’kam dajri me u dhan).

Lirikë Kuksiane 3

2. A t’erdh keq oj nuse zoja Ngacmimi dhe sulmet ndaj nuses në tekstet e këngëve të dasmave lumjane zënë një ndër kapitujt më intrigues dhe të çuditshëm në të gjithë krijimtarinë dhe oazin kulturor të zonës. Nusja në këto vargje paraqitet e zënë ngushtë, e ngushtuar, disi e mekur dhe që ka vështirësi të artikulohet. Përpos kësaj paraqitet dhimbja e vajzës për largimin nga shtëpia e nënës dhe kjo sipas traditës kryhet vetëm pasi merret leja e Babës dhe e Dajës. Në këtë këngë flitet dhe për kreditet sociale të nuses, e cila me ironi tashmë quhet një “Zojë”. Pra ajo ka kaluar nga statusi social cucë devojkë në nuse zonjë (A t’erdh keq oj nuse zoja).

Lirikë Kuksiane 2

1.Moj shami e kuqe, moj shami e verdhë Shprehja e dashurisë dhe tërheqja ndaj të bukurës janë tema dhe subjekte të trajtuara me mjaft delikatesë edhe në këngët lirike tonat. Kemi “Bunarin” dhe “Krojnin” si dy vendtakime tipike ku shkëmbeheshin shikime dashurie mes grave dhe burrave. Jo çdo martesë në të shkuarën kryhej me “shkesi”. Te Bunari dhe Krojni takoheshin “rastësisht” dashuritë e mëdha. Ai ishte vend frymëzimi për të rinjtë (Mos dil te bunari se mi lujte ment e kresë). Bunari ishte uji që lëvizte gurët e pëlqimit. Në këtë këngë shprehet dhe ndryshimi midis brezave dhe gjeneratave (S’po na lan ne plakat me hy mrena jo). Pra, mosha e tretë, plakat, ishin ruajtëse e fanatike të traditës dhe kulturës vendase ndërkohë që të rinjtë kërkonin modifikime të vogla kulturore, diçka të re, ndryshime të cilat erdhën më pas me kalimin e kohës.

Lirikë Kuksiane

“Lirikë Kuksiane” përfshin një përmbledhje të këngëve tipike që këndoheshin nga gratë e Lumës gjatë ceremonisë së dasmave. Në këtë video të shkurtër do të gjeni këngë lirike, të cilat trajtojnë me finesë shumë tema të kohërave të mëparshme, si dasma, stina e verës, marrëdhëniet me miqtë apo emigrimi. Ky koleksion synon të riprodhojë atë traditë shpirtërore të qytetit të Kukësit, e cila po zbehet e shkon drejt zhdukjes për shkak të zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë, globalizimit kulturor dhe shumë faktorëve të tjerë influencues.