Fierza na ndëshkoi

-

Liqeni i Fierzës, i cili është një burim i rëndësishëm për energjinë elektrike të vendit tonë ishte tharë pak muaj më parë. Ai ai nuk ishte as liqen, as lumë, as përrua, por u transformua në një moçal.

Për audiencën, por edhe për median pa sfondin e duhur kontekstual, tharja e Fierzës ishte diçka e re. Në fakt liqeni është përballur edhe vitet e tjera me tharje të tilla. Madje edhe në mes të dimrit, pikërisht në shkurtin e vitit 2020.

Ky është një problem tejet i madh i kujtesës sonë si popull, që ngjarjet dhe ndodhitë i harrojmë shumë shpejt.

Ajo çka mbetet thelbësore për t`u trajtuar është se fenomeni i tharjes në vetvete është vetëm një proces natyror. Edhe titujt e mediave online ishin: “Thahet Liqeni i Fierzës”. Pra veprimin duket se e kreu Fierza dhe e pësoi po vetë ajo. Shkaku dhe pasoja nuk janë të qarta. Ngatërrohen pa vetëdije dhe shpesheherë qëllimisht. Të gjithë afroheshin me telefona në duar, kamera në krah, regjistronin pamjet, shkruheshin rrjeshtat dhe përgatiteshin kronikat nga grupet editoriale dhe rrallëkush pyeste se pse po ndodh kjo realisht.

Natyrshëm lind pyetja: A na ndëshkoi tharja e Fierzës?

Pikësëpari, Liqeni i Fierzës furnizohet nga disa lumenj, aty ku ndër vite janë ndërtuar disa hidrocentrale të vegjël, të cilat ndërtohen sa herë që një komunitet lokal tkurret, sa herë që emigron masivisht rinia e një fshati. Ndërtuesit dhe projektuesit janë nuhatës shumë të mirë, ata dinë dhe të peshojnë kundërreagimet. Studiojnë hollë dhe kohën e ndërtimit, pikërisht atëherë kur fshati po pakësohet, është i zënë me punë të tjera si ajo e varfërisë, braktisjes apo djerrjes së tokave. Hidrocentrale të reja po ndërtohen përgjatë furnizuesve të Liqenit të Fierzës. Të pretendosh që Fierza të mbushet me ujë në një kohë kur po ndërtohen kaq shumë hidrocentrale është njëjtë si të presësh të shkëlqejë dhe të rritet një lule artificiale pas ujitjeve të shpeshta që ti i bën. Procesi i tharjes nuk ishte një ëndërr e keqe që u shfaq papritur brenda një nate.

Tharja e Fierzës duhet të shikohet si një proces socio-natyror. Filozofi francez, përfaqësues i rrymës iluministe, në debatin filozofik për tërmetin që shkatërroi Lisbonën në vitin 1755 argumentoi se fenomenet që ne i shohim si natyrore, në fakt janë edhe shoqërore.

E para, pa njeriun e interesuar në nevojat e tij për ujin, duke u mbështetur në teorinë e Rusoit, mungesa e ujit si problem në vetvete nuk do të ekzistonte fare. Pra mungesa e ujit nuk do të konceptohej si tharje. Është vetë njeriu që i jep këtë përkufizim. Po të mos kishte pasur njerëz në Tokë, mungesa e ujit nuk do të ishte përkufizuar si tharje.

Së dyti, Natyra nuk ka faj. Natyra e ndëshkon njeriun. E ndëshkon sepse njeriu, ose struktura shoqërore i ka krijuar këto rreziqe natyrore dhe nuk është përpjekur t’i evitojë. Natyra i ka dalë jashtë kontrolli njeriut, qeverisë apo shtetit. Qeveria, kur shikoi që Fierza po shterohej ditë pas dite filloi të qante me zë të lartë: “Mos, ngelëm pa energji”. Pastaj e ngushëllonte veten dhe njerëzit se faji nuk është i yni, por këto jan֝ë procese natyrore.

E treta, për Rusoin njeriu mbetet përgjegjës për të gjitha pasojat e padëshirueshme që i vijnë ose mund t’i vijnë përgjatë jetës së tij. Nga kjo pikëpamje ai gjen një lidhje të brendshme midis universit natyror dhe universit moral të njeriut.

Një një letër që Rusio i dërgonte mikut të tij filozof, Volterit shkruante: ”Unë nuk shoh se ku mund ta kërkoj gjetiu burimin e të keqes morale veçse te njeriu i lirë, i zhvilluar, megjithatë i korruptuar[1]”.

Në rastin e liqenit të Fierzës sistemi shtetëror i korruptuar, egoja e disa ndërtuesve për të zaptuar ujin në lumenjtë që furnizojnë Fierzën çoji në atë gjendje thatësire që u përball Kukësi.

Së fundmi, nuk mund të mos mungonin as “fajësimet” që i bënin Zotit, si qenie e mbinatyrshme për tharjen e liqenit. Madje edhe Ministrja e Energjitikës ia atribuonte në mënyrë direkte apo indirekte fajin Zotit. A thua se Zoti e kishte personale me Kukësin dhe qeverinë?!

Kur nisën reshjet e shiut, pushtetarët falenderuan për reshjet e shiut, si për të na treguar se Fierza do të ngelet gjithmonë në mëshirë të fatit.

Sa herë që qielli është i kthjellët, do ngrejmë kokën lart me thirrjen: “Zot na fal pak shi”.

 

Gëzim Hilaj

[1] https://www.whitman.edu/VSA/letters/8.30.1755.html

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit