Ditari i Shishtavecit

0
113
Musa Kingji, Gusht 2026

Që nga viti 1979, ai mban shënim jetën e Shishtavecit, nga lindjet, dasmat e vdekjet, te moti, konfliktet mes banorëve dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Për të, asnjë ngjarje nuk është tepër e vogël për t’u ruajtur. Sot, ditari i tij është kthyer në një arkiv të kujtesës së komunitetit, ndërsa ai vazhdon të mbledhë fakte e histori me shpresën se një ditë do t’i botojë në një libër.

Unë mbaj ditar që nga viti 1979. Aty shkruaj gati çdo ditë. Shkruaj për çdo gjë që ndodh në fshatin tim, në Shishtavec. Shkruaj për ndodhitë e jetës së përditshme, ruaj pemën gjeanologjike të fisit/fiseve, lindjet, dasmat, vdekjet, përvejtorët, motin, bllokim rrugësh deri tek ndërprerja e dritave në fshat. Përgjatë mujit Mars të vitit 2023, janë fikur dritat në fshat 126 herë përgjatë ditës. Natën nuk e kam llogaritur. Në ditar shkruaj dhe për ngatërresat dhe mosmarrëveshjet në komunitet. Për mua çdo gjë e kaluar ngjall interes. Tek e kaluara gjej përgjigjet e së tashmes. Unë shkruaj por edhe lexoj shumë. Lexoj libra historie. Gjatë dimrit kur dita është me e shkurtër lexoj më gjatë. Dimrit maksimumi një orë dal jashtë. Nuk jetoj dot pa lexuar. Edhe kur shkoj te djali në Itali lexoj libra pasi atje gjej më shumë tituj. Deri tani kam rreth 480 faqe material dhe dorëshkrime për libër, fakte historike që nga viti 1336 deri më sot. Kam plan për të botuar një libër por nuk kam lekë. Më kanë premtuar shumë por nuk kanë reaguar pozitivisht deri tani. Atë libër dua ta shpërndaj falas, nuk do t’i vendos çmim.

Kam pasur disa dalje publike në media dhe kam ngjallur besim tek publiku. Për shkak të disiplinës dhe punës që bëj njerëzit vijnë shpesh dhe pyesin tek unë. Përpara 4 vitesh më ka ardhur me postë një letër nga një zonjë nga Bosnja, ku më pyeste për paraardhësit e saj. Më tha si fytyrë nuk të njoh por kam dëgjuar shumë për ty. Më tha që jam lindur në Bosnjë por prindërit i kam me origjinë nga Shqipëria, nga Shishtaveci. Nëna e saj kishte lindur në vitin 1924 në Bosnje por babain e kishte nga Shishtaveci. Pasi komunikova me të disa herë, shkëmbyem dokumenta nëpërmjet postës, ia konfirmova origjinën. Gjyshi i saj, që kishtë vdekur në 1972, kishte lënë amanet që pas vdekjes eshtrat t’ia sillnin në Shishtavec. Edhepse donte ta çonte amanetin deri në fund, ajo nuk i solli dot sepse serbët kishin fshehur dhe zhdukur eshtrat e gjyshit të saj.