Malziu izolim brenda izolimit

-

Tahir Brija, i ulur në baçen e tij me një kapele mbi kokë, teksa më shikon duke hapur derën prej druri ngrihet në këmbë. “Dal përdit nga shpia deri ktu nuk rri asnjë ditë myll dhe ujis rrusht. Në Kuks asnjë ditë nuk kam dal.” Tahiri, pensionisti 74-vjeçar, është nga Shemria. Ai si të gjithë banorët e zonës e kalon kohën duke u përkujdesur për bimët dhe duke qëndruar nën freskinë dhe bukurinë që natyra i ka falur Shemrisë.

Ndodhemi në krahinën e Malziut, aty ku dikur kalonte rruga nacionale Kukës-Tiranë. Me qendër në fshatin Shemri, ndodhet në veriperëndim të qytetit të Kukësit rreth 35 km larg këtij qyteti. Gjatë kohës së regjimit komunist qendra e kësaj krahine kishte më shumë zhvillim, ndërsa në periudhën postkomuniste duket se vendin e ka përfshirë zymtia dhe harresa nga pushteti vendor i zonës. Periudha e e komunizmit e ktheu Tahirin pas në kohë.

Me nostalgji i kujtohet jeta e dikurshme: “Në komunizëm ka pas kpuctar, rrobaqepës edhe berber. U zhdukën mrapa se u ban privat krejt”. Si për të na treguar se dikur këtu jeta jehonte nga gjallëria, drejtohet me gisht drejt një kodre. ”Qershia është krejt ajo kodër, i ka pas mjell koperativa bujqësore në atë kohë.

 Aseset e mëdha natyrore që zotëron kjo zonë duke filluar që nga malet, natyra e virgjër, pemët e ndryshme deri tek ajri i pastër dhe uji i kristaltë, asnjëherë nuk e tërhoqën vëmendjen e politikës për ta kthyer kthyer krahinën e Malziut në një atraksion turistik. ”Nuk kan ba asnjë investim. Hiç, hiç! Vinë vetëm kur të jetë puna e fushatave, për vota vetëm” ,-shprehet Brija, pa e fshehur indinjatën. Sipas Brijës, në krahinën e Malziut nuk ka as turistë dhe kjo ndodh edhe për shkak të ndërtimit të Rrugës së Kombit. ”S`ka ardh asnjë turist këtu! Nuk vijnë këtu se është zonë e shkretume, nuk ka mbështetje nga qeveria për ta kthy në vend turistik,” shjegoi ai. ”Përpara ka pas zhvillim, ka pas gjallni, lëvizje, nuk kalonte 5 minuta pa kalu një makinë. Tani rri tan ditën nuk kalon asnjë makinë.” ,-shtoi Tahiri me keqardhje.

Emigracioni masiv për shkak të varfërisë në këtë zonë, duket se e ka venitur shpresën e atyre pak të rinjve që kanë ngelur, për të jetuar në Malzi. Ndryshe nga banorët e tjerë që janë larguar, ai nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga vendlindja. Gjatë kohës kur fliste mbante ndër duar një krande, që e rrotullonte sa nga njëra anë, në tjetrën, si për të na treguar lidhjen e fortë shpirtërore që ka me këtë vend. ”E kam vendos me nejt këtu, kam pas mundësi me ik dhe nuk kam ik. Ktu kam le, ktu du me dek.” ,-shprehet me këmbëngulje. Pasi e përfundova bisedën time më Tahirin, pak metra më tutje eca në këmbë për tek rruga e asfaltuar e fshatit, Shemri.

Gjatë ecjes të bien në sy lëvizjet e pakta, pothuajse fare. Në vendin kur dikur vizitohej nga etnografja dhe studiuesja anglez, Edith Durham dukej sikur jeta kishte ndaluar. Të bën përshtypje se fshati kishte shumë ndërtesa të vjetra, në gjendje të mjerueshme. Lokalet e pakta që ndodheshin aty ishin të mbyllura, dëgjohej vetëm “zhurma” e së kaluarës, “ç`thotë partia bën populli, ç`thotë populli bën partia”, hijet e së kaluarës dukej sikur kalonin ende mbi muret e ndërtesave të qendrës së kësaj krahine. Dukej sikur muret e ndërtesave të vjetra flisnin, por askush nuk i dëgjonte, kalonin në vesh të shurdhët. Hapur qëndronte vetëm Qendra Shëndetësore “Muharrem Isufaj”, ku takohem me infermieren e fshatit, Luljeta Shytin.

Me maskë dhe doreza në duar qëndronte në vijën e parë të rrezikut në këto ditë pandemie. Sytë e të gjithë banorëve të zonës janë drejtuar tek personeli mjekësor i Qendrës Shëndetësore. “Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast, presim gati jemi për çdo gjë,” shprehet me vendosmëri infermierja. Sipas Luljetës banorët po e respektojnë distancimin social, por shqetësues është fakti se maskat dhe dorezat nuk po përdoren shumë.

“Kemi parë edhe që kanë vënë edhe që s`kanë vënë dorezat. Në dyqan kur shkojnë të blejnë e respektojnë distancën nga njëri-tjetri.” ,-thotë Shyti, e shqetësuar.

Lëmë pas Shemrinë, për të marrë një tjetër rrugëtim, sa të largët, po edhe aq të afërt. Pasi përshkova rreth 500 metër rrugë të asfaltuar me makinë, kthehem në anën e djathtë në dalje të fshatit Shemri për tu futur në një rrugë tjetër, kësaj here të paasfaltuar. Gjatë rrugës hasa në një ndërtesë nën rrënoja, e cila kishte shërbyer si repart ushtarak gjatë komunizmit. Një melodi më shoqëroi në një pjesë të shkurtër të rrugës, uji i përroit fare pranë rrugës tingëllonte si një melodi e lehtë shpirtërore. Rreth 5 minuta zgjati udhëtimi për të mbërritur në një parajsë tjetër, që zoti dukej sikur e kishte pikturuar me dorën e tij.

Kemi arritur në fshatin Mgullë, i cili shtrihet në shpatin verilindor të Malit të Mgullës, në të dy anët e rrugës automobilistike Kukës-Tiranë. Që në pamje të parë magjepseshe nga bukuria dhe përroi që e rrethonte të gjithë fshatin në një formë “U-je”. Tokat nga lart ishin të sistemuara, të punuara. Mesa duket jemi në sezonin e mbjelleve! Aty kuptova që mendja ime njerëzore nuk po i rrokte dot fjalët, përballë kësaj mrekullie natyrore.

Për të na njohur më tepër me fshatin Mgullë, takohem me Mehmet Hilën, banor dhe pjesëtar i një familje me tradita dhe mikpritëse në krahinën  e Malziut, ose siç e quajnë banorët e zonës “Shpia e Sheqer Mules”. “Unë kam pas dyzet vetë n`shpi, në kohën e eksodit të Kosovës, në fshatin tonë të gjithë kan pas Shqiptar nga Kosova. Kanë qëndru një muaj e gjys, kanë qenë banues nga Suhareka. Mbajmë kontake akoma me to.” ,-thotë me vrull Mehmeti. Bashkë me Mehmetin duhet të zbresim pak më poshtë shtëpisë së tij për tek përroi, i cili gumëzhinte aq shumë, saqë sa më shumë afroheshim, aq edhe më të vështirë e kishim të flisnim me njëri-tjetrin.

Teksa preknim ujin e përroit me keqardhje na thotë se lumi, siç e quante ai, është i dëmtuar nga hidrocentralet. ”Gjaja ma e mirë që kena pas ne ka qenë lumi, tashi asht shumë i damtum nga hidrocentralet. Atëhere lumi ka pas të gjitha llojet e peshqve. Hidrocentralet e kanë damtu jashtë mase ujin që ka pas dikur”.

Largohemi nga zhurma e përroit qe dukej sikur me atë zhurmë kërkonte të shfaqte plagën e lënë nga ndërtimi i hidrocentraleve. E cilësuar si perlë natyrore në kohën e komunizmit, mendoja me vete se përse nuk është investuar, për të ndërtuar një fshat turistik. Mehmeti me një entuziazëm patriotik që e karakterizonte na tregon edhe për idenë që ka për Mgullën. ”Ide personale kam pas unë, me kthy shpiat në bujtina, për me rujt traditën për shkak të largimit të banorëve. Moshat e reja kanë emigru drejt vendeve të huaja, familjarë kanë ik drejt Tiranës për shkak të kushteve ma të dobëta, që kena këtu. ”Infrastruktura lë për të dëshiruar, edhe kjo dukej edhe në fytyrën e mërzitur që rrallëherë e shikoje tek ai. ”Rruga asht shumë e dobët, ka qenë ma mirë në kohën e komunizmit se sa sot.” ,-shprehet Mehmeti me keqardhje.

Sa më shumë bisedoja me Mehmetin zbuloja edhe më shumë rreth Mgullës. Një mal i madh ngrihej mbi fshat, mali me gështënja. “Një gja shumë e mirë që kemi si zonë asht mali i madh me gështenja. Nuk është vu dorë kohët e fundit në mirëmbajten e tij, është drejt degradimit nga moskrasitja, mossistemimi.”

Gëzim Hilaj

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit