Tre minuta përpara se të dilja nga shtëpia po dëgjoja mbledhjen në Pogradec që kryeministri kishte me 60 kryetarët e bashkive për bilancet e arritjeve të njësive vendore, konkretisht po shikoja me vëmendje pjesën e Bashkisë Kukës dhe e ndalova menjëherë kur kryetari i bashkisë ndërpritet nga kryeministri në momentin që mes të tjerave thotë: “…për realizimin e këtij projekti kemi patur reagime të shumta nga shoqëria civile” dhe kryeministri i kujton mes nënqeshjes dhe ironisë që : ”po përmende dhe shoqërinë civile këtu ëhë…”. Më pas, në rolin e moderatorit të emisionit i përmend dhe kohën që ka në dispozicion duke lënë të nënkuptuar që shiko dhe gjej ndonjë subjekt tjetër më interesant dhe të vlefshëm për të mbushur prezantimin sesa Shoqëria Civile.
Fyerjet dhe talljet e kryeministrit duket që nuk ndalen dhe që tashmë janë bërë thelbi i tij në marrëdhëniet me publikun, bashkëpunëtorët, ministrat, deputetët, vartësit apo median. Por pse kryeministri vazhdon të ketë qëndrim tallës e mospërfillës ndaj shoqërisë civile, e konkretisht asaj kuksiane në këtë rast. Nuk është etike si argumentim ky gjurmim i kujtesës episodike por a e di kryeministri që shoqëria civile në fjalë ishte ajo që ja “uli pantollt” te trau në Kalimash në Mars të vitit 2018. A e di kryeministri që shoqëria civile është ajo që i bën pyetje në konferenca dhe për replikë ai zgjedh që t’ju fik mikrofonin, tregoj derën e sallës se nga dilet apo ju komunikon kohën e pezullimit. A e di kryeministri që është kjo shoqëri civile që i tregon haptas skandalet qeveritare dhe ai këto i quan recitime?
Kryeministri me atë përgjigje nga ana tjetër dha një model negativ tek vartësit e tij, të cilët mjerisht e mjeshtërisht më pas, do ta transferojnë njëjtë në lokalitetet e tyre, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Shijak etj (jo që nuk e kanë bërë më përpara). Kryeministri duhet të jetë më i kujdesshëm në komunikimin verbal dhe joverbal përballë kryetarëve të bashkive. Fëmijët deri në moshën pesë vjeç vuajnë nga Sindroma e Imitimit. Ata kopjojnë çdo sjellje të prindërve dhe më të rriturve që i rrethojnë, duke e brendësuar kështu më vonë në karakterin e tyre. Të shumta kanë qenë rastet e kryetarëve të bashkive të vogla që imitojnë kryeministrin apo kryetarin e Bashkisë Tiranë në sjellje si duke mbledhur materialet e riciklueshme, duke bërë regjistrime me video me punëtorët gjatë kohës së punimeve, përdorimin e frazave të ngjashme (kolopuç për fëmijët), duke u intervistuar në lëvizje, duke ngarë makinën apo imitimet në gjestikulacionin e trupit.
Një kryeministër normal duhet të shqetësohet nëse shteti nuk ka një shoqëri civile aktive pasi anëtarët e shoqërisë për atë janë si policë qarkullimi në rrugën e suksesit. Ata të tregojnë falas, dhe jo ekspertët e kontraktuar, se ku janë realisht problemet e tua dhe se ku duhet të fokusohesh. Shqetësimet e tyre duhet të jenë karburanti dhe motivi më i madh i punës së një kryeministri kur zgjohet në mëngjes dhe ulet në tavolinën e punës. Por prezenca e një shoqërie që proteston për traun, prezenca e një shoqërie që proteston për armët kimike, për çmimet e larta, për naftën, kryeministrin e shqetëson, e irriton dhe për t’u përballur ai ka zgjedhur që kinse ta injorojë.
Kryeministri Rama sot përballë kryetarëve të bashkive ishte njëjtë si ata pedagogët e regjur dhe arrogant që “e dinë” se çfarë ka shkruajtur nxënësi në detyrën e kursit dhe të vetmen kureshti që kanë është për mënyrën se si ai do ta prezantojë detyrën përpara tyre. Brenda kësaj kohe ata kanë mundësi dhe pushtet të komentojnë për tekstin, të kapen pas detajeve, veshjes, faqeve të kuqe apo dridhjeve të zërit. Ata e kanë vendosur notën paraprakisht, paçka se çfarë do thotë e prezantojë studenti.
Në ditën kur shoqëria civile nuk do të jetë më, ti zoti kryeministër do të jesh me patjetër duke gëzuar statusin e të folurit me vete. Kur flas me veten time unë kam gjithmonë të drejtë: është një koindicion mendor dyshues dhe jo aq i lakmueshëm. Shoqëria civile duhet të jetë bashkëqeverisëse në një vend demokratik. Ndoshta mund të jetë e njëjta shoqëri, ose një pjesë e saj, që dikur kishte besim tek ti por ti tashmë nuk e dallon që ua ke gërditur.
Tragjedia e Ramës është që ambiciet e tij nuk përputhen me aftësitë dhe se trashëgimia që po i lë këtij vendi është një paralizë strategjike, që shoqërisë civile së bashku me aparatin shtetëror, do t’i duhen dekada për ta zhdukur.
