QYTETIT TIM
Në veshjen e tij
diçka seç mungon
ndoshta butësia
ndoshta pak rreze të vakta dielli
Gjithsesi, një gjë i mungon
ose ka tepricë të diçkaje
Tepricë kohe, nxitohet të thotë dikush
tepricë fjalësh, mendon mendja e gënjyer
As i gjallë as i vdekur
Vazhdimisht në çdo kohë
qyteti im qesh e psherëtin
Kjo është një poezi e shkrimtares Sabajeta Peposhi e shkruar përpara 20 vitesh në të ftohtin nëntor të vitit 2002, vargje të cilat ajo ia kushton qytetit të saj, i cili duket se tenton të fshihet prej saj pasi ajo do të arrijë t’ja dallojë të gjitha skutat që ka. Ajo nëpërmjet vargjeve arrin t’a dallojë mushkninë e qytetit në gjendje normale, kur fle, kur ai kollitet fort apo merr fryme thellë. Një qytet as i gjallë as i vdekur.
Shkrimtari Petrit Palushi është kujdesur ndër vitë për të përkujtuar autoren Sabajete Peposhi dhe për të kthyer emrin e saj në një institucion letrar. Ai shkruan në rrjetin e tij social në facebook:
Përkujtesë për Sabajeta Peposhin, në 12-vjetorin e vdekjes
12 vjet më parë, pa i mbushur të 24 vjetët u nda prej jete krijuesja e talentuar Sabajeta Peposhi.
Qysh në moshën 17 vjeçare, në përmbyllje të prozës “Varrmihësi im anonim”, shkroi:
“Kësisoj, e lodhur nga parashikimet e çuditshme buzë gropës së hapur, e mbylla monologun e trishtë me një kryefjalë po të tillë: “Me ose pa jetë, do më duhet një varrmihës mua, mishit të gjallë të quajtur rastësisht: njeri”.
Mesa duket, ajo e parandjeu dhe paracaktoi vetë fatin e vet, si fati i njeriut përballë një realiteti sa mistik, aq edhe i pavëmendshëm ndaj njeriut, sa trazues, aq edhe i rëndë, realitet që e ngacmoi dhe e trandi atë vazhdimisht.
Koha fizike qe e pamjaftueshme për të ajo shkroi dhe realizoi një letërsi jashtë parafabrikateve, krejt origjinale, si shpërfillje jo vetëm për letërsinë masive, por dhe si reagim i ndjeshëm ndaj një realiteti të pakëndshëm dhe të përceptueshëm bukur mirë prej saj.
Në fund të mbramë, ia doli ta sendërtojë në mënyrën më të mundshme një letërsi të cilësishme.
