Nga mësues në emigrant

0
45

Deri në vitin 2019, ai jepte mësim në Arrën, fshatin ku ishte rritur. Sot, punon në ndërtim, shumë kate mbi tokë, larg vendit dhe profesionit që la pas. U largua për një jetë më të mirë, por bashkë me të mori edhe peshën e një vendimi që ende e trishton. Për të, largimi nuk është vetëm një histori personale, por edhe një pyetje për të ardhmen e fshatit dhe të nxënësve që mbetën pas.

Nuk është e lehtë të punosh në ndërtim e të qëndrosh 15 kate mbi tokë, kur shumë mirë unë sot mund të isha duke dhënë mësim në fshatin ku u linda, Arrën. Unë kam punuar deri në vitin 2019 si mësues në Arrën dhe pastaj vendosa që të emigroj. U largova nga Shqipëria për shumë arsye: nepotizmi, një jetë më të mirë, familja, siguria, kisha shumë shok e miq andej, por nuk di të them cila ishte arsye e parë ose e vetme. Të gjitha ndikuan nga pak. Unë e dua vendin tim. Nuk më vjen mirë që kam ikur dhe kjo më mërzit ndonjëherë. Ikja ime, përpos ndarjes nga familja, nuk jep mesazh të mirë as tek nxënësit e shkollës. Kur ikën edhe mësuesi, imagjino se çfarë ndodh me nxënësit?!