Radio Televizioni i Prishtinës – mesha e muzikës rock për të rinjtë e Kukësit  

-

Në një seminar online, siç është bërë sot trend postcovidian, po merrnim pjesë studentë dhe pedagogë internacional dhe po diskutonim mbi temën “kulturë e kujtesës”.  Dikush fliste nga ambientet e shtëpisë, dikush në zyrë, dikush në park dhe e vetëkuptueshme që i gjithë grupi përcepton akustikën dhe pamjen në sfond të personit që ka fjalën në atë moment. Ndërsa një kolege po shpjegonte punën e saj në “power point”, në sfond dëgjohen këmbanat e kishës, që janë simboli i meshës së shenjtë. Pikërisht këto këmbana dhe konotacioni i meshës me to, më ngacmuan memorien, lidhur me këtë shkrim. Edhe pse këto përbërës religjioz nuk kan lidhje direkte me temën e këtij shkrimi, ajo indirekte i ngjan këtyre ritualeve religjioze.

Bëhet fjalë për Kukësin e fundviteve 70’ dhe deri në vitin 1990, në Kukësin e atëhershëm ku ndiqej kryesisht nga rinia e qytetit fshehurazi Radio Televizioni i Prishtinës, si dhe mediat e tjera ish-jugosllave si Beogradi, Titogradi etj. Për faktin se Kukësi ishte qytet kufitar me ish-Jugosllavinë ishte më se e qartë se frekuencat radiotelevizive tejkufitare na vizitonin çdo ditë, por gjithashtu edhe frekuencat tona të Radio Kukësit ishin të pranishme në pjesën tjetër. Idhnimi i dy liderëve socialistë Enver-Tito, nuk arriti të izolonte hapësirën ajrore të frekuencave por dhe as të sfidonte fizikantin gjerman Heinrich Rudolf Hertz, për shpikjen e valëve elektromagnetike. Veçanërisht Radio Prishtina ishte ai mediumi që me emisionin e parë muzikor “Takim në orën 14” ftonte si në meshë të rinjtë e Kukësit. E bëj këtë krahasim sepse e tillë ishte ecuria e ritualit, dihej orari i fillimit të emisionit në orën 2, por vendet nga ku dëgjohej ishin të ndryshme dhe i ngjanin atyre vendeve okulte, edhe pse më shumë ishin ambientet e brendshme të shtëpive. “Meshën” e mbante gjithnjë moderatori i emisionit dhe muzika.

Në ambientet e shtëpive bëheshin bashkë një grup shokësh prej tre deri në katër persona. Kushti kryesor për ta dëgjuar emisionin në shtëpi ishte që tek shtëpia ku do të dëgjohej të mos kishte njeri brenda ose më saktë prindërit mos të ishin prezent. Shumica e kishin “fat” këtë mosprani, për faktin se kryesisht kryefamiljarët ktheheshin disa minuta pas orës tre në shtëpi sepse orari zyrtar i punës në atë kohë ishte 7 me 3, (07 :00 – 15:00).

“Mezi prisnim emisionin, vraponim për te shpia të organizum, varej nga situata, kemi lan edhe pun tjera mangut, primare ishte muzika e Radio Prishtinës. Kishim nji radio “Figaro” gjermane te shpia, ia kishim saju nji anten teli t’holl mrapa, d.m.th e kishim lidh, me marr ma mir, se kishte raste që u shkeputshin valët. Në fund teli ishte i zhveshun dhe kur ikshin valët e kapshim direkt me dor ose e mbështillnim me nji letër si alumini nga ato letrat e paketave të cigareve, se e merrte xham pastaj. Un kisha nji letër para dhe stilolapsin n’dor, për me shkrujt fjalt e kangës. Rrinim me vllain krejt afër radios dhe ça kapshim fjalë të teksteve të kangve, i shkrujshim direkt. Kryesisht ai mi diktonte dhe un shkrujsha. Ishte nji angazhim i madh por njëkohësisht edhe argëtim e ngazëllim, u deshte me majt men edhe emrat e grupeve apo këngëtarëve. Aty ishte ça të kapje do kapje por kur kujtoj tash ç’far memorie brilante kemi pas, me kap tekstin e muziken me nji t’nigjume, habitem. Kur ishim me shokë tjerë n’shpi, secili organizohej me kap fjalët. Kur afrohej ora 3, njani prej tyne bante rojen me pa nga ballkoni apo dritarja, se mos vjen njani nga prindrit prej pune.”

Përveç ambienteve të brendshme të shtëpisë ishin edhe ato të jashtmet në qytet si në cepin e një pallati, në periferi “te pishat” i thonin, si dhe në sezonin e verës në liqe, ku bënin plazh rinia kuksiane.

Po në ambientet e jashtme si e dëgjonin radion në atë kohë?

Materialiteti dhe medialiteti janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Gjërat janë cilësuar nga sociologët dhe antropologët si mjete të lidhjeve sociale dhe si ura lidhëse me dijen. Kjo marrëdhënie e ndërsjelltë krijon socialen dhe teknikën. Këto interaksione akustike në ambientet e jashtme i atribuohen radios së parë me tranzistorë shqipëtare, radios Iliria. Me gjuhën e sotme kjo radio mund të quhet edhe “radio to go” sepse punonte me bateri dhe ishte shumë praktike, mund të merrej kudo. Pikërisht kjo radio i shoqëronte këta të rinj në ambientet e jashtme dhe kjo shërbente dhe si indicie e statusit shoqëror. Jo gjithkush kishte një radio të tillë sepse ishte prodhim i ri, i kushtueshëm për atë kohë dhe fakti që përdorej me bateri ia shtonte koston më shumë.

“Radion Iliria e kishte njani prej shokve, e kishte ble i ati n´Durrs. Ai e merrte shum her edhe fshehtas prej shpie, se ishte shfaqje e huj n’at koh me t’pa tu nigju radio jasht, edhe pse ma von u liberalizu ma shum, nuk na thoshin gja. Por problem ishin baterit, kan qenë baterit “rraketa” se kushtoshin shtrenjt për xhepat ton, ishim t’rinj nuk kishim t´ardhuna financiare, por i mlidhshim lekt për bateri dhe për cigare. E nigjoshim Radio Prishtinën te Pishat,te pallati po ma shum kur shkoshim me u la n‘liqe. Maj men kur nigjoshim dhe e knoshim n’kor kangën e Edmond Islamit “Do t’më kesh“ dhe sa fillonte kanga krejt shokt n´kor: “rrugës sate nga më shkon, ti morrnica mua më zgjon, mua më zgjon, je si dielli që rrezon”.

Një medium tjetër dhe luksoz për atë kohë ishte magnetofoni me kaseta që ishin krejt të paktë në numër ata që e posedonin këtë teknologji dëgjimi në Kukës. Nga fundi i viteve 80’ u shtua numri i tyre por përsëri ngeli si medium në statusin “high class”. Ky medium ishte më i avancuar dhe kishte favore më të mëdhaja në përvetësimin e këngëve të Prishtinës, siç i quanin zhargon atëherë. Praktikohej inçizimi direkt nga emisionet muzikore të Radio Prishtinës, në kasetë, sigurisht me një përkushtim dhe preçizion të madh. Personat që realizonin këtë risi konsideroheshin të privilegjuar dhe të kërkueshëm nga audienca tjetër, për sigurimin e një dëgjimi komod të këngëve, për saktësimin e muzikës dhe tekstit, si dhe përcjelljen e muzikës.

“Kam pas në 84-ën manjetofon jugosllav “Iskra” i madh si pllakë. Me “Iskrën“ kam nigju me kasetë kangt e Prishtinës. Për fat kisha nji kushri t‘babës që ishte shofer eksporti e shkonte n‘Çeki por i binte nga Jugosllavia. Un e porositsha at kushrinin me m‘pru kaseta prej anej, t´grupeve Telex, MAK, Trix, Fisnikët, e plot të tjer dhe i maj men kasetat që m‘vinin prej anej t´shkrujtme sipër RTP“.

Ndonëse në qytetin e Kukësit këtë teknologji të re e posedonte një përqindje shumë e vogël e qytetit, tek bashkëkombasit tanë matanë kufirit kjo teknologji po shpërthente masivisht në të gjitha drejtimet. Radio Prishtina si një radio me traditë profesionale që në 1945-1946, po zhvillohej shumë në vitet 70‘, e cila kulmoi me realizimin e televizionit, që në vitin 1975 programet televizive transmetoheshin nga studioja e Prishtinës. I gjithi ky procez kurorëzohet me emrin RTP, Radio Televizioni i Prishtinës. Ky evolim tekniko-kulturor ndikoi direkt në qytetin tonë nëpërmjet këtij mediumi. Pavarësisht se mediat e huaja apo jashtë Shqipërisë ishin “molla e ndalueme“ ne vazhdonim të kafshonim “mollën e mëkatit”, duke u rritur artistikisht, duke njohur e ndjerë muzikën rock e pop, duke u magjepsur me etno-rockun shqipëtar, me muzikën pop rock perëndimore dhe atë ish-jugosllave. Diapazoni muzikor u zgjerua edhe më shumë tek ne në përpjestim të drejtë me profesionalizmin e RTP-së dhe me shumëllojshmërinë e programacionit.

“Un qysh kur kam qen 11 vjeç kam nigju e ndjek RTP-në, krejt kanalet 1- shin, 2- shin. Më pëlqente ma shum muzika Rock. Grupi AVI i thoshin n’at koh, Ansambli Vokalo Instrumentalist. Maj men që t’parin kam nigju AVI MAK, Haki Misini i Mitrovicës, me “Moj e mira te pojata, hije t´kan o flokt e gjata”. Kët e kam nigju te emisioni “Pa brengë“ te RTP 1, ishte mas Ditarit. Pastaj kam nigju grupin Telex shkupjant me “Çdo gjë vjen me vonesë e asnjëherë në kohë”, grupin Elonida me “E takova perëndeshën”, Avi Tonic të Gjilanit, Enigma, Agron Berishën me “Adriatik rrugt e tua të çojn në Jug” e plot të tjera. Krejt kto i kam ndjek në emisione të ndryshme si “Telefoni kujdestar“, “Programi plus”, – ishte n’dark von, “Promenadë vere“ e kishte Feim Kurhasani aty kishte më shum rock t´huj dhe të ish-Jugosllavisë. Maj men se kam nigju Prince, Roxette, ka qenë edhe nji kang kroate m´duket Xhuli. Plot tjera kam njek me Akordet e Kosoves me Piperkun e madh, Festivalin Boom e deri te filmat e sporti“.

Pothuajse i gjithë programacioni i RTP-së ndiqej në Kukës sepse u rrit interesi për të parë diçka ndryshe, të lirë dhe me larmi artistike. Ky interes u demonstrua me ndërtimin e antenave “12-elementëshe“, në tarracat e pallatave për të përthithur valët edhe më mirë. Antenat mbinin për çdo ditë si kërpudha në tarracat e pallatave. Kishte edhe nga ata antena që kishin fatin e Kalasë së Rozafës, që ndërtoheshin natën dhe prisheshin ditën sepse edhe antenat i përkisnin “red area-shfaqje e huaj“.

Tashmë ndiqeshin emisionet “Top lista 20“, “Pop Muzeum“, “Hajde ta valojna“, “Fontanë dëshirash“, “Programi i natës“, “Promenadë vere“, festivalet si ai i muzikës rock, “Boom“ dhe ai i muzikës së lehtë “Akordet e Kosovës“. Bashkë me emisionet u bënë të njohur për ne protagonistët e tyre, moderatorët e njohur si Hivzi Krasniqi, Feim Kurhasani, Refik Serqa, Sabit Ballabani, që me zërin e tyre përçonin muzikën e lehtë, pop, rock shqiptare dhe multinacionale. Madje këta moderatorë imitoheshin nga të rinjtë e qytetit, të cilët shkëmbenin eksperiencat e tyre personale, lidhur me emisionet përkatëse.

Këngët e transmetuara nga ky kolorit emisionesh nuk mbeteshin vetëm në kuadrin e dëgjimit por ato performoheshin edhe nga grupe të ndryshme të rinjsh të qytetit të Kukësit, që kryesisht mosha e tyre varionte nga 15-25 vjeç. Nga narrativat dhe kujtimet e këtij brezi në lidhje me këtë aspekt të performancës, të parët që kënduan këto kënge ishin dy vëllezërit Hasani (Y.H dhe P.H). Të shquar edhe nga talenti muzikor i tyre, ata i këndonin me një grup shokësh fshehtas dhe vetëm me kitarë akustike.

“Po i kapshim kangt meiher, si duket të rinj, dhe vllai e kishte dhuntin për t‘i kap shum shpejt tekstet dhe muzikën, un isha më i mir te kangt e huja rock angleze si Joe Cocker, Pink Floyd etj. Sapo i nigjonim si kang, i ushtronim shpejt e shpejt te shpia me dy zana, që mos t’i harroshim. Pastaj gjat ditës aty e kishim menjen me e përcjell te shokt, se ishte për ne si me pas gjet diamant, dhe finalizohej te Pishat me kitare, t’cilën e lunte nji shok i joni, duke ja than edhe atij se ku me e kap kangën. Ishim ma rehat te Pishat se ishte ven periferik, e kishte larg polici me na gjet, por edhe e favorshme për ne se e shihnim dhe kishim mundsin me u zhduk. Ka pas raste që edhe jemi tall me to, kshu ishte atëher. Po n’fakt u mlidhnin shum tjerë me na nigju, dhe shkëmbenim me njëri-tjetrin. Ç’far s´kemi knu Seleksion 039 me “Nuk i dua retë”, Irfan Bakqori, Nazmi Belica, Telex, Mak, Mond Islami, Agron Berishën, Sabri Fejzullahun, Fisnikët pothujse të gjith se nuk më kujtohen tash krejt. Pastaj maj men, që fillun edhe të tjerë duke këndu kangt e Kosovës, disa kishin tendencën e melankolikes, knoshin nga Hareja, Trix, Agim Tejeci“.

Pra, këta këngë transportoheshin nga një grup social në tjetrin, nga më të mëdhenjtë tek më të vegjlit, ishin pothuajse tre breza të ndryshëm që dëgjonin këngët e RTP-së. Por ekoja e përcjelljes së tyre e ka epiqendrën tek gjimnazistët dhe 20 vjeçarët. Madje ky përçim u kthye edhe si një konkruencë artistike mes tyre, se cili përvetson dhe arkivon më shumë. Një degnajë si tip muzeale u zhvillua në qytet, me krijimin e disa koleksionistëve dhe apasionantëve të muzikës rock dhe të lehtë kosovare. Këta personazhe nuk ishin të shumtë por të etur pas artit dhe posedonin magnetofon, inçizonin këngët nga emisionet e RTP-së, ndërkohë nga ana tjetër gjenin edhe mundësinë e blerjes ilegale të kasetave në Kosovë. Madje pas viteve 90’ këta koleksionistë kanë krijuar lidhje të ngushta me shumë protagonistë të muzikës dhe RTP-së.

Përveç interaksionit brenda qytetit këto këngë bashkë me RTP-në arritën Tiranën dhe qytetet e mëdhaja si Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan nëpërmjet këtyre brezave, të cilët kryesisht ishin nxënës, studentë, ushtarë dhe sportistë.

“Kur kam knu “Të jesh apo të mos jesh” nga Magjistarët, dhe “ Të desha e dashur “ nga Enigma në universitet, m’thoshin ku i ke marr kto kang, si ka mundsi që ekzistojn kto kang shqipe kaq t’bukura dhe ne nuk i dimë. U thosha: janë prej Radio Televizionit të Prishtinës, dhe ka shum e shum të tjera. Krejt kuksiant i din edhe i knojn kto”.

Të gjithë këta tre breza eksportuan këtë muzikë brënda Shqipërisë me grupet dhe këngëtarët e preferuar të tyre që varionin nga Gjurmët, 403, Minatori, TNT, Ilirët, Hilmi Obertinca, e shumë të tjerë. Madje këto këngë u bënë dedikime, sinjale dashurie, pjesë ditaresh. Pas viteve 90’ këto këngë ishin në top listat e kasetofonave të makinave. Sot këta këngë dhe RTP-ja janë pjesë e nostalgjisë, tavolinave të këtyre brezave dhe festave të cilat shoqërohen gjithmonë me shprehjen: “Eh vakt e vakt, na ishte njëherë Radio Prishtina”.

 

P.S Mirënjohje për intervistuesit e qytetit të Kukësit për kontributin që dhanë në përmbajtjen e shkrimit dhe moderatorin e Radio Dukagjinit Z. Feim Kurhasanin dhe Rilind Gërvallën për informacionet mbi Radio Televizionin e Prishtinës.

***Gerlus***

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit