
Për kuksianët, aeroporti ishte dikur një ëndërr që premtonte lidhje me botën dhe zhvillim për qytetin. Për Rizain që nisi studimet e larta për Teknik Aviatori aeroporti nuk ishtë më pjesë teksti në faqet e librave por një realitet i afërt mu në vendin ku ai lindi, Kukës. Por, pas hapjeve, mbylljeve dhe pritjeve të përsëritura, projekti që u shoqërua me premtime të mëdha mbeti larg pritshmërive. Sot, pista që duhej të priste avionë është kthyer në simbol të një investimi që ngre ende pikëpyetje.
Që kur ishim fëmijë ne ëndërronim dhe prindërit na kishin folur që në Kukës mund të ndërtohet një aeroport. Aviona që uleshin në qytetin e Kukësit nuk ishte pak në atë kohë. Unë e dëshiroja më shumë sesa e besoja që një ditë do të bëhëj. Aeroporti u kthye më vonë në një stacion retorike për qeverinë pak përpara fushatave zgjedhore. U hap, u mbyll, u rihap, u mbyll prap, u pezullua aq shumë herë sa populli kuksian shkoi në fazën që tha: “Lëre se nuk e dua më”. U bë i bezdisshëm. Cilësia e punimeve nuk i përafrohet standarteve as të kohës kur unë kam bërë studimet, jo më me standartet e sotme. Nuk mund të ulet një avion me aq banesa dhe aktivitete afër, pa një brez të butë. Nqs flasim për standarte atëhere duhej të ishte punuar më shumë me pastrimin e zonës. Që pista të kishte frymëmarrje dhe banorët mos të ndikoheshin nga zhurma, pastrimi duhej të përshinte më shumë sesa fshatrat Shtiqën dhe Gostil. Topografia e zonës, veçanërisht prania e Gjallicës me 1846 metër lartësi, krijon kufizime për mënyrën e afrimit dhe operimit të avionëve.
Terreni malor është faktor i veçantë për Kukësin. Avionët, pavarësisht nga drejtimi nga i cili vinin, duhej të shkonin në drejtim të Kosovës dhe më pas të ktheheshin për t’u pozicionuar për ulje. Kjo lloj ulj.e ishte një situatë e menaxhueshme për pak fluturime në ditë por nqs ka shumë avionë që vijnë njëri pas tjetrit, procedurat që kërkojnë manovra dhe kthesa mund të bëhen më komplekse dhe të kërkojnë më shumë sekuencim.
Po ashtu qyteti i Kukësit njihet për prani mjergulle të dendur dhe maja e Gjalicës është gjithmonë me kapuç të bardhë sipër, ka shumicën e kohës borë. Mjergulla është faktor që mund të shkaktojë kufizime dhe anulime të fluturimeve. Të gjitha këto arsye treguan që aeroporti ai ishte një projekt i studiuar jo mirë. Kështu Aeroporti i Kukesit u bë ndërtimi dhe projekti më grotesk në Kukës. Një aeroport që në vend të avionava sot ulen panele diellore.






