Të protestosh i vetëm

0
34
Besmir Muslia, Gusht 2026

Në një qytet ku jo të gjithë zgjedhin të ngrenë zërin, Besmiri ka vendosur të protestojë edhe kur është i vetëm. Mësues në profesion dhe protestues për çështje që, sipas tij, prekin gjithë komunitetin, ai rrëfen presionet që ka përjetuar për shkak të qëndrimeve të tij. Për të, të heshtësh do të thotë të pranosh realitetin, ndërsa të flasësh është një mënyrë për të ruajtur lirinë dhe dinjitetin.

Unë protestoj dhe ngre zërin sepse kështu mendoj jam gatuar që i vogël. Të protestosh i vetëm në qytet është një përzierje ndjesish që e kam të vështirë të them që njëra dominon tjetrën. Ndihesh mirë pasi beson tek protesta dhe thua atë që mendon. Ndërsa ndihesh jomirë për faktin që je i vetëm për një kauzë që i përket të gjithë shoqërisë. Në protestë unë nuk dal për probleme personale por për probleme që shqetësojnë komunitetin. Nuk është e lehtë të protestosh sot sidomos ku je në statusin e të punësuarit në administratën publike. Unë punoj si mësues prej më shumë se 10 vitesh dhe arsimi sot ka probleme të mëdha. Pasi ti ngre një shqetësim, ngre zërin, proteston për një problem, sistemi të vihet kundra dhe përdor çdo mjet që ti të tërhiqesh.

Unë jam opozitar në shpirt, jo opozitar partiak. Nga përvoja personale kam vënë re që ata nisin fillimisht me presion psikologjik që ty të instalojnë frikën dhe të tërhiqesh. Faza e dytë përfshin shtimin e burokracive në marrjen e shërbimeve publike, administrative, arsimore dhe shëndetësore. Në momentin që je përballë marrjes së një shërbimi ti përballesh me vonesa, pengesa burokratike, të cilat mua më marrin më shumë kohë për t’i zgjidhur. Kjo natyrisht që të frustron dhe mund të kesh përballje të ashpër verbale me ta. Dhe pikërisht këtu është momenti që ata mund ta shfrytëzojnë për të të vënë ty në dukje një anë medemek jopresionale tënden. Faza e fundit është në sulme dhe presione të drejtpërdrejta. Tani jam në një fazë që kam marr kaq shumë saqë nuk më bëjnë më përshtypje. Madje më knaqin. Ka raste që bëhëm merak nqs nuk reagojnë.

I gjendur në pozita të tilla unë nuk e kam as të lehtë të kem marrëdhënie me kolegët e mi, pasi ata distancohen nga unë për shkak se jam “me biografi të keqe”. Unë e kuptoj deri diku frikën e tyre por ndonjëherë i shoh si të paaftë, të nënshtruar dhe bashkëpunëtor të gjendjes ku jemi. Nqs nuk flet ti automatikisht po pranon realitetin që të serviret çdo ditë. Unë kam të vertetën në krah dhe për këtë vazhdoj të jem ky që jam. Unë nuk jetoj me frikëra. Nuk e praktikoj servilizmin. Unë sot jetoj i lirë.