-Ora 19.10 apo…
-E çuditshme dhe nuk e kemi menduar përpara Ben por është bërë edhe në Kukës problem me parkimin. Është shtuar numri i makinave shumë. Tani është dhe ora që dalin njerëzit për shëtitje.
-Ngaqë e caktove vetë orarin e takimit.
-Po, ke të drejtë. Ndjesë por do e kompensojmë diqysh.
-Fjala “zani”, çfarë të bën të mendosh? Me çfarë e lidh këtë fjalë?
-Volum. Diçka që i jep zë diçkaje. Diçka e bukur, e pastër.
-Ti Ermal meresh me fotografi. Kush është më e bukur ta fotografosh, bota apo njerëzit?
-Më e bukur është bota. Njerëzit janë të bukur por nuk shkojnë dot te bota. Kanë shumë huqe e teka. Natyra është tërheqëse gjithmonë për aparatin.
-A mendon që je i pashëm?
-Hehe, varet se kush më shikon.
-E zëmë sikur të shohin gjashtë vajza përnjëherësh.
-Tani po. Nuk ka dyshim.
-Është me e lehtë të biesh në dashuri me një fotograf apo një operator?
-Patjetër…që me një fotograf. Fotografi flet më shumë zakonisht. Jep udhëzime, sugjerime, direktiva. Këtu zgjerohet komunikimi e si rrjedhojë.
-A mund të më tregosh foton e fundit që ke në telefon?
-Po.
-Kjo më duket që është një foto nga pjesa e bukur e botës, natyra.
-Po, ekzakte. Është një foto e fshatit Nangë, vendi im i origjinës. Është Zabeli i Vakafit. Është vend i preferuar imi dhe po përdoret shumë nga njerëzit kohët e fundit për piknik apo për të kaluar kohë së bashku me familjen.
-E kam parasysh ku është. Më pëlqen dhe mua si vend por nuk më pëlqen pjesa që njerëzit aty bëjnë qef dhe ndotin ambientin.
-Po, po ndodh ky abuzim dhe ja tek dalim sërisht tek pjesa se kush është me e bukur bota apo njerëzit. Unë e kam pastruar dy-tre herë atë zonë vullnetarisht por ndodh prap ndotja…
-Cili është personi më i rëndësishëm me të cilin ke një fotografi?
-Do thoja dhe do e ndryshoja në disa persona, jo vetëm një. Është familja ime. Kjo dhe për faktin ngaqë shumë prej nesh janë në emigrim, jemi paksa të shpërndarë. Nuk kam fotografi më të mirë sesa ajo kur mblidhemi bashkë të gjithë.
-Ermal, ne kemi 64 miq të përbashkët në rrjetin social “Facebook”. Mua emri i parë që më vjen ndërmend është Fation Gashi. Kush është emri i parë për ty?
-Nori.
-Tani që ma kujtove…paskam harruar t’i kthej një përgjigjë. Ka qenë në një koncert këto ditë në Kosovë.
-Është djalë i talentuar.
-Cilën lente ke të preferuar?
-Këndgjërën. Më pëlqejn pamjet dhe hapësira. Kjo lente është dhe më praktike. Lentja këndngushtë kërkon më shumë fokusim dhe përqëndrim.
-Me çfarë meresh tjetër përveçse fotografisë?
-Unë kam mbaruar për Inxhinieri Mekanike në fakt, i specializuar si inxhinier transporti. Gjithashtu jam menaxher i një projekti për mjedisin në Shoqatën Ekologët për Rajonin e Kukësit.
-Paska lidhje sërisht me natyrën kjo.
-Absolutisht që po.
-Kush është stina jote e preferuar?
-Do thoja më e preferuar është kjo që jemi tani, pranvera, ku fillon gjelbrimi, fundi i muajit Maj dhe fillimi i Qershorit. Është një temperaturë e këndshme, as e ngrohtë por as e ftohtë.
-Kush është klienti më bezdisës për ty?
-Ajo që thotë: “Bëje foton edhe njëherë”.
-Është e sigurt që nuk ka dalë mirë ëë?
-Kanë ankesa dhe kërkojnë përfekten.
-Për çfarë ankohen më shpesh?
-Përgjithësisht për hundën dhe kanë gjithmonë një gjysmë të fytyrës të preferuar. Këtë anën e kam më mirë, – ankohen shpesh kur unë kap padashje gjysmën tjetër.
-Dhe unë kam problem me anën e djathtë të fytyrës. Nuk më pëlqen të dal nga ai krah. Ti ke ndonjë nga këto prapësitë përpara apartit?
-Unë kam problem flokët.
-Ti je kaçurrel, pra po t’i lësh flokët e gjata të bëhen kaçurrela?
-Deri në moshën 5-vjeç kam qenë bjond dhe kaçurrel. Nuk e di se çfarë ndodhi më vonë por ndryshova. Sot po t’i lë të gjatë më dalin me onde.
-A përdor photoshop?
-Përdor ndonjëherë dhe më shumë e përdor për të lëvizur me ngjyrat dhe dritën. Është e nevojshme ndonjëherë.
-Nikon apo Canon?
-Unë kam të dyja llojet e aparateve. Për portrete është Canon-i i mirë kurse për natyrë është Nikon-i.
-E mban mend aparatin e parë që ke përdor?
-Nuk më kujtohet emri por ka qenë nga këta familjarët, me film, që printoheshin fotografitë në studio më pas.
-Kurse unë aparatin e parë gjysëmprofesional e mbaj mend që kur e kam pas ble kam pas lënë taksën vjetore të shkollës pa paguajtur. Isha student. Njëqind e tetëdhjetëmijë lekë e kam pas ble, te Dollari. Më thanë që është i vjedhur por e bleva gjithsesi.
-Është më e lehtë të fotografosh një djalë apo një vajzë?
-Më e lehtë është të fotografosh nja djalë normalisht. Nuk kanë shumë pyetje. Më pak kërkesa.
-Kush është eventi yt i preferuar për të fotografuar, dasëm, fejesë, ditëlindje, vajza me barkun e fryrë që presin të bëhen nëna për herë të parë?
-Përgjithësisht parapëlqej ambientet e hapura pasi ka më shumë hapësirë, ngjyra dhe dritë ndërsa në ambientet e mbyllura ke vetëm një dritë, “flash”-in e aparatit.
-A përdor foto bardh e zi?
-I përdor shpesh, përgjithësisht për profile. Kam shumë tek faqja ime në Instagram.
-A të shqetëson muzika e lartë në lokale të Kukësit?
-Tepër. Mos harro që kjo ishte dhe arsyeja që ne u zhvendosëm nga kafja dhe jemi ulur këtu tek shkallët e bibliotekës.
-A je fans i makinave?
-Po. Më pëlqejnë Bentley dhe Audi. Unë kam mbaruar studimet për Inxhinieri Mekanike. Por për momentin do doja të kisha një 1.4 naftë si ajo e jotja, që nuk harxhon shumë.
-A e mban mend mësuesin tënde të fillores?
-Po, mësuese Xhanie Hereni.
-Nga bëhet sot mësuesja jote?
-Është akoma mësuese në fillore.
-Sa mirë. Unë nuk di asgjë për mësuesen time. Ka migruar herët.
-Ndonjë kërkesë të çuditshme që mund të kesh marrë nga ndonjë vajzë gjatë fotografimit?
-Do doja ta kalonim këtë pyetje.
-Ok, e kalojmë. Vazhdojmë më pyetjen tjetër. Ndonjë kërkesë të çuditshme që mund të kesh marrë nga ndonjë vajzë gjatë fotografimit?
-Mos u lodh.
-A je ti një ndër ata që e shtyn alarmin e telefonit në mëngjes?
-Po. Zakonisht vendos një muzikë të shëmtuar dhe e vendos telefonin larg me qëllim që të zgjohem dhe ta ndal e kështu të më dalë gjumi.
-A vesh Ermali kanatiere poshtë këmishës?
-Gjatë dimrit po.
-Në dimër kur nuk duket as këmisha po thu. Unë po pyesja për Verën.
-Edhe në Verë është mirë se përthith djersët.
-A mendon që përshkrimi, diçitura në një foto në rrjetet sociale ndikon tek pëlqyeshmëria dhe shpërndarja e saj?
-Unë zakonisht i bëj përshkrimet në gjuhën tonë dialektore, lumjane. Më pëlqen. Kjo shërben ndonjëherë që dhe të tjerët të pyesin se çfarë domethënie ka një fjalë e caktuar. Ata mësojnë fjalë të reja dialektore vetëm për shkakun që përshkrimi është vendosur në një foto të bukur. Provomon dhe gjuhën.
-A të kërkojnë shoqëria me ju bo foto pa lekë?
-Shumë. Radha është nga këtu e n’Nangë.
-A do që të bëj unë një foto e më pas ta ngarkoj tek shkrimi apo do të më sjellësh ti ndonjë foto profil që i ke bërë vetes me aparat?
-Çfarë telefoni ke ti?
-Unë të fundit. Haha. Iphone 13 Pro Max.
-E bëjmë me këtë pra.
