6 llojet e beterrave social që frenojnë zhvillimin kulturor të Kukësit

-

Politikat për zhvillimin ekonomik të qytetit nuk janë drejtpërdrejtë në duart e qytetarëve por qytetarët nga ana tjetër kanë në dorë pushtetin për të zhvilluar kulturalisht qytetin dhe për të luftuar disa modele jo të shëndetshme për shoqërinë:

1.Beterrat automobilistik

Këta i njohin pothuajse të gjithë qytetarët pasi i shohim shpesh duke u vërdallisur në rrugët e qytetit. Janë ata që tejkalojnë shpejtësinë në çdo rrugë urbane, rurale, interurbane, autostradë, por më shqetësuesja është brenda qendrave të banuara, ku ka prezencë fëmijësh. Në kulmin e mirësjelljes dhe dashamirësisë së tyre ata të lëjojnë të kalojnë në vijat e bardha por edhe këtu marrin hov dhe ndalojnë mu pak centimetra larg këmbëve tua dhe bëjnë shenjë me dorë: “kalo, kalo”. Shpeshherë këtë gjestikulacion e shoqërojnë me nerva e irritim nëse ti nuk vendos të kalosh apo nuk e kupton paraprakisht pjesën që ai po të respekton duke ta lejuar ty këtë kalim. Këta tipa nuk harrojnë as të ndalojnë në mes të rrugës dhe të komunikojnë me të tjerë që i njohin, miq, shokë, të afërm, partner biznesi. Në këtë ndalesë ata nuk shfaqen të shqetësuar, përkundrazi eksitohen, nuk i shqetëson aspak gjatësia e rrjeshtit të makinave a trafikut që krijohet, madje ka raste që nëse dikush i bie borisë, ata nuk ngurrojnë të shikojnë në pasqyra se kush është ai që po i bie borisë, të shohin targat a llojin e makinës. Ata janë nuhatës shumë të mirë të rreziqeve të mundshme që i kanosen. E dinë që një makinë e shtrenjtë me gjasa mban brenda një pronar që ka pushtet ose dikë që nuk duron e t’i “fal” këto gjeste. E dinë që një makinë me xhama të zinj mban brenda mister, forcë, afërsi me pushtetin etj. Pjesa ironike gjatë kohës së ndalesës qëndron në faktin që bisedat e tyre janë krejt të rëndomta dhe të parëndësishme si përshembull pse nuk më pe atë ditë te lokali se isha ulur afër banakut por me shpinë nga televizori, kur do të takohna nej ditë për kafe, t’i rashë dje borisë por s’më dallove etj. Ata harrojnë që këto biseda sot mund të bëhen shumë thjeshtë në një moment tjetër në telefon ose që shpeshtësia për t’u parë me dikë në një qytet kaq të vogël sa Kukësi është më e lartë sesa ajo e pickimit nga mushkonja në periudhën e verës.

2.Zaptuesit e kateve të para

Ata kanë zakonisht në hipotekë a proces legalizimi një banesë prej jo më shumë se 66 metër katrorë por duan më shumë dhe si rrjedhojë dalin jashta kufinjve legal. Për të zaptuar më shumë tokë, varësisht reputacionit, ata gjejnë metoda fine implicite dhe eksplicite për të arritur këtë qëllim si mbjelljen e pemëve dekorative, rrethimin me gardh, me hekura, kangjella, krijimin e një parkingu privat, stivimin e druve, vendosjen e ca tubave hidraulik a kabuj elektrik që janë të amortizuar dhe jofunksional tashmë por nuk i dihet se kur mund t’i hyjnë në punë, vendosjen e pompave të ujit, nxjerrjen e çdo pajisje të mundshme kaba elektronike apo të mobilimit që nuk punon më apo vendosjen e telave për të tharë rrobat. Ata harrojnë që hapësira përballë shtëpisë së tyre është pronë publike dhe menaxhimi i takon njësisë vendore pa marrë parasysh këtu kompetencat e brishta dhe të dobëta të këtyre të fundit për të menaxhuar këto hapësira.

3.Përdoruesit e fjalorit banal në publik

Sot, si rrjedhojë e ndikimit dhe përdorimit në masë të rrjeteve sociale është rritur edhe numri i përdoruesve dhe sharësve publik në Kukës. Krahasimisht me disa vite përpara vihet re dhe ulja e moshës të të rinjve që përdorin fjalor banal mes grupeve të bashkëmoshatarëve. Përpara ky ishte si një atribut dhe shprehi e të rriturve, adoleshencës së vonë ndërsa sot është shumë e lehtë të gjesh edhe mes fëmijëve dhe moshave të njoma, 7, 8 apo 10 vjeç. Ndikimi i rrjeteve sociale dhe përdorimi i internetit është aq i lartë sa kjo ka ndikuar dhe në spektrin gjinor, duke përfshirë edhe vajzat në këtë mesele të mbrapshtë. Sot vajzat shajnë po aq sa djemtë, në mos më vrullshëm ndonjëherë. E shara dhe fjalori banal nuk është aftësi, nuk kërkon talent e as shpreh forcë. Ky lloj komunikimi nuk tregon emancipim. Në lëvrimin e këtij zharni të ulët komunikimi duhen konsideruar më vete dhe veçantitë kulturale të qytetit, të cilat deri vonë nuk përkrahnin e nxisnin këtë lloj komunikimi. Këta tipa shpenzojnë shumicën e kohës duke ndjenjur kot. Ata mendojnë që nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj shoqërisë. Ata nuk kanë dijeni ose nuk duan t’ja dinë që në qytet ka një bibliotekë, që në qytet ka një qendër rinore, që ka organizata që angazhojnë të rinjtë në projekte brenda dhe jashtë vendit, që qyteti ka intelektualë, muzicien, instrumentist, shkenctar, a biolog dhe se kontaktet e shoqërimi me ta nuk është i vështirë në një qytet të vogël sa i yni. Shoqërinë e përceptojnë si një koncept të limituar e preciz që përfshin vetëm ata dhe shokët e tyre të ngushtë. Kanë dëshirë të qëndrojnë kafeneve, të bëjnë biseda rreth politikës qëndrore, të komentojnë kronikën “Gossip” në qytet dhe të hartojnë plane të mëdha biznesi për të konkuruar (gjithmonë me pozita monopolistë) në treg. Ata shajnë dhe kur kalojnë prindër me fëmijë të shoqëruar në rrugë, në tregun e fruta-perimeve, poshtë pallateve, në kafene, përballë shkollave, kopshteve, a grumbullimeve të tjera masive. Shajnë dhe nuk u skuqet fytyra. Kanë sedër por nuk e vënë në punë. Kanë mundësi të jenë të kulturuar por nuk u pëlqen. Të jesh me kulturë, të jesh i qetë në publik dhe të respektosh hapësirën tënde është dobësi. Kur janë të shoqëruar preferojnë të përdorin një gamë më të gjërë të fjalëve të pista që indikojnë organet gjenitale dhe aktet seksuale.

4.Drejtorët dhe nëpunësit shtetëror arrogant

Kjo është kategoria më toksike dhe e dëmshme që mund të ekzistojë në një qytet me 16.000 banorë. Gjetja e një punë, në një vend të botës së tretë natyrisht që është një moment i rëndësishëm në jetën e njeriut dhe ndonjëherë përjetohet si luks. Vazhdon ende të jetë jo e lehtë gjetja e një pozicioni vakant pune në qytet, si punëtor krahu, shitës, kasier apo shofer. Punësimi në organet e aparatit shtetëror ende dhe sot përceptohet si një ngjitje në altar për shumë studentë, të rinj, që janë ushqyer nga familja a rrethi i ngushtë me mendësinë që punësimi në administratën shtetërore të jep të ardhura të sigurta dhe qëndrueshmëri. Drejtorët dhe nëpunësit arrogant ecin gjithmonë me kokën lart. Ndonjëherë, me ose pa vetëdije, bëjnë pjesë në të gjitha kategoritë e sipër dhe poshtëpërmendura. Drejtorët, sidomos ato që e nisin punën e tyre të parë me këtë zanat, pra nga student në bankat e fakultetit, privat a publik e direkt në postin e drejtorit, mendojnë që ky është një pozicion që ata e meritojnë/merituan. Ata gëzojnë respektin e anëtarëve të fisit dhe të komshinjve të të njëjtit kat në pallat. Kur iu kërkon një shërbim a shpjegim për mohim të shërbimeve të flasin por nuk të shohin në sy dhe zakonisht këtë përgjigje e japin gjithmonë në dy momente: ose duke zbritur shkallët e objektit ose duke kyçyr derën e zyrës. Nuk përpiqen asnjëherë dhe as u shkon ndërmend të përmirësojnë sistemin e shërbimit ku ata bëjnë pjesë e shërbejnë qoftë ky shëndetësor, arsimor, kulturor, shërbime sociale etj. Ata zakonisht e mësojnë se çfarë është “Bordi” në vitin e katërt të punës, pak përpara se të pushohen a largohen nga detyra. Kjo është një fazë e rëndë zhgënjimi dhe ligështie për ata, pra kur mësojnë që nuk kanë pushtet absolut. Shkruajnë fjalime, ose ua shkruajnë të tjerët (zakonisht punonjësit vartës) sa herë që një “i jashtëm” viziton bashkinë. E kanë shumë të vështirë të bëjnë artikulime të zgjatura, të arsyetuara, rrallë përdorin aforizma dhe asnjëherë analogji. Ata që janë beqar dhe kanë statusin e drejtorit mendojnë që është shumë më e lehtë për me gjet nuse, madje me shkollë dhe më të mirën që ka fisi.

5.Të fortit e lagjeve

Kjo është pjesë e pandarë dhe e pashmangshme e zhvillimit të shoqërisë. Rrallëkujt i pëlqen të merret a përballet me ta. Ky është një pozicion që në disa raste është i trashëgueshëm, pra janë prindërit ata që ua mësojnë fëmijëve, ose më saktë janë fëmijët që kopjojnë sjelljen e prindërve të tyre. Ky status social jo domosdoshmërisht lidhet me familje të cilët janë të veshura me pushtet, të pasura apo që kanë lidhje të ngushta me persona që punojnë në sistemin e administratës shtetërore. Me t’dal zani në një qytet me shtrirje gjeografike veri-jug prej 1.5 km nuk do shumë mund. Dimensioni gjeografik i qytetit të Kukësit përbën automatikisht një avanatazh për ata, pasi e kanë më të lehtë të njihen dhe “legjitimohen”. Të fortit e lagjeve vdesin të dëgjojnë histori me të fortë të tjerë që kanë ekzistuar përpara tyre dhe kanë bërë bëma në qytet, që këto lidhen drejtpërdrejtë me mënyra të veçanta kërcënimi, rrahjesh, komplotesh, përballje me policinë, gjykatën apo vendin e ekzekutimit. Ata kanë dëshirë të identifikohen me ta.

Një karakteristikë e vrasësve profesionistë është që ata kurrë nuk bëhen objekt sherresh të rëndomta dhe se shfaqin qetësi dhe kulturë kundrejt komshinjve (market, rrugë, ashensor) ndërsa me të fortit funksionon krejt e kundërta. Ata mezi presin të gjejnë një shkak për tu zënë. Madje edhe kur nuk ekziston shkaku ata e krijojnë vetë atë. E shpikin atypëraty. Zakonisht gjejnë për pre njerëz që janë më të suksesshëm se ata, në punë, në jetë, në marrëdhëniet me vajzat. Zakonisht fundi i tyre vërtitet rreth një game shumë të ngushtë përfundimesh fatale: të varur nga alkoli dhe drogërat, aksidente, të vetmuar, pa status të qëndrueshëm social etj.

6.Dreqnit ambientalist

Këta janë kategoria sociale më përtace e shoqërisë. Rruga më e gjatë për ata është aksi rrugor nga aty ku janë deri tek koshi i mbeturinave. Atyre iu duket gjithmonë larg një kosh mbeturinash. Koshin e konsiderojnë një mjet pastrimi dhe grumbullimi inertesh që funksionon vetëm brenda shtëpisë së tyre. Ndërsa ata kosha që janë jashta pragut të derës janë thjesht për dekor njëjtë si pëmët, trotuaret, stolat etj. Maksimumi i ndjeshmërisë ambientaliste është rruga deri te koshat e mëdhenj të lagjes por jo tek ata që janë të lokalizuar në rrugët e qytetit. Politikat dhe projektet ambientaliste as që iu dalin ndonjëherë në kryefaqen e rrjeteve sociale të tyre pasi këtë ata e kanë të mbushur me faqe modelesh, këngëtaresh dhe cucash që deshen cullak. Ironikisht, ata kanë para dhe janë llupsit më të mëdhenj publik. Marrin dhe konsumojnë produkte fast-food, blejnë tek marketi i lagjes. Pinë dhe duhan shpeshherë. Pinë, hanë, tymosin dhe mbeturinat i hedhin mu pasi kryejnë procesin e shenjtë fiziologjik: të mbushurit e mullës. Nuk iu bën përshtypje një paketë cigare mbi asfaltin e pastruar. Nuk iu vret sytë një qese çokollatë mbi barin që gjelbron parkun e qytetit. Nuk e shohin të arsyeshme të kritikojnë fëmijën e tyre që hedh mbeturinat kudo përveçse në koshin e plehrave. Të nënqeshin nëse iu kujton që edhe xhepi i pantallonave mundet të shërbejë provizorisht si kosh kur nuk ke kosha afër apo je në periferi. Toka iu duket ambient i huaj. Ngrohjen globale e përceptojnë si një problem që iu përket shteteve të huaja, të fuqishme e të largëta si Amerika.

Arben Vata
Arben Vata
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit. Ai mbulon çështje me rëndësi sociale dhe kulturore për komunitetin. Ai është edhe lëvrues i gazetarisë argëtuese.

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit