-Si ndihesh tani?
-Shumë mirë vetëm se ka pak zhurmë këtu.
-E ke vënë re që takimet tona kanë qëlluar përgjithësisht në kohë me shi?
-Nuk e kisha vënë re por nuk besoj që kjo ka reflektuar në ngjyrat e bisedave tona.
-Pse shkruan Gëzimi?
-Sigmund Frojd thoshte që njëriu shkruan ose bën një pikturë sepse ka një siptomë psikologjike nga brenda, ai vuan, dhe kërkon që t’i materializojë mendimet e tij. Shkruaj për të vetëdijësu të tjerët dhe me gjasë për të nxitur ndryshime të mundshme më pas. Shkruaj për çdo gjë që më ngacmon.
-Kush është gjëja e fundit që të ka ngacmuar?
-Janë dy ngjarje këto ditë. Dita e 5 Majit, Dita e Dëshmorëve ku mblidhen e bëjnë si të dashura me njëra-tjetrën të gjitha partitë në Shqipëri dhe sillen sikur po bëjnë diçka për atdheun. Kanë nga 30 vite në pushtet. Këtë ata e quajnë kontribut për atdheun. Dhe ngjarja e dytë ishte kujtimi i figurës së Karl Marksit, po në datën 5 Maj, që është ditëlindja e tij, si një ndër figurat më të steriotipizuara në Shqipëri për shkak të kaluarës tonë komuniste.
-Ti e ke lexuar Karl Marksin?
-Kam lexuar një botim të një autori serb për Marksin por nuk kam lexuar “Kapitalin”.
-Ke frikë ta lexosh “Kapitalin”?
-Nuk kam frikë nga vepra, kam frikë nga vetja pasi nuk mund të arrij ta kuptoj plotësisht.
-Kur mendon që mund ta lexosh këtë vepër pa pasur frikë nga interpretimi i vetvetes?
-Mendoj rreth moshës 30 vjeç kur kapaciteti im intelektual do të jetë më i lartë dhe në këtë fazë njeriu presupozohet që kupton më shumë rreth çështjeve politike.
-Kush ta ka vendosur këtë emër, Gëzim?
-Shumë njerëz mund të aludojnë që ky emër mund të jetë për faktin që mund të kem qenë fëmijë i parë i familjes, gëzimi i parë, por në fakt unë jam i katërti në rradhë. Kam vëllezër të tjerë më përpara. Emrin ma ka vendosur gjyshi nga mami, në kujtim të një fëmije, nipi, që nuk jetoi gjatë. Vdiq foshnjë.
-Sa rehat ndihesh me këtë emër?
-Është njeriu që bën emrin, dhe jo emri që bën njeriun.
-Por është një emër i zakonshëm, duhet ta pranojmë, po aq sa i imi, Arben.
-Mendoj që duhet të meritoja një emër më bashkëkohor mbase. Por duke qenë se nuk flisja asokohe nuk më mori njeri parasysh.
-Çfarë mendon kur dëgjon zhurmën e takave në një lokal dhe nga zhurma dallon që po afrohet drejt teje?
-Sensualitet dhe pasion. Është një vijë melodike e këndshme për veshin.
-Duhet të ulim zërin meqë ra fjala sepse u ul afër nesh. A shkon shpesh në Kukës?
-Nuk shkoj shpesh për shkak të angazhimeve që kam në shkollë dhe punë. Kur jam në Kukës më merr malli për Tiranën dhe kur jam në Tiranë më merr malli për Kukësin.
-Si e shfytëzon kohën atje?
-Kryesisht me familjen.
-A merr komplimenta zakonisht?
-Në fakt marr shpesh komplimenta nga studentë dhe kolegë të mi dhe më rrallë nga pedagogët, për shkrimet që bëj dhe angazhimin që kam në shkollë.
-Çfarë mendon kur të redaktojnë shkrimet e tua?
-Unë nuk jam natyrë konfliktuale përgjithësisht por kam besim tek puna e redaktorëve dhe tek dikush që mendoj që është i aftë për ta bërë këtë punë.
-Konflikt ishte fjala e parë që përmende pas kësaj pyetje. A mendon që konflikti është pjesë e një marrëdhënie të tillë?
-Pyetje e bukur. Nuk është se kam një eksperiencë të gjatë në këtë fushë por mendoj që është paksa delikate dhe “konfliktuale” meqë e përdora si term në fillim.
-Çfarë është një lajm i mirë për ty?
-Lajme që orientojnë publikun drejt vlerave si arti, kultura e libri dhe ato lajme që rrisin nivelin e transparencës së institucioneve publike.
-Ti the që shkon rrallë në Kukës. Jeton në një zonë të largët, Shëmri. A mendon që bashkëfshatarët e tu e dinë rolin e gazetarisë si profesion? A janë ata të vetëdijshëm?
-Në fakt e dinë shumë pak.
-Sa gazetarë ka katuni jot?
-Asnjë.
-Sa popullsi janë aty?
-Në mos gaboj diku tek 1000 banorë.
-Pse mendon që katuni jot nuk ka nxjerrë asnjë gazetar?
-Mbase për shkak të paragjykimit që gazetari shikohet si një spiun, gazetaria lidhet me spiunllikun, pra si një njeri që nxjerr informacione dhe i shërben vetes së tij për të dëmtuar dikë tjetër. (qesh)
-I bie që fshati yt është me zero spiunë aktualisht. Besoj që punët shkojnë shumë mirë aty.
– Vaj.
-A mendon që nëse do kishte më shumë gazetarë aty fshati do ishte ndryshe?
-Patjetër. Ja do të jap një rast specifik. Para disa kohësh u shemb një urë në fshat. Asnjë media dhe asnjë gazetar nuk denjoi të vinte deri aty dhe të fliste për atë. Unë e bëra dhe gjendja ndryshoi. Kjo është rëndësia e gazetarit që jeton dhe punon në vendin e tij, fshatin këtë rast.
-Kush i lexon shkrimet e tua?
-Babi im i pari, por vetëm titullin.
– Babi yt paska nuhatje të mira për gazetarinë dhe sidomos portalet përderisa e di rëndësinë që ka titulli në një shkrim gazetaresk.
-Përton të lexojë gjatë. Shikon titullin dhe kur i pëlqen reagon me duartrokitje përgjithësisht.
-Si janë marrëdhëniet e tua me pedagogët e shkollës dhe a kanë ndryshuar ato pas marrjes së çmimit?
-Përgjithësisht kam marrëdhënie të mira me të gjithë stafin akademik dhe mendoj që ka ndryshuar paksa qëndrimi i tyre kundrejt meje pas marrjes së çmimit. Pra emri Gëzim tani lidhet gjithnjë me çmimin. Emri ka staturë tjetër.
-A mendon që ka xhelozi mes pedagogësh që nxënës i tyre aktual mund të bëhet kolegu i tyre nesër?
-Mund të ekzistojë por unë nuk kam vënë re diçka të tillë kundrejt meje.
-A je ti Gëzim më i miri i klasës?
-Kam lexuar diku një studim që 70 % e studentëve në periudhën e studimeve universitare mendojnë që janë më të mirët në klasë.
-Qenka i frikshëm si raport. Gjithsesi studimet këtë veçori kanë, që i fundit hedh poshtë gjithmonë të parafundit.
-Mendoj që jam më i miri për nga përkushtimi që kam aty dhe marrëdhëniet që kam krijuar me të tjerët. Kanë mendime pozitive për mua.
-Sa kilogram je?
-Përpara dy javësh isha 62. Doja të nisja një palestër pasi mu kthye në kompleks dobësia dhe doja të fitoja disa kile më shumë. Franc Kafka, një autor që ti mund ta njohësh më mirë sepse mund të kesh lexuar shumë libra.
-Jo unë nuk kam lexuar shumë libra.
-Ashtu e mendova.
-Mirë bëre. Më vjen mirë që të kam lënë këtë përshtypje, gjithsesi.
-Franc Kafka e kishte fobi të shkonte në plazh për shkak se ishte shumë i dobët. Unë nuk jam në këtë fazë por e mendoj sikur të isha më i shëndoshë. Disa miq më thonë që kështu të shkon më shumë.
-A të pengon fakti që je i dobët të punosh si gazetar terreni?
-Ne që jëmi të dobët dhe pothuajsë të gjatë jemi më të mirë për në protesta, pasi kapim momente që nuk i kapin dot të tjerët.
-Gazetarët në përgjithësi janë të dobët apo të shëndoshë?
-Njoh më shumë të dobët që janë më të aftë.
-A do të pranoje të punoje si spiker lajmesh në një televizion?
-Jo, asnjëherë. Nuk mendoj që kam staturën e duhur për ta bërë atë. Edhe pse është më i vështirë më pëlqen terreni më shumë.
-Je ulur në një karrige pas të cilës ke një raft me libra. Unë lexoj nga këtu Fatos Kongolin me Iluzione në Sirtar. E njeh këtë autor?
-Jo, nuk kam lexuar ndonjë libër të tij por kam parë një intervistë të tij tek Qendra Kombëtare e Librit që po fliste për një çështje politike në vend dhe nuk më pëlqeu për aq sa pashë.
-Eh, nuk është dhe e këshillueshme angazhimi i shkrimtarëve në politikë por të sugjeroj ta lexosh. Është autor i mirë dhe ndryshe nga të tjerët, përfshirë dhe Kadarenë.
-Unë kam porositur Ujë pa gaz ndërsa ti Bravo molle. Pse kjo porosi?
-Nuk e di pse por unë gjithmonë porosis Bravo molle. Këtë pija dhe kur isha në konvikt, që nga viti i parë.
-A ke dijeni për sheqerin që ka në përbërje dhe efektet negative në shëndet?
-Po e di, që kanë në përbërje esencë, ngjyrues dhe shumë pak mollë, por më pëlqen.
-A të ka ndodhur ndonjëherë që të jesh në një tavolinë dhe të porosisësh diçka të lirë vetëm që fatura të mos shkojë më shtrenjtë?
-Nuk e mbaj mend. Përgjithëisht kur gjej dy ose tre veta në tavolinë mundohem të porosis diçka që as të jetë më shumë por as më pak sesa ajo që kanë ata.
-Çfarë do doje të kishe në këto momente?
-Vëllezërit që jetojnë jashta, në Angli, sidomos vëllaun binjak.
-Ti ke vëlla binjak?
-Po.
-A keni ndryshime?
-Asnjë ndryshim. Vetëm se ai ka një shenjë, një lule në kokë që unë nuk e kam.
-Është gazetar edhe ai?
-Po, është gazetar popullor, por jo gazetar në profesion. Flet dhe ai shumë. Punon si berber.
-Ti ke tela tek dhëmbët. A mendon që ndikon kjo tek e folura?
-Nuk mendoj. Mbase ndryshimin do ta dalloj në momentin që do t’i heq.
-Ti mban një orë në dorë. E përdor orën?
-Në fakt sapo e kam vënë. Është e para për mua dhe jam në fillim. E shoh shpesh. Nqs e harroj më duket sikur kam diçka mangut në trup.
-Jemi ulur në një lokal që quhet Stokholm. Si të duket një bar me këtë emër në Shqipëri. Të çon diku larg, jashta ky emër?
-Jo aspak. Nuk mendoj që një emër i tillë i shkon përshtat një vendi me këtë kulturë, mentalitet dhe nivel jetese. Nuk besoj që as suedezët janë të apasionuar kaq shumë pas kafes.
-Kush do ta paguajë këtë porosi?
-Porosinë e paguan ai që ka ardh i pari dhe ai që ka marrë diçka më të shtrenjtë.
-Jam dakort. Më vjen mirë që të bëra pak moral edhe nëpërmjet pyetjeve.
