Pluhuri i dërrasës së zezë

0
28
Adnan Çevani, Orgjost, Gusht 2026

Për 32 vite, ai qëndroi përpara dërrasës së zezë, duke u mësuar nxënësve Gjuhën dhe Letërsinë shqipe. Për një mësues, frytet e punës shpesh vijnë pas shumë vitesh, kur ish-nxënësit kthehen për ta falënderuar. Por kujtimet e Adnanit nga shkolla mbartin edhe një anë tjetër të profesionit: pluhurin e shkumësit, të cilin ai e lidh me problemet shëndetësore që e kanë shoqëruar vitet e fundit.

Mësuesi është “dhunuesi” i parë psikologjik për fëmijën. Fëmijët nuk na duan. Ne jemi ata që u kërkojmë llogari të parët. Ne jemi ata që iu themi pse nuk i ke bërë detyrat. Ne i pyesim se pse erdhe me vonesë në shkollë. Ironikisht puna e mësuesit me fëmijët i jep frytet shumë vonë. Nuk është si disa profesione të tjera që kanë rezultate të menjëhershme. Ne na vijnë nxënësit dhe na përgëzojnë pas 15-20 vitesh dhe kjo është kënaqësia më e madhe për një mësues edhepse ngjan si shumë e vonshme. Unë kam qenë mësues Gjuhë dhe Letërsi Shqipe për 32 vite dhe nuk mbaj mend njëherë të dilja i kënaqur nga klasa sepse kisha kërkesë shumë të lartë llogarie kundrejt vetes. Unë doja që të gjithë të ishin të mirë në letërsi.

Tani nuk i kam punët dhe aq mirë me shëndetin. Kam bërë një ndërhyrje përpara 7 vitesh në Turqi. Pasi bëj vizitën dhe kontrollet e para, del dhe përgjigja e analizave. Djali që më shoqëronte më thotë që doktorët kanë pyetur se tek cila minierë ka punuar babai. Ndërkohë që unë e vetmja minierë që kisha punuar për më shumë se 30 vite ishte shkolla. Rezultatet nxorën që një ndër shkaqet e dëmtimit të mushkërisë, përveçse nikotinës së duhanit, ishte pluhuri i shkumësit që përdornim në tabelë të zezë kur shpjegonim nxënësve mësimin. Lënda që jepja unë ka qenë e tillë që ndonjëhërë duhej të shkruaje dhe më shumë në dërrasë të zezë.