Safet Gjicin e kemi parë shpesh duke hequr mënjanë mbeturina në qytetin e Kukësit. Kryetarin e Bashkisë së Kukësit e kemi dëgjuar edhe duke bërë gafa dhe lapsuse në fjalimet e tij, para kamerave të porositura ose jo, me dhe pa skenar të përgatitur. E kemi parë edhe duke bërë rolin e presidentit të skuadrës së Kukësit. Në pamje të parë kjo gjë mund të duket krejt normale, por kur kjo kryhet shpesh përpara kamerave kthehet në një stil qesharak dhe të pakëndshëm për qytetarin, një model alla Erion Veliaj. Ndryshe nga Veliaj, i cili propagandën e luan më mirë, Gjici i ngjan një studenti të papërgatitur që mundohet të kopjoj fletën e shokut të bankës ngjitur.
Gjici me anë të një videoje të orkestruar u shfaq në rrjetet sociale duke hequr mënjanë mbeturina aq sa shkoi deri tek hyrja e një pallati për të treguar “thjeshtësinë” e tij dhe hoqi shapkat e familjes rezidente në katin e parë. Një kryetar pro mjedisit e kemi parë shpesh me Veliajn. Sa herë që ndizen kamerat ai vishet “sport”, merr një aktor të njohur, mbjell pemë dhe buzëqesh përpara kamerave. E kur kamerat fiken nis betonizimi i asaj pak hapësire të gjelbërqë i ka mbetur kryeqytetit. Të shumta kanë qenë memet në rrjetet sociale që kanë në fokus kryetarin Gjici. Kompanitë prodhuese mediatike të memeve janë ata që ndjekin të parët postimet e Gjicit, me një shpejtësi më rekord sesa punonjësit e administratës së bashkisë që i japin “share” çdo postimi të kryetarit në rrjetet e tyre private sociale.
Pse nuk po funksionon modeli imitues i Safet Gjicit?
Shumatorja e gjitha roleve që ka shfaqur para publikut Safet Gjici është mungesa e retorikës dhe e oratorisë. Shumë prej jush mund të pyesni se çfarë i duhet retorika një kryebashkiaku, i cili punën e tij mund ta tregojë me vepra dhe jo me fjalë. Në fakt retorika fillesat e saj i ka që në Greqinë e Lashtë. Aristoteli e përkufizonte retorikën si: “Zotërimi i artit ishte i domosdoshëm për fitoren në një çështje gjyqësore; ose për miratimin e propozimeve në kuvend”. Ai e quante ndryshe si ndërthurje e shkencës së logjikës dhe e degës etike të politikës. Politikës nuk i duhen njerëz që flasin filozofi por ato që flasin thjeshtë dhe bukur që të kuptohen nga masa.
Një forcë të madhe në komunikimin politik e luan edhe roli i kamerave në mediatizimin dhe përcjelljen e mesazheve politike tek elektorati. Fakti që tani komunikimi politik është çmediatizuar, Safet Gjici shpesh e përdor faqen zyrtare të Bashkisë Kukës për të komunikuar për investimet e tij në rrethin e Kukësit. Në datat 16 dhe 17 Mars 2022 Bashkia Kukës promovonte arritjet që rëndom jemi mësuar t`i shikojmë në politikën shqiptare: asfaltim rrugësh apo numri i shtuar i koshave të mbeturinave.
Brian McNair në librin e tij “Hyrje në Komunikimin Politik” e ndante realitetin në disa pjesë: realiteti objektiv (vetë ngjarja), realiteti subjektiv (si e përceptojnë njerëzit) dhe realiteti i ndërtuar (ashtu siç e paraqet media). Bashkia Kukës është kthyer në një lloj media lokale duke rivalizuar përmbajtjen e mediave lokale në qytetin e Kukësit, por pa ditur ta ndërtojë realitetin.
Partia Socialiste e ka patur gjithmonë në nivele të larta propagandën në krahasim me Partinë Demokratike. Për rrjedhojë kryetarët e partive socialiste siç është rasti i Gjicit nuk kanë rival të suksesshëm që të imitojnë në këtë fushë përveçse vetes së tyre.
Tashmë është një lëvizje gati natyrale dhe e njohur në politikën globale që rradhët e politikanëve vijnë nga fusha e biznesit. Pra një biznesmen i suksesshëm mund të bëhet një politikan i njohur. Kjo ishte rruga që Gjici zgjodhi në një qytet të vogël si Kukësi. Gjici mund të jetë biznesmen i suksesshëm, por në politikë çalon paksa. Sociologu gjerman Max Weber e vlerësonte si komponent kyç karizmën e një lideri.
Pavarësisht problemeve të shumta në retorikë dhe oratori duhet pranuar me modesti se Safet Gjici ka investuar dhe ka bërë ndryshime në qytetin e Kukësit dhe fshatrat rreth tij, gjithnjë sa i takon infrastrukturës pasi çështjet e tjera mbeten në nivel të disktueshëm. Sa i takon kësaj mund të thuhet që Safet Gjici po bën vetëm detyrën, por këtë detyrë nuk e bënë paraardhësit e tjerë në Bashkinë e Kukësit. Kryebashkiaku i fundit para zgjedhjeve lokale të vitit 2019 ishte një udhëtar i rregullt i rrugës Tiranë-Kukës.
Gëzim Hilaj
