Të shumtë janë qytetarët të cilët kthejnë kokën dhe ndalojnë për të shikuar se çfarë po bëhet në atë zonë, që dikur ishte Policia Ushtarake por ajo çfarë shohin është një tabelë e stërmadhe me shkronja të zmadhuara të logove të donatorëve dhe bashkëpunëtorëve, emri i kontraktuesit ndërkohë që vlera e punimeve dhe të dhënat e tjera mbahen të fshehura.

Tabelat e punimeve janë të detyrueshme të vendosen në momentin e hapjes së kantierëve të ndërtimit, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 2015, VKM nr. 894, datë 04.11.2015. Tabela e ndërtimit është e rëndësishme për transparencën pasi përmban të dhëna sinjifikative si përshkrimi i objektit që do të ndërtohet, subjekti i kontraktuar, vlera monetare e kontratës, ndërtuesit si dhe data e fillimit dhe përfundimit të objektit. Nga përtesa, padituria, mungesa e eksperiencës, apo fshehja e qëllimshme, në këtë tabelë të vendosur në Kukës, në rrugën “Sul Elezi”, mungojnë shumë nga elementët e sipërpërmendur të cilat i dikton ligji. Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Njësisë Vendore është përgjegjës për verifikimin e ligjshmërisë së këtyre tabelave.


