Në prehrin e Gjallicës dhe Koretnikut, dy masiveve që i japin Kukësit peizazhin e tij karakteristik, shtrihet fshati i Përbregut. Fshati Përbreg ruan peizazhe, histori dhe një kujtesë të fortë komunitare. Por së fundmi Përbregu po përballet me një pikëpyetje tjetër për të ardhmen e territorit të tij: projektin e propozuar nga Bashkia Kukës për ndërtimin e një landfilli. Përbregu nuk është një ishull i izoluar. Përtej shtëpive të këtij fshati shtrihen komunitete të tjera, toka bujqësore, atmosferë dhe ujëra që nuk njohin kufinjtë administrativë. Pikërisht për këtë arsye, banorët thonë se landfilli nuk mund të shihet si një çështje që i takon dhe përket vetëm fshatit Përbreg.





