Fishkëllima nga kitç në një garë romantike në qytetin e ri socialist të Kukësit

-

Fishkëllima është një tingull zanor i krijuar nga forca e përdorimit të ajrit të nxjerrë nga mushkëritë përmes buzëve ose dhëmbëve. Zakonisht fishkëllima përdoret për të tërhequr vëmendjen e dikujt por ky qëllim ka ndryshuar përgjatë viteve të historisë së saj. Ekzistojnë shumë shprehje e fraza popullore mbi fishkëllimën. “Fishllo, fishllo se e ke në terezi“, – është një ndër ta që e lidh këtë shprehje drejtpërdrejtë me komoditetin dhe ndonjëherë me të mosbërit asgjë. Kjo ishte një fazë ku forca interpretuese e popullit i jepte fishkëllimës këtë atribut, që rrjedhimisht ndikonte dhe në ato që e përdornin atë. Pra, nëse ti fishkëllen, ti ke komunikuar tek të tjerët që nuk ke asnjë problem, për momentin ose në perspektiva më afatgjata.

Një shprehje tjetër, antipod me atë më lart ishte: ‘‘ Nastradini kur nuk kishte ça me bo, ja niske me fishllu“. Kjo nuk kishte kuptimin e parazitizmit por të heqjes dorë nga një mision i pamundur, pra ti ke bërë gjithçka për të arritur diçka por ka gjëra të pa realizueshme. Në këtë shprehje vihet në pah retorika e të fishkëllyerit, si një fleksibilitet, pragmatizëm dhe optimizëm për të provuar veten në fusha të tjera.

Kjo shprehje nuk më ka pëlqyer dhe aq sepse gjatë procesit të fishkëllyerit më duhej të lidhja personin tim me një person imagjinar mitik, pas erës së re: Nastradinin. Kisha pak informacion mbi këtë personazh, kishte dëgjuar barcaleta, thënie nga ai dhe patjetër shumë fabula me gomarin e tij. Me naivitetin e moshës pubertare, mendoja po ç’punë kam unë me këtë personazh arkaik, aq më tepër me një gomar ndërkohë që unë jetoja në qytetin më të ri socialist të Europës (socialist nga Blloku i Lindjes), ku nuk kishte as pronë private dhe as kafshë shtëpiake. Nuk ishte dhe aq frymëzuese të mendoje Nastradinin, kur ne fishkëllenim të gjithë në kor me njëri-tjetrin dhe imitonim filmat me tema nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare si “Mëngjese lufte” apo “Tomka dhe shokët e tij”.

Por nuk ishim vetëm ne fëmijët që fishkëllenim dhe nuk ishin vetëm filmat shqiptarë inspirimi kryesor që na jepte këtë nxitje të punës në grup. Ne imitonim brezat para nesh, dikush vëllain e madh, dikush komshiun, dikush babain, ose edhe grupet rinore në qytet, që i përkisnin më shumë gjimnazistëve. Fishkëllima nga ana tjetër kishte një hierarki dhe shtrihej në disa grupe sociale të qytetit tonë, Kukësit të Ri, por kjo nuk do të thotë që ajo nuk ekzistoi në Kukësin e Vjetër, madje ajo filloi të bëhej edhe më moderne në qytetin e ri. Lind pyetja se si po bëhej fishkëllima më moderne. Së pari nuk kishte të bënte me atë kronotacionin biblik ose fetar që ajo përfaqësonte djallin sepse ne pothuajse ishim larguar nga “mbeturinat e së kaluarës“, dhe dashje pa dashje edhe në këtë aspekt fishkëllima ishte shekullarizuar. Të moshuarit thonin dikur se në rast se fishkëllen ke thirrë ‘‘largj koftin“ dhe ne atë kohë kishim heq dorë edhe nga bestytnitë.

Së dyti të fishkëllyerit u kthye në një art që përfshinte metoda dhe lloje të ndryshme të të ushtruarit. Format e shfaqjes ishin nga më e thjeshta siç ishte fishkëllima me gishta që ishte e lartë në tonalitet dhe e shkurtër në tingull. Kjo formë përdorej për të tërhequr një lloj vëmendje akute, që të bënte të reagoje në të qindtat e sekondës. Lloji tjetër ishte ajo duke puthitur gjuhën në formë vezake me sipërfaqen e buzëve por edhe kjo i ngjasonte tingullit të asaj me gishta, veçse tingulli zgjaste më shumë saqë arrihej të formohej një vijë e shkurtër melodike. Edhe kjo kishte të njëjtim qëllim si e para. Kurse lloji i tretë, më i avancuar ishte lloji i fishkëllimës fine, elegante  ajo e bashkimit të buzëve në formë rrethore , duke i dhënë një kënge melodiozitetin origjinal. Kjo teknikë e të fishkëllyerit në qytetin tonë u kthye në një “trend“ , i cili për një kohë të gjatë shërbeu si sinjal për bashkimin e grupeve të ndryshme sociale kryesisht moshat e reja dhe fëmijët.

Secili grup identifikohej me melodinë e tij dhe dihej që Grupi X apo Y, ka për sinjal këngën X apo Y. Kjo zbulohej kur një person i këtij grupi qëndronte para pallatit të shokut të tij dhe fishkëllente melodinë e preferuar dhe të dakordësuar nga grupi. Sapo shoku dëgjonte fishkëllimën dilte në dritare apo ballkon, kundërpërgjigjej po me atë fishkëllimë dhe gjestikulonte me një lëvizje të shpejtë të dorës, me nënkuptimin “Erdha për pesë minuta“. Më tej vazhdonte ky proces reaksion zinxhir ku dy nga pjesëtarët e grupit thërrisnin tjetrin dhe këta fishkëllenin në duet. Nuk kishte rëndësi se cili prej tyre ishte më i intonuari. Në këtë mënyrë dhe formë të komunikuari mblidhej i gjithë grupi.

Por cilat ishin këngët dhe meloditë që luheshin më fishkëllimë nga këta të rinjë në këtë qytet, po të ri?

Sigurisht që një pjesë dominuese ishin këngët e festivaleve te Radiotelevizionit Shqiptar, sepse ato rrihnin pothuajse gjithë kohës veshin tonë, apo nga Radio Tirana dhe Radio Kukësi.

Më interesante ishin këngët e rokut dhe të këngëtarëve kosovarë që lëvronin muzikën e lehtë në atë kohë. Qyteti ynë, Kukësi i Ri,  ishte një qytet kufitar me ish-Jugosllavinë dhe dëgjoheshin fshehtas mediat e saj si Beograd 1 apo 2. Gjithashtu dëgjonim fshehtas median e bashkëatdhetarëve tanë si Radio Prishtina dhe po ashtu kanalet televizive si Radio Televizioni i Prishtinës.

Megjithëse fshehtas ne kishim “fatin“ të rrezikonim për të qenë më të avancuar në shijet muzikore, për të degjuar rrymat rock dhe pop. Ndiheshim krenarë që ne ishim të parët që dëgjonim këto këngë të bukura shqipe, të cilat simbolizonin rininë e qytetit të ri dhe periferik. Këngët emblemë ishin të shumta  si nga repertori shqiptar e kosovar që quhej në atë kohë, tek muzika rock dhe e lehtë jugosllave e arrinte deri tek rock-u dhe pop-i europian.

Për fatin e mirë fishkëllima si sinjal i këtyre këngëve, për nga vetë lloji se si ajo i prodhon tingujt, nuk e nxirrte llojin e rrymës muzikore të këngës në pah. Ajo i jepte romantizmin një kënge rock sepse siç dihet fishkëllima ishte tradita  e artit muzikor në periudhën e Rilindjes kur instrumentat muzikore gjendeshin në një stad të paavancuar zhvillimi.

Përshembull këngët “Nuk i dua retë“, “Seleksion 039“, “Të lutem më harro“ (Hareja), “Çdo gjë vjen me vonesë e asnjëherë në kohë“ (Telex), këngët nga Haki Misini, Trix , Fisnikët, Sabri Fejzullahu, Agron Berisha, Minatori e shumë të tjerë, ishin sinjalet kryesore dhe nëpërmjet këtij arti të fishkëllyerit përcillej mesazhi dhe informacioni muzikor tabu në këtë qytet. Nuk duhet lënë pa përmendur se këto këngë tabu përveçse fishkëlleheshin ata këndoheshin në ambiente të fshehura, si skuta, qoshe pallatesh, në periferi lulishtesh nga të rinjtë. Këta ambiente nganjëherë bëheshin ambivalente me pjesën infrastrukturore publike. Kam në kujtime që këta tabu muzikore këndoheshin në muzg kur errësohej goxha edhe tek lulishtja pas tabelës së kuqe, pikërisht tek kjo tabelë ku publikoheshin të famshmet, të ashtuquajturat “Fletërrufe“, të cilat kishin përmbajtjen sarkastike, kritikë ndaj atyre që kishin tendencën për të paraqitur në shoqërinë socialiste “shfaqjet e huaja“.

Përpos kësaj, nëpërmjet këtij arti të përditshëm krijohej një garë spontane mes të rinjve se kush fishkëllen më bukur dhe kush sjell risitë e reja muzikore në komunitet. E kështu dilnin në pah dhe protagonistët që gëzonin një status tjetër për këtë lëvrim të këtij arti. Këto  “game player“ shiheshin si artistë dhe simpatizoheshin nga të tjerët.

Me këto prurje të reja fishkëllima në qytet mori trajektoren e një flirti ndaj një vajze ose siç quhej asokohe si një ndërmjetësues i një dashurie platonike. Ishte e ditur se ku banonte vajza, mbase kjo vajzë mund të ishte edhe shoqe shkolle, klase apo lagjeje dhe në mënyrë indirekte apo nihiliste i mësohej kënga e preferuar, e cila ishte e përcaktuar nga brezi. Djali që ishte i dashuruar me këtë vajzë kalonte si në mënyre spontane nga banesa e vajzës. Në shumë raste djali ishte i shoqëruar nga një shok me të cilin kishte ndarë këtë ndjenjë dashurie për vajzën dhe fishkëllente melodinë e saj të preferuar duke shfaqur të gjithë talentin e tij. Nëse në një nga dritaret e vajzës do të luante një perde, do ndizej një dritë e për më tepër do të shfaqej silueta e kësaj vajze prapa perdeve të tylit, kjo ishte domethënia e kalimit të provës së flirtit të këtij djali. Flirti i fishkëllimës vijonte më tej edhe në netët në vazhdim, ku kthehej në një sinjal dashurie, dashuri e cila kishte shumë gjasa të ngelej vetëm në kuadrin e fishkëllimës.

Tendenca të tjera muzikore mbërritën në fundvitet 80‘ ku fishkëllima si sinjal i përkiste muzikës rome, e cila erdhi si një prurje nga bashkëjetesa me komunitetet rome dhe egjiptiane në qytetin e Kukësit të Ri. Kjo muzikë lëvrohej më së shumti nëpër dasma ku instrumentistët e komunitetit rom dhe egjiptian bashkëpunonin me pjesën tjetër të muzikantëve të qytetit. Për arsye të këtij bashkëpunimi fishkëllima u kthye si një sinjal i shkëmbimeve kulturore, por edhe një konkruencë e pastër dhe të shëndetshme mes tyre.

Ndryshimet politike në vitet 90‘ përthyen pak a shumë trendin e shijeve muzikore. Kanali i huaj MTV ishte kryefjala e ditës. Gara e dijeve muzikore mori një formë më demonstrative,  por ama ishin edhe shpërthimet muzikore në muzikën shqiptare. Këta rryma ecnin paralel në vitet 90‘ e mbrapa dhe numri i garuesve spontan shtohej, përfeksionohej, por që edhe klasifikoheshin sipas rrymave të ndryshme muzikore. Nën thirrjet “Liri, demokraci“, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa“ fishkëllehej , flirtohej me Wind of Change , Final Countdown dhe “Për ca dollarë më shumë“ të Enio Morricone.

 

**Gerlus**

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit