Florin Zyberaj – Do doja të kisha një bisedë private me Ahmet Zogun

-

-Florin, faleminderit që pranove ftesën dhe erdhe…në fakt nuk erdhe në kohë. Je me vonesë.

-Faleminderit ty. Në fakt unë vij gjithnjë përpara në takime, por sot nuk e di si më iku. Shqiptarit pastaj i falet dhe kuptohet një dhjetë minutësh vonesë.

-Sot është e Mërkurë, është mesi i javës. Si kanë qenë këto ditë për ty?

-Një javë shumë e ngarkuar për shkak të volumit të punës, si edhe pjesëve të tjera të ditës që janë kthyer në rutinën e përditshme.

-Meqë jemi tek puna më duhet të them që për mua, me eksperiencat që kam pasur më përpara pozicioni që ti mban është goxha intrigues, si studiues tek Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Unë kam respekt dhe mundohem të ndjek veprimtarinë e atyre institucioneve të pavarura politike. Krijimi i ISKK në vitin 2010 në Shqipëri është një kohë e vonuar apo e pjekur mirë?

-Unë mendoj që viti 2010 ishte koha më e përshtatshme për të krijuar këtë institucion. Shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri që është mësuar të reflektojë në kohë, të ndahet nga e keqja atëherë kur duhet. Nëse ISKK do ishte krijuar në vitin 1991 absolutisht që do të ishte shumë e vështirë përmbushja e misionit, pasi ajo armatë nuk do ta kishte të mundur të bënte dekomunistizimin e vendit, distancimin nga e kaluara.

-ISKK tashmë ka mbi një dekadë eksperiencë. Kush është iniciativa me e madhe dhe kuptimplotë në këto vite?

-Që nga themelimi i tij, Instituti është angazhuar në analizimin dhe studimin e dokumentacionit mbi zbardhjen e krimeve të kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit. Instituti ka botuar disa volume të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, iniciativë të cilën vendet e Europës Juglindore nuk e kanë ndërmarrë akoma. Deri tani janë botuar disa numra dhe punohet vazhdimisht për këtë.  “Zërat e Kujtesës” po ashtu përmbledh dëshmi dhe burime nga të gjithë ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist. Këto botohen më qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe sidomos të rinjve për të kuptuar sistemin totalitar, pasi ata njohin vetëm një fraksion nga e gjithë historia e vërtetë. Dhe çështë e vërteta në tekstet shkollore flitet shumë pak për fytyrën e vërtetë të komunizmit në Shqipëri.

-Mendon që kjo është e qëllimshme, politike, pra fshehja e regjimit komunist në tekstet shkollore?

-Unë mendoj që linja zyrtare ka qenë e qëllimshme. Në teskte shkollore, fillore, gjimnaz, por edhe në fakultete regjimi komunist përmendet përciptazi dhe sporadikisht si një linjë e përgjithshme dhe është i fokusuar përgjithësisht vetëm në marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me vendet e tjera, si Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Kina dhe asnjëherë nuk përmendet sesi ka qenë i ndërtuar aparati shtetëror, ligjet, vrasjet, rezistenca antikomuniste etj.

-Këtu besoj jemi të gjithë kurioz, përfshirë dhe kjo tavolina ngjitur që po flet për teatër, a ka Shqipëria të dënuar për Komunizmin? Sa? Pse? A duhej të ishin më shumë?

-Po, pas rënies së regjimit u dënuan shumë persona dhe kjo ishte e ndarë në dy periudha, 1994 dhe 1996. Ata u akuzuan për gjenocid, për krime kundër njerëzimit. Ata dolën para drejtësisë shqiptare pavarësisht se ajo ishte e brishtë dhe nuk kishte kapacitetin e duhur. Mund të përmendim Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, Shefqet Peçi, Prokop Murra, Dilaver Bengasi, Simon Stefani dhe shumë të tjerë që i kishin shërbyer ngushtë regjimit.

-ISKK ka dhe një muze virtual. Na e përshkruaj pak më shumë.

-Muzeu ka në përbërje dokumentarë historik mbi burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Këto dokumentarë janë të ndërtuar në grafikën 3D. Këto japin informacione të rëndësishme mbi vuajtjet dhe torturat në kampe, sjelljet e nëpunësve të diktaturës, dëshmitë e të mbijetuarve dhe strukturat e kampeve. Është një punë e vështirë t’i ndërtosh në dimensionin 3D kur sot dihet që nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga ato vende.

-Ne këtu jemi në Tiranë. Mua nuk më rrihet pa u lidhur me Kukësin. Do shkojmë pak atje. Ku dallonte qyteti i Kukësit me qytetet e tjera në periudhën e komunizmit. Kishte Kukësi ndonjë nishan?

-Kukësi dallon në dy aspekte. Së pari, zhdukja e Kukësit të Vjetër dhe ngritja e Kukësit të Ri që u shoqërua me fortifikimin e qytetit, gjë që nuk e gjejmë në qytete të tjera. Kjo ndodhi për shkak të pozitës gjeografike pasi Kukësi kufizohej me Jugosllavinë. Së dyti, Kukësi dallon dhe për nivelin e numrit të lartë të dënuarve në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë. Kujtojmë që një ndër foshnjat e para që ka humbur jetë në kampet e komunizmit ishte nga Kukësi, Hume Nela, e cila ndërroi jetë në Kampin e Tepelenës më 1949, akoma pa mbushur 1 vit. Famija e saj nga Kukësi ishte internuar atje.

-Jo që kam ndonjë simpati për të, përkundrazi, por i lidhur ngushtë pas fantazisë me vjen të pyes: Si do të ishte bota pa komunizmin?

-Të gjithë vendet që i preku komunizmi përgjithësisht kanë përjetuar faza të vështira. Regjimi komunist prishi bërthamën familjare dhe rendin shoqëror. Vendet e regjimit komunist vuajtën varfërinë e tejskashme ekonomike, morale, shpirtërore, sociale dhe të gjithë ishin në terr të plotë informativ. Nëse një vend nuk do të ishte prekur nga regjimi komunist nuk mund të them që do të ishte një vend plotësisht demokratik, por të paktën do ishin të lirë. Liria e shprehjes është frymëmarrja më e paqtë e një vendi demokratik. Ajo nuk ka çmim. Këtë nuk e kishte asnjë vend komunist.

-A ke të afërm që janë akoma komunistë?

-Në rrethin tim të ngushtë familjar nuk kam, por po të dalim më tej ka plot që kanë një nostalgji të madhe për regjimin komunist. Indoktrinimi ishte i madh dhe admirimi për diktatorin ishte shumë evident. Unë deri diku i kuptoj sepse ata aty janë formuar.

-Lenini thoshte më jepni një fëmijë në tetë vitet e para të jetës ta bëj bolshevik për gjithë jetën. Këtu në Shqipëri Enveri i mbajti gjatë, për 40 vite. Kjo është me të shkatërru për breza të tërë.

-Po e vërtetë kjo që thu. Dhe e frikshme.

-Unë përpiqem të lexoj kur kam kohë të lirë. Agron Tufa më ka rënë në dorë kohët e fundit. Më vjen mirë që jam njohur me të nëpërmjet librave. Më pelqen si shkrimtar. Njëkohësisht Agroni ka qenë dhe drejtor i ISKK. Mbaj mend përveçse veprave të mira letrare dhe dorëheqjen e tij nga posti i drejtorit. Ke ndonjë koment ti për këtë?

-Unë e kam njohur profesor Agronin që kur isha student. Tek ne që e kemi njohur ai ka lënë një boshllëk si njeri i ditur dhe i kulturuar. Duke e parë realitetin në Shqipëri, them se ka bërë zgjedhjen e duhur që është larguar nga Shqipëria.

-Ke dëshirë të vizitosh, nëse akoma nuk e ke bërë tashmë, Kampin e Aushvicit? A është kjo një destinacion i rëndësishëm për një punonjës të ISKK-së?

-Kam dëshirë dhe e kam në listën e radhës të vendeve që duhen vizituar në jetë. Mënyra se si u aplikua komunizmi ndryshonte nga vendi në vend edhe pse kishte të njëjtën frymë por…po, dua të vizitoj Aushvicin.

-Bëjmë një kapërcim të vogël sa për shtendosje muskujsh dhe shkojmë tek Bunkart 1 dhe Bunkart 2. Si të duken si ndërtime?

-Ishte një iniciativë shumë e mirë ndërtimi në 2014 i këtyre dy veprave së bashku (më vonë) me Shtëpinë e Gjethes, ku kjo e fundit u kthye në një muze. Këto synojnë të pasqyrojnë jetën e regjimit komunist në Shqipëri. Më kanë pëlqyer vetëm se kam një sugjerim që në publikimet dhe pasqyrimet tek Shtëpia e Gjethes, dokumentet shtetërore, raportet, të mos fshihen emrat e autorëve, por të nxirren ashtu siç janë. Kjo është shumë e rëndësishme për publikun që përveçse shifrave ai të njohë dhe makinerinë e brendshme të regjimit.

-Agim Musta, gjirokastrit edhe ky, nuk e di nëse vjen nga Sokaku i të Marrëve, është personi që mua më ka prezantuar në brendësi dhe më në detaje me periudhën e komunizmit shqiptar. Ti ke ndonjë autor me asosacion të tillë?

-Agimin e kam lexuar sepse ka bërë shumë botime për komunizmin në Shqipëri, për burgjet, kampet, internimet dhe është një ndër studiuesit që ka lënë gjurmë në literaturën për periudhën postkomuniste në Shqipëri. Unë pasi mbarova studimet kisha lexuar shumë libra për komunizmin, por doja të takoja dikë që ka jetuar e vuajtur vetë në atë periudhë. I pari person që kam takuar dhe që më bëri të kuptoj më shumë rreth komunizmit ishte Reshat Kripa. Ishte ky që më rrëfeu për jetën e tij, dënimin që kur ishte në moshën 15-vjeçare me pretekstin që do të rrëzonte pushtetin popullor së bashku me bashkëmoshatarët e tij. Kemi pasur një bisedë rreth dy orëshe me të.

-Promovimi i librit të Isuf Kalos në vitin 2015, si të është dukur?

-Realisht sapo doli nga botimi më ngjalli shumë kureshtje.

-Ti e ke lexuar?

-Po, e kam lexuar dhe e kam si libër në bibliotekën time personale.

-Vazhdon ta mbash akoma?

-Për çudi, tani që e mendoj, vazhdoj ta mbaj akoma.

-Në librin e tij “Blloku” ai jep të dhëna të rëndësishme për periudhën e komunizmit në Shqipëria por bie në sy manipulimi që mundohet t’i bëjë masës.

-Është gjallë akoma Isuf Kalo?

-Po.

-Nëse do e kishe të detyruar për të jetuar në periudhën e komunizmit shqiptar çfarë pozicioni do doje të kishe në shoqëri?

-Nëse do kisha jetuar atëherë me patjetër që do të isha bërë komunisti më i thekur për shkak të indoktrinimit të fortë që kanë pasur.

-Ti e di se sa të mirë kanë qenë në këtë drejtim, prandaj e thua.

-Po, prandaj. Do doja thjesht të kisha një pozicion që nuk do të dëmtonte njerëzit.

-A të duket tendencioze dhe idiotje pyetja “Çfarë të mirash ka patur komunizmi?”

-Nuk është idiote, por është tendencioze dhe provokon diskutim. Ata që kanë punuar për regjimin komunist përgjithësisht japin mendimin pozitiv që komunizmi zhduku analfabetizmin. Ne nuk duhet të harrojmë që edukimi është angazhimi primar i çdo shteti ndaj kombasve të vet, por më interesantja është se sërisht qëllimi i mësimit të shqiptarëve me shkrim e lexim nuk kishte synimin kryesor edukimin e tyre më shumë sesa shpërndarjen e tejskajshme të idologjisë komuniste edhe nëpër fshatra e periferi të thella të vendit. Atje nuk dinin shkrim e këndim. Të gjendur në kushte të tilla komunistët punonin që këta të arsimoheshin dhe më pas të kishin të mundur leximin e “Zërit të Popullit” që ishtë një lloj lavazhi truri që u bëhej shqiptarëve në atë kohë. Në fshatra edhepse kishte analfabetizëm ishte njëri gjithnjë që dinte të lexonte dhe pasi vinte gazeta ua tregonte të tjerëve me zë të lartë se çfarë shkruhej aty.

-Unë kam një emnak timin, që disa herë kemi bërë dhe të njëjtën punë, si gazetar. Mësa di unë ju jeni dy persona me të njëjtin emër nga i njëjti katun. Çfarë ndjesie të jep kjo?

-Po, ne jemi dy persona me këtë emër, Florin Zyberaj. Ai është më i madh sesa unë në moshë. Unë kam mbaruar për Histori, ndërsa ai ka mbaruar për Fizikë-Matematikë dhe është mësues në shkollën e Shishtavecit. Është një mësues që punon me pasion. Ky fakt më jep një ndjesi kënaqësie.

-Unë kam pasur një eksperiencë të shkurtër me të gjithë shkollat e Kukësit dhe në një nga shkollat në periferi pyes një nxënës në kohën e pushimit se cili është mësuesi yt i preferuar këtu në shkollë dhe ai më përgjigjet që ishte mësuesi i Historisë. Kur e pyes për arsyen ai më tregon që ai mësues i pëlqen për faktin sepse pasi mbaron gjysmën e orës shpjegim për temën e ditës, e mbyll librin e shkollës, e lë mënjanë dhe thotë përballë nxënësve: “Ky ishte version i shkollës, i kurrikulës, tash do të dëgjoni një version tjetër, versionin tim, të vërtetën. A nuk është e lodhshme, bezdisëse dhe jo serioze ndonjëherë të dëgjosh disa variante të së njëjtës histori?

-Historigrafia shqiptare siç e përmenda në fillim ka probleme serioze në mënyrën se si janë paraqitur ngjarjet në të gjitha nivelet e arsimimit. Historia e shkruajtur pas ‘90 nuk është shumë objektive. Nuk është e këndshme të lexosh disa variante të një ngjarje, por lexuesi duhet të jetë skeptik, dyshues, duhet të bëjë kritikë gjatë leximit dhe duhet të mbështesë atë ide që vjen nga burimet parësore, atë që shkon më afër të vërtetës historike.

-Ti ke botuar një libër. Si ishte si eksperiencë?

-Kam nisur ta shkruaja që në vitin 2014 dhe më zgjati 5 vite për ta botuar. Idealist, i frymëzuar si të gjithë të rinjtë, e mendova si diçka shumë të madhe, sikur po bëja një kryevepër. Pasi ia jap një pedagoges time në fakultet për ta recensuar shoh që e kishte nënvizuar gati të gjithë tekstin. E kishte mbushur me vija të kuqe.

-A nuk të demotivuan vijat e kuqe?

-Më demotivuan paksa, por ajo më hapi sytë nga ana tjetër. Më bëri më të qartë disa gjëra. Ma ka kthyer tre herë mbrapsht librin. Këtu mendova që unë nuk bëj si studiues. Më pas ajo më sqaroi që kjo është pjesë e punës. Por më vjen mirë që kam pasur këtë eksperiencë pasi me librat e botuar duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe përgjegjshëm përballë publikut. Librat nuk duhet të dalin pwr botim si qoftet prej zgare. Mendoj që kam krijuar diçka serioze dhe larg folklorizmave.

-Në Lidhjen e Shkrimtarëve zakonisht ka një rregull…po më bie telefoni. Ndjesë.

-Nuk ka problem, vazhdoje telefonatën.

-Është shoqja. Jemi vonuar paksa me kohën. Unë i thash që është historian ai që do të intervistoj. Mendova që do ta kuptonte me kaq.

-Po, jam pak llafazan.

-Meqë jemi tek familja dhe telefonat do ma thuash pak se si e ke të shënuar emrin e babait tënd në telefon?

-Hehe, nga e gjete këtë pyetje. Mund të ngjajë si qesharake kjo, por realisht numrin e babit tim nuk e kam të regjistruar fare në listën e kontakteve me emër pasi është i vetmi numër që e mbaj mend përmendësh, nuk e harroj kurrë, flas shpesh me të dhe sigurisht është në krye të bisedave gjithmonë. Ai nuk e ka ndërruar numrin që kur ka marrë për herë të parë telefon ndërsa unë kam ndërruar disa herë telefonat dhe numrat.

-Pa hë na e thuaj pak tani sa është numri që ta provojmë…

-0695827647

-Unë jam shumë i lidhur dhe flas çdo ditë me familjen. I marr në mëngjes në telefon, pi kafe dhe pastaj nis ditën e punës.

-A mban përmendësh ndonjë numër tjetër?

-Jo, asnjë tjetër.

-Me cilin personazh të Historisë së Shqipërisë do kishe dashur të kishe një bisedë të gjatë dhe private?

-Ahmet Zogu. Do doja të sqaroja disa dilema historike me të, pasi është një personazh interesant historik, si dhe do doja ta pyesja për disa çështje të diskutueshme historike. Po ashtu kam interes dhe për një pjesë të dytë, për pjesën e të dënuarve. Ka pasur dhe të dënuar në kohën e Mbretërisë. Unë kam parë foto të Marubit. Të dënuarit në kohën e Ahmet Zogut dallonin shumë nga ata të periudhës së komunizmit. I dënuari në kohën e Zogut ishte i veshur mirë, ishte më i qetë, kishte më shumë dinjitet sesa në kohën e komunizmit. Ngjarjet duhen gjykuar jo me logjikën e kohës së tashme, në 2022-shin, por duhen shikuar me lentet e asaj kohe.

-Në të shkuarën kishe dëshirë që të kishe bisedë me Ahmet Zogun ndërsa sot zgjodha unë që të kisha një bisedë me ty. Nuk e prisja të zgjaste kaq shumë. Kënaqësi. Mësova shumë nga ti.

-Kënaqësi dhe për mua.

 

 

 

Arben Vata
Arben Vata
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit. Ai mbulon çështje me rëndësi sociale dhe kulturore për komunitetin. Ai është edhe lëvrues i gazetarisë argëtuese.

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit