Kjo shprehje migjeniane për fat të keq i përgjigjet kryekëput aktualitetit të sotëm, edhepse ka kaluar një shekull, kur poeti i madh shqipëtar Migjeni shkruante për gjendjet e mjerueshme të asaj kohe. Themi pothuajse për çdo ditë “deri kur kshu ma“ për gjithëçfarë e sidomos në lidhje me drejtimin e automjeteve dhe qarkullimin rrugor në qytetin e Kukësit, i cili kohët e fundit ka prekur maja kritike. Janë këta “beterrxhij“ që shqetësojnë një qytet të tërë për qefet e tyre, që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët dhe për më tepër ngjallin edhe neveri në komunitet, pjesë për të cilën ato sërisht mbajnë një qëndrim inferior.
“Nuk na met veni kërkun, as n‘rrug, as n‘trotuar, as n‘shëtitore, nuk po dim ka me shku, edhe pa dal spo rrihet”, – reagoi një i moshuar krejt ankth e mllef kur dëgjoi xhirimin e gomave të një makine në rrugën kryesore të qytetit.
Por kjo nuk është një skenë që ndodh rrallëherë në qytet. Këta aventura të llojit Formula 1 i përjetojmë në çdo vakt të ditës saqë të krijohen autosugjestionet sikur po merr dozën e ç´kurimit të stresit. Jo më larg se para dy ditësh në rrugën kryesore të qytetit, në një nga kryqëzimet kryesore të qytetit, aty ku afër është dhe një shkollë fillore, një makinë xhamzezë dhe “xhambame“ përplas një 18-vjeçar, i cili po kryente punën e tij të përditshme për me fitu bukën e gojës, shërbimit ushqimor taksi dhe papritur pëson saltrot në ajër, zhagmitjet në asfalt, thyerje të hundës dhe rrezikun edhe për jetën. Po para një muaji humb jetën një fëmijë nga përplasja e fortë e dy makinave, po brenda në qytet. Ku na çojnë këto papërgjegjësi, të cilat përshkojnë hallkat e një zinxhiri në shoqërinë tonë?
Hallka e parë e zinxhirit është familja, prindërit sepse familja konsiderohet bërthama e shoqërisë. Nënat dhe baballarët na edukojnë që në fëmijëri se ç‘ka është e mirë dhe ç‘ka është e keqja, si ta realizojmë të mirën dhe si ta mposhtim të keqen, çfarë janë vlerat dhe antivlerat. Në rastin konkret është tepër e dukshme drejtimi i automjeteve nga mosha pubertare dhe adoleshente, pra nga 12-vjeçarët dhe 16- vjeçarët. Ku e marrin këta të drejtën e drejtimit të një automjeti, sa të përgatitur janë kjo kategori moshore me rregullat e qarkullimit, a është në gjendje një 12 apo 16-vjeçar të posedojë një makinë të tijën personale? Nuk më ngelet të mendohem shumë gjatë për të gjetur përgjigjen e këtyre pyetjeve, që si kryefjalë kanë prindin. Pra papërgjegjësia transmetohet nga prindi tek këta beterrxhinjt, të cilëve qyteti u duket si një areal virtual të lojërave me kompjutera n´ato ekranët e mëdhenj.
Sheh shumë shpësh baballarë të tipit “macho“ që mbajnë fëmijët në prehër kur ngasin makinën, shokohesh kur sheh në timon dy duar të vogla dhe pas tyre dy koka njëra pas tjetrës në një formë asimetrike. Fërkon sytë nga kjo pamje, shikon rreth e rrotull, thua me vete a jam në mes të rrugës, në mes të qytetit, dhe së fundmi pasi e konstaton gjithë këtë realitet ofshan me vete duke thënë: Po mirë vetja nuk të dhimbset, po jeta e fëmijës tënd a ka vlerë për ty?
Janë edhe këto baballarët tjerë “macho eksponencial“ që ua hedhin çelsat e makinës fëmijëve të tyre nga veranda e një lokali në formën imperative me shprehjen: “Shko e më kryej këtë shërbim se nuk kam vakt iher sa ti pi kto birra me kta shokt“.
Pra kemi zanafillën e papërgjegjshmërisë tek bërthama, tek prindërit, të cilët masin burrninë me këtë mediokritet. Përveçse këtyre kemi kategorinë tjetër që e përmbushin papërgjegjshmërinë me alkolizmin, hashashizmin, narkotizmin, të cilët jetojnë në botën e përrallave dhe me lëmoshën sezonale të migrimit. Edhe këta pas kuintave të xhamave të zinj, të japin përshtypjen e gjallesave të gjirizeve, të cilët zhduken me shpejtësi marramendëse pas një spostimi të makinës me triumfin e skuthërisë.
Hallka tjetër e papërgjegjshmërisë dhe e neglizhencës qëndron tek institucionet përkatëse që kanë për detyrë të sigurojnë qetësinë e qytetarëve. Me keqardhje, nuk shoh shpesh, gati asnjëherë që të ndalohet në rrugë një makinë që ka thyer rregullin dhe të merren masë për të, madje shpesh vë re një lojë Tomy-Jerry në mes “beterrxhijve“ dhe “kontrollorëve të rendit“. I sheh këta skena të një falsiteti rival, beterrxhijtë çojnë pluhun, kontrollorët hanë pluhur. A nuk është kjo mungesë serioziteti, ku është ndërgjegjja, arsyeja, forca e ligjit, qytetaria, civilizimi?
Në çdo lloj sistemi a formë shteti, përveçse atij të kolapsuar, ekzistojnë ligjet, rregullat, normat të cilat mësohen nga familja, shkolla dhe shteti dhe që janë bërë për t‘u zbatuar, për të mbajtur një shoqëri stabile me mirëqenie sociale dhe psikologjike.
A jemi ne një shoqëri e traumatizuar, e mpirë, që po dalim binarësh dhe që nuk reagojmë as për jetë njerëzish? A nuk duhet ngritur zëri fort për këta situata të përditshme që përjetojmë çdo ditë, a duhet që çdo situatë të tillë ta kalojmë më një namë “Thefsh qafën“ ndërkohë që janë ata që po na e thejnë qafën ne? A mos duhet që vetë ne t‘u tërheqim veshin edhe institucioneve përkatëse për t‘i detyruar të bëjnë detyrën e tyre, që paguhet nga taksat tona? A mos ka ardhur edhe koha për zhvillimin e fushatave edukuese lidhur me normat elementare të mirësjelljes, me ato civilizuese sepse duhet shpëtuar kjo shoqëri e ky qytet.
Më duhet përsëri ta mbyll këtë shkrim-revoltë me vargjet e “Recitalit të Malësorit“ nga Migjeni i madh.
“O si s’kam nji grusht të fuqishëm
ti bij mu n’zemër malit që s’bëzan.
***Gerlus***
