1.Moj shami e kuqe, moj shami e verdhë
Shprehja e dashurisë dhe tërheqja ndaj të bukurës janë tema dhe subjekte të trajtuara me mjaft delikatesë edhe në këngët lirike tonat. Kemi “Bunarin” dhe “Krojnin” si dy vendtakime tipike ku shkëmbeheshin shikime dashurie mes grave dhe burrave. Jo çdo martesë në të shkuarën kryhej me “shkesi”. Te Bunari dhe Krojni takoheshin “rastësisht” dashuritë e mëdha. Ai ishte vend frymëzimi për të rinjtë (Mos dil te bunari se mi lujte ment e kresë). Bunari ishte uji që lëvizte gurët e pëlqimit. Në këtë këngë shprehet dhe ndryshimi midis brezave dhe gjeneratave (S’po na lan ne plakat me hy mrena jo). Pra, mosha e tretë, plakat, ishin ruajtëse e fanatike të traditës dhe kulturës vendase ndërkohë që të rinjtë kërkonin modifikime të vogla kulturore, diçka të re, ndryshime të cilat erdhën më pas me kalimin e kohës.
