2. A t’erdh keq oj nuse zoja
Ngacmimi dhe sulmet ndaj nuses në tekstet e këngëve të dasmave lumjane zënë një ndër kapitujt më intrigues dhe të çuditshëm në të gjithë krijimtarinë dhe oazin kulturor të zonës. Nusja në këto vargje paraqitet e zënë ngushtë, e ngushtuar, disi e mekur dhe që ka vështirësi të artikulohet. Përpos kësaj paraqitet dhimbja e vajzës për largimin nga shtëpia e nënës dhe kjo sipas traditës kryhet vetëm pasi merret leja e Babës dhe e Dajës. Në këtë këngë flitet dhe për kreditet sociale të nuses, e cila me ironi tashmë quhet një “Zojë”. Pra ajo ka kaluar nga statusi social cucë devojkë në nuse zonjë (A t’erdh keq oj nuse zoja).
