Happy Birthday Kukës. Happy Birthday Rolling Stones.

-

Gjatë një shëtitje tek pedonalja e Kukësit, në një pasdite vonë për nga pamja piktoreske e liqenit, personi që po shëtiste me mua si në soditje më thotë:

“Maj men kur kemi ardh n‘Kuksin e Ri, shumica ishim krejt t‘rinj, n‘mosh t‘re , shihje n‘rrug veç t´rinj. Jo se nuk kishte edhe t‘moshuar, por n‘përgjithsi ishin t‘rinj. E tash po shoh ma shum t‘vjetër ose t‘moshum si puna jeme“.

Nënqesha nga kjo thënie-konstatim dhe i drejtohem personit, së pari si për ta inkurajuar për vitet që kanë kaluar dhe së dyti për t‘i kujtuar që kanë kaluar 60 vite, duke i thënë se jemi në 2022 dhe se këtë vit ky qytet ka 60-vjetorin e ndërtimit të tij.

Foto: Zylfi Tola

Me 22 Korrik të vitit 1962 filluan punimet e para për ndërtimin e qytetit më të ri në Europë, Kukësit të Ri. Do të zëvendësohej qyteti me qytet, Kukësi i vjetër me atë të riun. E gjitha kjo si plan i qeverisë Hoxha për ngritjen e veprës së madhe hidrocentralin e Fierzës, që deri para viteve 90 ka mbajtur emrin “Drita e Partisë”. Dhe nga ky aksion i madh politiko-ndërtimor, Kukësi i Ri do të ndërtohej në fazën proçesive nga 22 Korrik. 1962 dhe deri në vitin 1979. Viti 1979 do të shënjonte 35-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashistët dhe në të njëjtën kohë ishte planifikuar të inagurohej edhe Kukësi i Ri. Faktikisht viti 1979 u shpall në mbarë Shqipërinë “vit sulmi”, sepse jubileumet stampohen në kujtesën kolektive dhe për këtë janë të rëndësishme datat historike, devizat, fushatat dhe festimet.

Banka e Shtetit Shqiptar, Dega e Thesarit Kukës. Foto: Zylfi Tola

Ky vit sigurisht që përfshinte dhe qytetit tonë të Ri, por më shumë ka ngelur në kujtesë inagurimi i fillimeve të punimeve, pra 22 Korriku i vitit 1962, konkretisht ajo pllaka murale tek pallati numër 1, i lagjes numër 1, e cila sot luan kuka-fshehtas me ne, ose ne e kemi detyruar ta luajë këtë lojë. Pas ndërtimit të pallateve 1, 2 dhe 3 filloi në seri me to dhe me ritme të shpejta të ndërtohej lagja 1 në kompleks. Ishte emergjente që të ecej me hapa të shpejtë sepse edhe miniera dhe uzina e bakrit në Gjegjan dhe Rexhepaj ishin duke ngjitur majat e prodhimit dhe kapacitetin e fuqisë punëtore. I përkisnin parrullës “Bakri çan bllokadën” sepse në atë kohë po bëheshin të dukshme shenjat e krizës politike të atij regjimi.

Foto: Zylfi Tola

Ndërmarrja e NSHN-së, ndryshe Ndërmarrja Shtetërore e Ndërtimit u ndërtua e para në Kukësin e Ri dhe e para ndërmarrje tek qendra industriale. Prania e kësaj ndërmarrje si e para ishte e domosdoshme sepse baza materiale ndërtimore do të mundësohej nga kjo ndërmarrje. Gjithashtu dhe Kukësi i Ri duhej të ndërtohej brenda afatit të caktuar, për t’u kryer dhe përfunduar lëvizja dhe transferimi i të gjithë banorëve nga Kukësi i vjetër për tek ai i riu. Kjo lëvizje u arrit paralel me punimet dhe ndërtimet në qytetin e ri. Kontributin dhe ndihmën për ndërtime dhanë ndërmarrjet e ndërtimit të Shkodrës, Lezhës, Krujës, Durrësit. Këto kontribute erdhën të formës krah pune, materiale ndërtimi dhe transporti. Duhej të ndërtoheshin edhe shkollat e kopshtet në këtë periudhë kohore, se jo vetëm fuqia punëtore ishte e rëndësishme por edhe kujdesi për brezin tjetër pasardhës. Pas përmbytjes se Kukësit të Vjetër në vitin 1978, të gjithë banorët u strehuan në Kukësin e Ri, që ishte akoma në proçes ndërtimi. Është banuar edhe në stilin komunitar, të tipit një familje e vogël bashkëjetonte me një çift të ri, që nuk kishin lidhje gjaku. Këto ishin indiciet e solidaritetit në mes qytetarëve dhe devizës së politikës në atë kohë, ku të gjitha fushat sociale të bashkëjetonin brënda një qyteti të vogël që po ndërtohej.

“Për Zotin ka pas shum lezet atëher, ndoshta nuk kishim shum, kemi pas shum harmoni me njëri-tjetrin, me komshijt, që ishin prej rretheve. Kuksi ka qen i bukur sidomos nga kto an’, ka pas vlera”.

Kukësi i Ri kishte përmbajtje heterogjene, që përveçse banorëve nga Kukësi kishte pothuajse edhe nga gjithë rrethet e Shqipërisë. Këta të fundit ishin të sferave të ndryshme sociale, si inxhinierë, punëtorë, ushtarakë, mësues, doktorë, artistë. Kështu Kukësi filloi të zgjerohej me ndërtimin e komplekseve të dyqaneve “mapo”, me godinat e administratës vendore, spitalin, qendrat shëndetësore, hotelet, restorantet, shkollat dhe kopshtet, qëndrat kulturore, kinemaja, këndet sportive, lulishtet, media e rëndësishme lokale Radio Kukësi, e cila u zgjerua me median e shkrimit gazeta “Kukësi i Ri”, dhe në pjesën periferike të tij me zonën industriale, që përfshinte të gjithë sektorët e prodhimit të industrisë së lehtë edhe asaj mekanike. I gjithë ky urbanizim i ri në qytetin e ri u kurorëzua me hitin epik rapsodik “Kukësi i Ri po hedh shtat, me Gjallicën don me u mat”.

Foto: Zylfi Tola

Duhet theksuar se tek ky urbanizim që u zhvillua në vitet në vijim përllogariten tre breza pjesëmarrës dhe përjetues të këtij procesi ndërtimor. Pastaj me përfundimin e plotë të ndërtimit dhe pas viteve 90 sigurisht që brezat e ardhshëm kishin tagrin dhe fatin ta jetonin këtë qytet të ri, që iu nënshtrua dhe transformimeve arkitekturore, sociale, politike dhe ekonomike me ndryshimin e sistemeve, si ҁdo qytet i Shqipërisë.

Kjo rënditje e shkurtër historike më lart asocion termin memorie ose kujtesë, trajtuar dhe zhvilluar me delikatesë nga dy shkencëtarë të shkencave humane, çifti Aleida dhe Jann Asmann. Ata e kanë zhvilluar mendimin e kornizës së kujtesës, e cila përbëhet nga kujtesa komunikative dhe ajo kulturore. Kujtesa komunikative ka të bëjë me komunikimin e përditshëm, i cili nga kujtimet merr formë të re dhe organizim të ri, por që është e kufizuar në periudhë kohore. Tek kjo kujtesë munden të përçojnë kujtimet e tyre 3 deri në 4 breza. Por me kalimin e kohës riformohet përsëri deri sa të kalojë tek memoria kulturore.

Memoria kulturore është shprehje e një kulture të formuar plotësisht dhe si rezultat i të gjithave materialeve arkeologjike, artefakteve të përpunuara, si përshembull fotografitë, materialet arkivore, traditat, zakonet etj. Por kjo memorie kulturore ka nevojë për bartës special, të cilët përkujdesen për të sepse përdorimi i kujtesës brenda një grupi merr formën normative. Bashkë me pjesën normative krijohet dhe konsolidohet identiteti i një grupi të caktuar, që mund të ketë përmasa të ndryshme nga ato kombëtare dhe deri tek lokalet. Ky konsolidim i kujtesës kulturore tek një grup i caktuar bëhet i njëjtë sepse lidhet me gjërat historike nëpërmjet ceremonive të kujtesës, cikleve kohore festive dhe përkujtuese, siç janë ditët e caktuara dhe festave të caktuara gjatë një viti dhe të tjera. Dhe së fundmi kjo memorie kulturore shërben për reproduksionin e identitetit të një grupi.

Por çfarë lidhje ka Kukësi me gjithë këtë shpjegim teorik të këtyre dy terminologjive?

Jam me mendimin se memoria jonë kolektive është stopuar në kuadrin e memories komunikative. Pra shkurt e shqip, ne si qytetarë të këtij qyteti kemi në të përditshmen dhe narrativat tona “A e man men atë ndërtesë, atë person, atë aktivitet dikur“ dhe kjo ngelet në miniaturën e nostalgjisë dhe shpesh herë edhe e thashethemit. Kjo memorie komunikative që ka ngelur dhe është në zbehje, e ka shumë të nevojshme të kalojë në memorien kulturore, që nuk është vonë për ta ndërmarrë hapin. Si propozim për ta ndërmarrë këtë hap do ishin ata mbartësit kryesorë që e bëjnë dhe përbëjnë memorien kulturore. Përshembull më 22 Korrik Kukësi mbushi 60 vite. A nuk do ishin mbartësit kryesorë institucionet përkatëse lokale për të nxitur këtë memorie kulturore nëpërmjet angazhimit të brezave përjetuese, pastaj për ta konsoliduar atë? Lind pyetja: Si? Në ç‘mënyrë?

Komponentët e mësipërm na vijnë në ndihmë, artefaktet arkeologjike, pra zanafilla e qytetit të Kukësit, materialet arkivore të së gjithë rrjedhës historike, politike, sociale, kulturore, fotot , narrativat e gjithë brezave që kanë përjetuar. Për artefaktet arkeologjike dhe materialet arkivore për fatin e mirë i kemi në dispozicion edhe me libra edhe në materiale tjera. A nuk do ishte interesante që të organizohej komplet një javë festive, me ngjarje kulturore, me ekspozita fotografish, me realizimin dhe shfaqjen në monitore të mëdhaja të dokumentarëve etnografikë, me muze të improvizuara lëvizëse, me koncerte, guida turistike në qytetin e Kukësit duke i shoqëruar me shpjegimin në detaje të çdo ndërtese me histori të veçantë?

A nuk do ishte interesante që të intervistoheshin banorët e parë që hynë në pallatin 1 të Kukësit të Ri, shoferi i parë që solli bazën materiale, mësuesit e parë, inxhinierët që projektuan këtë qytet, punëtorët e parë të të gjitha sektorëve, nxënësit e parë, shitësit e parë, doktorët, ushtarakët, policët, intelektualët, artistët?

A nuk do ishte po atraktive që tek shumica e banesave, ish-ndërmarrjeve, ish-hoteleve, qendrave kulturore, ish-dyqanet e shumë të tjerë të vendoseshin tabela përshkrimi? Kush nuk do donte të kujtonte akulloren e parë tek Klubi i Alisë, këngën apo vjershën e parë tek pallati i pionierit, vendin e parë të punës tek qendra industriale apo tek uzina dhe miniera e bakrit, filmin e parë dhe shfaqjen e parë tek Kinemaja dhe Pallati i Kulturës, lojërat sportive dhe lulishtet dhe shumë të tjera? Dhe cili prej banorëve të Kukësit, qoftë në qytet si dhe jashtë tij, qofshin nga Kukësi apo rrethet e tjera, që jetuan këtu, nuk do të kontribuonin me narrativën, foton, pjesëmarrjen dhe mbase dhe investimet e tyre?

Të gjithë këta aspekte me elementët përkatës nuk do zgjonin vetëm nostalgjinë dhe krenarinë e qytetarëve dhe të qytetit, por meqë jemi dhe në një “boom” turistik do ishte një atraksion tepër i veçantë turistik dhe një promovim kulturor për turistët e huaj dhe vendas. Po të gjitha këto do të na formonin identitetin e qytetit dhe më e rëndësishmja përcjellja e mesazhit tek brezat e ri sepse shumica e tyre nuk janë të vetëdijshëm e kanë pak ose aspak informacion se gjithë kjo jetë kulturore dhe sociale është zhvilluar dikur në këtë qytet. Mbase kjo do të shërbente edhe si shpresë për mos ta braktisur atë.

A nuk do ishte pjesë e memories kulturore dhe 22 korriku për Kukësin të kthehej në ditë feste, ku “pelegrinazhet” të zhvilloheshin brenda qytetit si dhe promovimi i resurseve rajonale dhe tradicionale?

Kukësi feston përnjeherësh 60 vjetorin me grupin e madh të rock-ut anglez Rolling Stone, të cilët po në këtë muaj u surprizuan në turin e tyre jubilar me nderimet e bëra nga kolegët, fansat dhe organizatat e mëdhaja kulturore botërore.

Happy Birthday Kukës. Happy Birthday Rolling Stones.

 

***Gerlus***

 

 

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit