
Në kujtimet e saj, Brekija është një vend ku jeta ndërtohej përmes solidaritetit, zakoneve dhe lidhjeve të forta mes njerëzve. Dasmat, pritja e miqve dhe ritet tradicionale ishin pjesë e një trashëgimie që përcillej brez pas brezi. Sot, teksa këto tradita po zbehen, Bedrija ruan kujtimet e një kohe që mund të mos kthehet më, por që ende përpiqet të mbijetojë përmes njerëzve që zgjedhin ta nderojnë.
Në fshatin ku unë kam lindur dhe rritur, Brekije, mbaj mend mënyrën sesi organizohej jeta komunitare dhe sesa të lidhur ishin njerëzit me njëri-tjetrin. Kishte shumë harmoni mes njerëzve. Këtë nuk e gjen sot pasi kanë ndryshuar shumë marrëdhëniet njerëzore. Kur kishte me korr dikush arën, mblidheshin të gjithë fshati dhe shkonin për ta ndihmuar. Kur dikush kishte dasëm në fshat, mblidheshin të gjithë dhe kontribonin me mënyrat e tyre dhe mundësitë që kishin në mënyrë që familja ta kishte sa më të lehtë. Dikush sillte bukë, vajzat e fshatit sillnin një barrë fier, të zojat e shpisë çonin nga një bukë, dikush tepsi dhe dikush një kalë me dru. Dasma hapej një javë përpara dhe kishte shpenzime për t’u mbajtur. Miqtë priteshin me ceremoni. Kur vinin miqt me marr nusen, 7 ose 9 persona zakonisht, gratë nuk duhej të dilnin në oborr për t’i parë ose takuar. Gratë nuk lejoheshin të shikonin përcjellësit e nuses. Gratë nuk lejoheshin të këndonin as nusen për aq kohë sa përcjellësit ishin aty. Ndryshe gjobiteshe.
Mbaj mend një dasëm të një kushëriri që erdhën miqt dhe unë vendosa të qëndroja e vetme aty. Të gjithë gratë kishin ikur. Unë pashë të gjithë skenën e magjishme që isha mësuar vetëm ta dëgjoja deri në atë moment. Përcjellësit me kuaj, kali i bardhë për nusen, qilimi mbi kalë, mënyrën sesi ecnin miqt…ishte e jashtëzakonshme. Unë vetë kisha veshur veshje kombëtare. Më qëndroi pranë bashkëshorti im aty.
Sot këto tradita po zbehen dhe gjenerata jonë mund të jemi të fundit që po i mbajmë. Ne së fundmi kemi bërë një mik në Peqin dhe mes të tjerave ju shpjeguam një pjesë të traditës tonë që është e rëndësishme për ne, konkretisht për “Marhamën”. Ata në shenjë respekti vendosën që t’i japin rëndësinë e duhur. Siç dihet marhama sillet në ditë të veçantë dhe duhet të sillet pa lindur dielli. Ngaqë ishin larg dhe për të shmangur vonesa miqt kanë ardhur një natë para dhe kanë qëndruar në hotel në Kukës. Të nesërmen në mëngjes janë nis nga hoteli dhe kanë ardhur për tek shtëpia jonë.






