Muajit Maj dhe Prill janë të njohur dhe tingëllojnë gati monotone për banorët e qyteteve liqenore pikërisht për ndalimin e peshkimit në këtë periudhë kritike për jetëgjatësinë e peshkut. Është koha kur peshku ka periudhën e çiftimit dhe si rrjedhojë është i ndaluar çdo formë peshkimi në të gjitha Liqenet e Shqipërisë, përfshirë dhe Liqenin e Fierzës. Liqeni i Fierzës, ndryshe nga liqenjt e tjerë të vendit, këto kohë, përjetoi një fazë të vështirë, atë të tharjes dhe uljes së nivelit, i cili kërcënoi ndjeshëm edhe ekzistencën e peshkut. Bota e peshqve, tanimë pas kalimit të fazës së parë të vështirësisë duket që po përballen dhe me një fazë tjetër, atë të peshkimit nga peshkatar lokal, spontan apo dhe ata që e kanë për qëllime biznesi. Kryetari i OMP Kukës, Z. Beqir Iseberi shprehet që gjatë kësaj periudhe ka pasur raste të shkeljes së moratoriumit dhe për këtë inspektoriati është munduar të marrë masat e duhura, nga gjoba deri në ndjekje penale. Nga një vëzhgim i shpejtë dhe spontan çdo qytetar arrin të dallojë që në sipërfaqen e liqenit këto ditë ka varka që peshkojnë, dhe po ashtu në vijën liqenore ka prezencë të peshkatarëve, të cilët nuk ndalojnë peshkimin as në këto ditë kur kjo përbën një aktivitet ilegal.

