
Rruga e Kombit presupozohej të sillte lidhje dhe zhvillim, por për banorët e Morinit, ajo nuk e ka përmbushur këtë premtim. Një nënkalim që kufizon kalimin e mjeteve të mëdha, infrastruktura e amortizuar dhe shërbimet e munguara e bëjnë komunitetin të ndihet i izoluar. Përballë nevojave të përditshme, Bajrami shprehet se shumë herë bashkëfshatarët duhet të bëjnë vetë atë që presin nga institucionet.
Për ne nuk është Rruga e Kombit por Varri i Kombit. Edhe fshati Morin është pjesë e kombit. Ne na përjashtuan sepse për të hyrë në fshat kanë bërë një nënkalim “rrezik vdekje”. Një nënkalim ku në fillim ka qenë kanal ujërash të zeza ndërsa tani aty nuk kalon dot as ambulanca, as zjarrfikësja, betonierja apo mjetet e tonazhit të lartë. Kjo është investim sesi të izolosh një fshat.
Shteti nuk kujtohet për ne. Ne shumë herë marrim përsipër rolin e bashkisë, ne ndërmarrim iniciativa private si komunitet. Tani janë kujtuar për të ndryshuar shtyllat e betonit të energjisë elektrike. Investimi i fundit ka qenë në vitin 1967. Por nuk mbaron këtu historia. Ata duke vendosur shtyllat elektrike kanë dëmtuar sistemin e kanalizimit të ujësjellësit që e kemi me vetëfinancim si fshat.






