Unë zgjodha të qëndroj

0
58
Flamur Rexhmati, Bicaj, Shtator 2026
Ndërsa shumica janë larguar, Flamuri ka zgjedhur të qëndrojë në vendin ku u rrit, mes kujtimeve të një fëmijërie të kaluar në një oborr të përbashkët dhe një realiteti që ka ndryshuar dhe ka shpërndarë njerëzit. Ai ka investuar në shtëpinë e tij dhe vazhdon të punojë në këtë zonë, por përditshmëria e tij përballet me sfida që tanimë janë bërë të bajatshme për të. Për Flamurin, të qëndrosh nuk do të thotë vetëm të duash vendin, por edhe të kërkosh që ai të mos lihet pas dore.

 

Periudha më e bukur e jetës time është kur kam qenë fëmijë dhe jetoja këtu bashkë me vëllezërit por për me tepër me djemt e xhaxhallarëve që i kishim shtëpiat afër, nuk kishte kufinj, kishim një oborr të madh të përbashkët. Më duket sikur në atë kohë ne kërkonim dhe gjenim çfarë kishim të përbashkët me njëri-tjetrin ndërsa sot marrëdhëniet tona janë më të diktuara nga ndryshimet. Unë mbaj mend që hyja në shtëpinë e xhaxhait dhe ndihesha njëjtë sikur isha në shtëpinë time, hanim në të njëjtën pjatë, pinim në të njëjtën gotë ujë, flinim në drekë tek shtëpia e njëri-tjetrit si fëmijë. Tani jemi rritur dhe shpërndarë të gjithë. Kohët kanë ndryshuar. Unë jam i vetmi që kam mbetur këtu.

Unë kam investuar në këtë shtëpi sepse e dua vendin tim. Por pres më shumë nga shteti. Unë kam të regjistruar biznesin tim këtu, dhe paguaj përpos të tjerave, taksë pastrimi dhe ndriçimi çdo vit por më duhet që të marr mbeturinat nga këtu me makinë dhe t’i hedh te koshat në qytet që është 11 km larg.

Shteti ku unë jetoj më duket sikur ka prirje dhe qëllim për të dëmtuar këtë vend dhe këtë e bën me një ritëm të lakmueshëm. Shoh dhe një problem të rëndësishëm me përqëndrimin e prioriteteve të qeverisjes. Shteti ka ndjeshmëri të lartë gjoja ndaj turizmit por jo ndaj nevojave të qytetarëve. Shtrimi i rrugës për në Bjeshkët e Bicajve apo Kolesjanit është një investim që ka për qëllim zhvillimin e turizmit por shteti kurrsesi nuk mundet të zhvillojë bjeshkët e një vendi kur nuk ka rehabilituar më parë nevojat bazike të banorëve të fshatit. Unë përpara se të shkoj në bjeshkë më duhet që të shkoj në punë, të çoj fëmijët në shkollë, në kopësht. Ne kemi një rrugë të pashtruar prej 2 kilometrash, nga këtu në Muholaj deri në Bicaj. Unë e bëj çdo ditë, disa herë në ditë dhe çdo vit shpenzoj privatisht për mirëmbajtjen e rrugës mbi 20.000 lekë, pa llogaritur këtu kostot e amortizimit të makinës për shkak të rrugës. Buxhetin e shtetit nuk e mbajnë turistët sezonalë por banorët që jetojnë aty dhe bizneset që operojnë përreth. Për më tepër bjeshkëve historinë dhe emrin ua kanë dhënë banorët me jetën dhe sfidat e tyre të përditshme dhe jo turistat e pushtetarët që e shëtisin një herë në vit.