Pas pёrmbytjes sё plotё tё Kukёsit tё Vjetёr dhe transferimit tё banorёve nё Kukёsin e Ri, qyteti i ri po merrte dita-ditёs pamje tё ndryshme nё kahun e inovatives. Procesi i transferimin tё banorёve duhej tё ecte nё sinkron me ndёrtimin e banesave tё reja, si dhe me menaxhimin e tyre, proces i cili u mbyll nё orёn 11 tё datёs 25 shkurt tё vitit 1978. Hapja e minierave tё kromit nё Gjegjan dhe Kalimash dhe e uzinёs sё bakrit nё Rexhepaj e çuan ekonominё e qytetit dhe tё vendit nё njё nivel të lartë, që rrjedhimisht krijoi shumё vende pune. Kёta dy burime ishin kryesore pёr krijimin e vendeve tё punёs, por ama edhe industria e lehtё qё pёrfshinte qendrёn industriale ishte njё oaz i fuqisё punёtore. Pra kjo infrastrukturё i dha njё formё tjetёr qytetit tё Kukёsit, dhe ndёrtimi i tij zgjati deri nё vitin 1978.
Gjthashtu ndёrtimi i banesave tё qytetit u realizuan me forca vullnetare, tё cilat u mobilizuan dhe organizuan nga qeveria e atёhershme pёr ndёrtimin me ritёm tё shpejtё tё qytetit. Pёrveç punёtorёve tё Ndёrmarrjes Komunale tё Kukёsit dhe ndёrmarrjeve të tjera njё kontribut tё madh kanё dhёnё Ndёrmarrjet e Ndёrtimit tё qyteteve Shkodёr, Krujё dhe Lezhё, madje ende sot mbajnё emrat pallati i Shkodrёs, i Krujёs dhe i Lezhёs. Kёta emёrtime janë tё amplifikuara nga kujtesa kolektive, pavarësisht se kёta ndёrtesa kanё njё adresё pёrkatёse administrative. Nёse pyet sot njё banor tё hershёm tё kёtyre ndёrtesave pёr adresёn e saktё tё tij, pёrgjigjja e parё rrufe ёshtё: “Te Pallati i Lezhёs, te Pallati i Shkodrёs, apo te i Krujёs“. Deri nё vitin 1980 Kukёsi i Ri posedonte 6 lagje dhe numri i banorёve u trefishua. Kjo lëvizje demografike shenjoi finalizimin e urbanizimit. Njё jetё e re filloi nё qytetin mё tё ri socialist.
Por pas pёrmbytjes lindi domosdoshmëria pёr ndёrtimin e dy urave tё reja, tё cilat do tё lidhnin Kukёsin e Ri me qytetet e tjera. Njёra urё do tё lidhte qytetin me rrugёn nacionale nё drejtim tё kryeqytetit ndёrsa tjetra do tё lidhte zonёn e Hasit me qytetin. Mё vjen ndёrmend edhe njё kёngё pёr fёmijё qё kёndohej nё radio pёr ngritjen e veprave tё tjera socialiste: “Urat e Kukёsit dy ato janё, njёra tё çon nё Has e tjetra nё Tiranё“. Ura qё lidhte qytetin me rrugёn nacionale e quanim herё ura e rrugёs sё Tiranёs dhe herё ura e Drinit tё Zi sepse kjo urё ishte e ndёrtuar nё derdhjen e lumit Drini i Zi. E njёjta gjё ishte edhe pёr urёn tjetёr qё gёzonte emrat binare Ura e Hasit apo e Drinit tё Bardhё. Sot e kёsaj dite kёta ura janё nё gjёndje shumё tё mirё dhe kanё njё panoramё piktoreske, por pёr atё kohё kёta ura listoheshin nё rangun e urave mё tё mёdha tё Shqipёrisё.
Urat, si pikat lidhëse, rrethonin qytetin dhe siguronin transportin e njerёzve dhe mallrave nё drejtim tё qyteteve dhe zonave tjera. Pёrveç funksionit ekonomik dhe atij tё komunikacionit kёta ura i jepnin dhe njё hijeshi kёtij qyteti nё formё gadishulli qё rrethohej nga të tre anёt me ujё. Për herë të parë u hodh ideja pёr tё kryer transportin ujor nё kёtё minigadishull. Ulrich Neumann, një aktor dhe muzicien danez ka një citat interesant rreth kësaj teme:
“Zbulimi i varkёs vlen si gur kilometrazhi i zhvillimit tё njerёzimit. Me anijen dhe tё gjitha llojet e saj njerёzit pushtuan lumenj, liqene dhe dete ndёrsa lundrimi nёpёrmjet tyre bёri bashkё shumё kultura, por mundёsoi ama edhe rrugё tё reja nё zhvillimin e luftёrave“.
Natyrshëm bëhet lidhja mes dy koncepteve anija me temёn dhe qytetin gadishull, i cili pas urbanizimit i duhej tё shfrytёzonte transportin ujor, bashkё me tё edhe liqenin. Pёrfundimisht u hodh ideja e integrimit tё anijeve dhe trageteve pёr tё realizuar transportin ujor sepse shumё zona dhe fshatra ndodheshin ende larg rrugёve automobilistike. Nё radhё të parё ishte që Kukёsi të lidhej me zonёn e Tropojёs, qё nёpёrmjet transportit ujor kjo do të ishte mё komode dhe praktike nё sensin e kostos sё kohёs dhe sё dyti ishin edhe zonat e tjera tё Kukёsit pёrgjate kёtyre brigjeve qё kishin nevojёn e transportit dhe komunikimit me qytetin. Pёr kёtё u ndёrtua anija ne portin detar tё Durrёsit nga konstruktorёt dhe zbatuesit e ndёrtimit tё kantierit detar, qё u pagёzua me emrin anija “Drini“, e cila mё pas do tё vijonte me anije tё tjera.
Po si erdhi kjo anije nga Durrёsi nё Kukёs, nga zona bregdetare tek ajo malore?
Nga materialet arkivore si dhe nga narrativat e timonierit tё anijes Drini (T.M) kjo anije u transportua nga Durrёsi në Kukёs brenda 22 ditёsh, duke pёrshkuar itinerarin Durrёs-Fushё Krujё-Lezhё-Vau i Dejёs-Pukё-Kukёs. Transporti i anijes ёshtё realizuar nga njё staf prej 20 personash, specialistё nga kantieri detar i Durrёsit tё kryesuar nga Met Dervina, por dy prej tyre ishin nga qyteti i Kukёsit. Njёri prej tyre ishte motorrist (G.K) ndёrsa tjetri ishte timonieri i ardhshёm i anijes Drini, i cili ishte specializuar dhe shkolluar nё Durrёs nё fushёn e navigacionit. Ky udhёtim tё zhvendos nё imagjinatёn e filmave me personazhe Jack Sparrow dhe Jon Silver qё enden me anijet e tyre pas ishujve tё thesareve. Krejt ndryshe nga kёta, kjo anije tashmё e kishte gjetur molin e saj dhe i kishte mbetur vetёm rituali i pёrurimit, i cili u krye në shtator të vitit 1982.
Ceremonia e inagurimit u zhvillua nё vendin e ankorimit tё saj nё breg tё liqenit tё Kukёsit, nё tё cilёn kishte njё pjesёmarrje masive tё organizuar nga organet shtetёrore dhe lokale, ku pёrfshiheshin ndёrmarrjet ekonomike, parku i mallrave, nxёnёs tё shkollave si edhe tё deleguar nga Ministria e Komunikacionit. Nё fjalimin e inagurimit ndёr tё tjera u tha: “Punonjёsve tё Parkut tё Kukёsit e qytetarёve u shtohet njё gёzim tjetёr, ai i marrjes nё dorёzim tё anijes sё re Drini, e cila fuqizon akoma mё tej bazёn e transportit ujor”.

Kjo fjali ёshtё shkёputur nga njё kronikё radiofonike e asaj kohe, nё tё cilёn pasqyrohet inagurimi i anijes Drini, dhe paralelisht shquhet mjaft mirë edhe realizimi i ankorimit tё saj. Lidhur me kёtё rast sipas timonierit, kjo anije u zbarkua saktёsisht nё Ramhas nёpёrmjet njё teknike rrёshqitjeje nga kamionat direkt nё breg tё liqenit. Menjёherё pas inagurimit anija Drin do tё fillonte punёn pёr transportin e pasagjerёve nga Kukёsi pёr nё Fierzё. Mёnyra e udhёtimit dhe itinerari i rrugёs janё mjaft interesante dhe utilitariste. Anija Drin me kapacitet 100 vende do tё kryente pёr çdo ditё linjёn Kukёs-Fierzё, ku nisja do tё bёhej nga Kukёsi nё orёn 07.30 tё mёngjesit dhe mbёrritjen nё Fierzё nё orёn 15.30, dhe do tё kthehej po nga Fierza brenda ditёs pёr nё Kukёs. Udhёtimi i kёsaj linje ujore bёhej nё formë zig-zagu nga e djathta nё tё majtё tё brigjeve tё liqenit, duke pёrshkuar stacionet Kukёs-Myç Has-Metaliaj-Shtanё-Brenogё-Shikaj-Vaspas-Helshan-Kosturr-Trun-Berishё e deri nё Fierzё.
Ky udhёtim për në vajtje zgjaste 4 orё pёr shkak se trajektorja stacionare ishte nё formë zig-zagu dhe stacionet ishin të shumtë nё numёr pёrsa i pёrket gjatёsisё. Timonieri T.M na dёshmon se rruga nё vijё ujore ishte vetёm 22 milje dhe po tё udhёtonin nё vijё tё drejtё kjo rrugё pёrshkohej pёr dy orё, por duhej tё pёrshkoheshin tё gjitha stacionet. Duket e qartё ana funksionale e praktike e kёtij lloj transporti sepse i shёrbente tё dy zonave relativisht tё mёdha tё qytetit tё Kukёsit, pra njё pjesё e konsiderueshme e Hasit dhe zona Malzi, duke pёrllogaritur edhe transportin ndёrqytetas mes Kukёsit dhe Tropojёs.
Bileta Kukёs-Fierzё kushtonte 100 lekё nё atё kohё. Monedha shqipёtare asokohe kishte vlerё tjetёr, dhe 100 lekё ishin vetёm 100 lekë, aq sa shifra e shkruar, pa implikacionet e sotme tё reja dhe tё vjetëra. Kurse bileta Kukёs-Helshan kushtonte 50 lekё pasi stacioni i Helshanit konsiderohej si gjysma e udhёtimit ndёrsa stacionet e tjera e kishin po njё çmim standart 10 lekë nga stacioni në stacion. Pёrpos transportit të udhëtarëve anija kishte edhe shёrbim ambulant ku tregёtoheshin pije tё nxehta, tё ftohta dhe alkolike. Pra kjo anije bashkoi brinjët e njё trekёndёshi destinacionesh lokale dhe urbane, e cila lidhi jo vetёm fizikisht kёta linja por edhe kulturalisht. Anija Drini ka shёrbyer edhe pёr oguret e mira, si nё raste dasmash, ku ka vlejtur edhe si altar i martesave anipse kjo sot tingёllon tepёr luksoze dhe romantike.
Edhepse anija Drini ishte protagonistja e transportit tё pasagjerёve, pёr njё kohё tё shkurtёr iu bashkangjitёn edhe anijet tjera si anija “Ilir Kocija“, emri i tё cilёs i atribuohet kontribuesit dhe ideatorit Ilir Kocija nё sektorin e kantierit detar tё Durrёsit, si dhe anija tjetёr 20 vendёshe qё shёrbente po pёr transport pasagjerёsh. Nё fjalimin e pёrurimit tё anijes Drini, drejtori i kantierit detar thekson ndёr tё tjera, qё anijes Drini nё njё tё ardhme tё afёrt do t‘i bashkohen edhe anije tё tjera, qё do tё shёrbenin edhe pёr transportin e mallrave pёrveç atyre tё pasagjerёve. Nё tё vёrtetё edhepse pёr njё periudhё relativisht tё shkurtёr kёta anije kanё kryer edhe transportin e mallrave qё zhvillohej nga Fierza dhe nga Helshani. Madje në dimrin e acartё tё vitit 1985 anijet depozituan lёndёn drusore qё e merrnin nga dega e madhe e furnizimit me dru nё Helshan pёr nё qytetin e Kukёsit sepse atёherё ishte krizё pёr lёndё zjarri pёr shkak tё dimrit tё akullt. Rekordin e sasisё sё transportit drusor kёta anije e arritën nё kёtё dimёr duke transportuar 200 metër kub dru nga Helshani nё Kukёs.
Nё kujtimet e tij timonieri T.M kujton nё mёnyre modeste sakrificёn e të gjithё stafit dhe punёtoreve pёr transportimin e pasagjerёve me anijen e “kristaltё“ nga Kukёsi pёr nё Fierzё, nё dy kulminacionet e dimrit tё vitit 1985.
“Kemi bo dy dit e dy net tu ça akullin me anije pёr me shku n‘Fierz. Trashësia e akullit kishte arrit gati gjys metri. Me sa e maj men un kur e çashim akullin komplet vene-vene, na kёrcejshin peshqit pёrpjet, disa prej tyre bijshin në hollin e anijes. Edhe peshqit kan merdhif n‘kёt dimёn tё tmerrshёm“.
Ky staf nё tёrёsi prej 25 personash pёrbёhej nga timonierё, mekanikё, asistentë, motorristё etj. Disa prej tyre ishin tё kualifikuar nё kёto sektore ndёrsa njё pjesё tjetёr mёsonte nga eksperienca e mё tё kualifikuarve. Nuk duhet harruar pa pёrmendur se nё disa raste anija 20-vendёshe kryente transportin e pasagjerёve nё mёnyrё sporadike nga Kukёsi pёr nё Pёrbreg dhe Morinё, pra nga kahu tjetёr i liqenit.
Pёrveçse transportit publik dhe tё mallrave kёto anije kanё qenё pjesё edhe e turizmit tё brendshёm si dhe kishin funksionin argёtues, ku ndёrmarrjet e qytetit dhe shkollat organizonin udhёtime, pikniqe dhe shkёmbenin eksperienca me ndёrmarrjet e rrethit tё Tropojёs. Por nga fundi i viteve 80‘ Shqipёria po dilte si ngadalё-ngadalё nga rrjeta e izolimit dhe anija Drini bashkё me të tjerat patёn fatin tё pёrjetonin dhe turizmin e jashtёm. Punonjёsit e anijes kujtojnё se ishin tё shpeshta udhёtimet me turistё tё huaj nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe Kina, tё cilёt mahniteshin me kёtё peisazh natyror. “T’bome prej dorёs Zotit“, – thonin ato, edhepse liqeni ishte artificial, por nё konturet e ekzotizmit.
Pas ndёrrimit tё sistemeve Kukёsi u pёrball me ndryshimin dhe sfidat e neolibarilizmit, qё çoi nё njё lёvizje masive tё popullsisё pёr nё qytetet e mёdha tё Shqipёrisё, si dhe jashtё kufinjve të vendit. Kёta faktorё zbehen edhe kёtё transport ujor, megjithёse me kёmbёnguljen e disa prej moikanёve tё stafit tё anijes ia dolёn ta mbanin gjallё linjёn deri pas viteve 90‘. Kjo pёrpjekje dёshtoi plotёsisht pas vitit tё mbrapshtё 1997, duke i kthyer anijet nё iluzione tё humbura.
Teksa bisedoj me shumё bashkёqytetarë tё brezave tё ndryshёm mbi transportin ujor, dёshira e tyre e pasjes sё këtyre mjeteve pёr tё shfrytёzuar e shijuar asetet e mrekullueshme turistike të qytetit ёshtё ngёrthyer pas kangjellave tё “Sikureve“. Me njё pulitje qepallash dhe ngritje supesh mё shfaqen imazhet e anijeve perёndimore me gjallёrinë e sirenave, minitregjeve dhe thirrjet promotore qё pёrcillen nga reklamuesit në uniforma marinarёsh.
***Gerlus***
