A i mban mend tapat e liqenit? – pyes disa banorë në Kukës dhe ata më përgjigjen gati njëjtë, duke krijuar një si refren që dikur përfshinte një hark kohor prej tre brezash të ndryshëm: “Jam kuksian nuk luj prej veni, kam vesh kpuc me tapa liqeni”.
Interesante është edhe gjuha e trupit që ata përdorin kur i drejton një pyetje të tillë. Dikush luan kokën duke sinkronizuar ritmin e thënies me lëvizjen e kokës, një tjetër rrinte mendueshëm e shikonte poshtë këmbët e ndërsa dikush tjetër buzëqeshte duke e thënë me krenari këtë shprehje të shoqëruar dhe me një shkelje të shpejtë syri, që nënkuptonte një përfaqësim autentik të qytetit. (Hej e kena veç ná këtë).
Por çfarë ishin tapat e liqenit dhe si këto objekte materializonin qytetarët e Kukësit, bashkë me qytetin, saqë nëpërmjet shakasë dhe përdorimit të shpeshtë ka ardhur në formën e një rime kaq popullore?
Tapa nënkuptonte pjesën e poshtme të këpucës që për sinonim ka fjalën shollë. Në pamje të parë tingëllon e zakonshme, jo e çuditshme si fjalë, dhe nuk të ngjall ndonjë kureshti të fortë. Në fakt historiku dhe prejardhja e këtyre tapave është interesante dhe intriguese. Kur flasim për tapat e liqenit për nga vetë togëfjalëshi “tapë – liqeni”, orientimin ta jep për nga liqeni. Ky liqen artificial që u krijua në vitet 70’ i dha fund Kukësit të Vjetër nëpërmjet ndërtimit të hidrocentralit që asokohe quhej “Drita e Partisë”. Kukësi i Ri, i rrethuar nga të gjitha anët me ujë, i ngjante një gadishulli të vogël idilik. Ishte dhe kopshti i parajsës së socializmit sepse në atë kohë ne kishim fituar ideologjikisht me ish-aletët tanë si Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Madje hidrocentrali “Drita e Partisë” dhe Kukësi i Ri u ndërtuan pikërisht atëherë kur u prishën marrëdhëniet me Kinën dhe ne u treguam dhëmbët superfuqive.
Të rikthehemi tek pjesa idilike ujore që e rrethon këtë qytet të bukur që përbëhet nga derdhja, pikëtakimi, pikëprerja e dy lumenjve, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Kjo panoramë e qytetit ndryshonte në të gjitha kahet e horizontit, secili kah kishte një peisazh gjenuin të vetin që i jepte këtij qyteti larmishmërinë dhe koloritin e natyrës. Në këtë panoramë mund të shikoje shumëçka: anijet e transportit të njerëzve dhe mallrave në anën e Kukësit të Vjetër, që përshkonin në formë zig-zagu brigjet stacionare; anijet dhe varkat e peshkimit me peshkatarët e ndërmarrjes së peshkimit; te rinjtë; fëmijë të lumtur e entuziastë në stinën e verës që shkonin të laheshin në liqen, tipike për në atë kohë me gomardare veturave BÇ, Aero apo Saurela dhe me shkumat e detit në varg teli, të vendosura përreth belit. Këta të fundit kishin përbërje polesteroli dhe ishin ndihmëse për mësimin e notit në liqenin e Kukësit. Ato sajoheshin në mënyre artizanale nga fëmijët ose të rinjtë e qytetit si edhe të fshatrave përreth. Nuk mungonin dhe peshkatarët pasionantë të qytetit që peshkonin me grep, kallama dhe parangalla këtyre brigjeve. Pra kjo pjesë ujore e qytetit ishte e populluar në çdo sezon dhe përkatësisht ishin të emërtuara pikat gjeografike si: Pjesa e Përbregut, Ura e Hasit bashkë me Kullën e Lumës, pjesa e ish-Kukësit të Vjetër me Ramhasin, që vijonte me trajektoren për tek ura e Drinit të Zi, Kepi i Tafës, Gremina dhe deri në Lug t’Keq afër lagjes më të re të Kukësit në vitet 80, Gostili.
Ky liqen artificial ishte dhe pikëtakimi me pjesën përtej kufirit me bashkëkombasit tanë që i përkisnin hartës gjeopolitike të ish-Jugosllavisë. Drini i Bardhë përshkonte pjesën e Kosovës dhe derdhej në liqenin artificial të Kukësit, ku vijonte me rrymat dhe degëzimet e tij. Po ta vështrojme këtë fenomen natyror nga ana antropologjike e mjedisit dhe etnologjisë, uji është përcjellës, bartës i lidhjeve sociale, ku ndër ta ndërthuren kulturat lokale, besimet e ndryshme fetare dhe politeiste si dhe shkëmbimet e tjera njerëzore nëpërmjet materiales. Pikërisht kjo rrjedhje e Drinit të Bardhë nga pjesa e Kosovës na sillte materiale të ndryshme të konsumuara, plehra, që në Kukës asokohe thonin: ‘‘Kanë ardh bërlloqet!“. Pjesë e këtyre prurjeve ishin çakmakë kauçuku, tasa Coca-Cola metalike, shishe qelqi të pijeve alkolike si Jack Daniels, rroba të vjetëruara apo këpucë të konsumuara.

Ne, kuksianët ishim të parët në Shqipërinë Socialiste që pamë nëpërmjet këtyre bërlloqeve të liqenit ambalazhin e Sweet Black Drink , si edhe tepër të famshmen Coca-Cola. Natyrisht, ne totalisht të izoluar, nuk e dinim se këto ishin të famshme në pjesën tjetër të botës. Ambalazhet e tyre i shqiptonim ashtu siç i lexonim. Ne nuk e dinim se çfarë shije kanë. Ishin kaq bukur të dizenjuara saqë shërbenin si dekori më i veçantë dhe shik i bufeve 6000 apo 12000 lekëshe dhe zakonisht i vendosnim përkrah një seti filxhanash kafeje, gotash rakije apo likeri ose përkrah të një termusi me dizenjo trëndafilash, që ishte prodhim unikal në vendin tonë.
Pjesën më interesante të këtyre prurjeve nga ‘‘jashtë shtetit“ siç quhej atëherë, e përbënin këpucët e hedhura nga ana matanë kufirit, që kishin shollën tepër të veçantë dhe karakterizohej nga ngjyra bezhë. Pikërisht kjo pjesë quhej tapë liqeni, sepse e përcillte liqeni në të gjitha brigjet. Këta këpucë me tapat e veçanta i mblidhnin kryesisht fëmijët dhe të rinjtë e fshatit Përbreg, të lagjes Bozhe, peshkatarët si dhe fëmijë apo të rinjtë e qytetit. Mbledhja e tyre nisi nga kurioziteti më shumë, nga përfaqimi i menjëhershëm i idesë se kjo është diçka e ardhur nga një vend tjetër. Mes prurjeve kishte edhe këpucë të mirëmbajtura, të cilat përdoreshin eksluzivisht nga “eksploruesit e bërlloqeve“. Tapat e liqenit ishin të veçanta për vetë faktin që vinin nga një vend ku ndiqej bota perëndimore dhe arritnin të depërtonin perden e hekurt të socializmit.
Një nga intervistuesit që i ka përjetuar tapat e liqenit thotë: “Tapat e liqenit ishin ngjarja më e veçantë kulturore në qytet, sepse goma e poshtme që prodhohej në Shqipëri ishte e shtrenjtë dhe këpucarët nuk kishin shumë bazë materiale të tillë, por ama këpuca me tapat e liqenit dukej shumë më interesante, e bukur dhe tepër inovative“. Citati i mësipërm na le të kuptojmë krizën ekonomike dhe izolimin e vendit tonë në vitet 80‘, nevojën për të pasur një palë këpucë shtesë sepse në ato vite pothuajse të gjithë kishin në përdorim vetëm një palë këpucë. Ishte nga ana tjetër dhe një orvatje për estetikën dhe inovativen.
Dalëngadalë ky objekt u kthye në një mjet shkëmbimi të një rrjeti aktorësh socialë. Ishte një shkëmbim material dhe social mes tyre.
Marrëdhënia sociale zinte fill së pari ndërmjet mbledhësve të tapave të liqenit, për të arritur kombinimin e dy tapave me të njëjtën numër dhe formë, që ndryshe e quanim “Me ja gjet shoqen“. Shumë herë dikush kishte tapën me numër 39 të këmbës dhe ishte në kërkim të gjetjes së shoqes. Ky më vonë informohej se kush ishin kolegët koleksionist, që mund të kishin të njëjtin numër dhe secili gjente “partnerin” e biznesit të tij. Kështu krijohej dhe rrjeti i kontakteve mes tyre. Ky interes i kombinimit të tapave nuk erdhi rastësisht nga mbledhësit e tapave. Interesi kishte për shkëndijë dhe qëllim arritjen e një performance mode ndryshe, nga një fushë tjetër sociale, që filozofi dhe sociologu francez Pierre Bourdieu e quan “aktorët me kapital social dhe kulturor“.
Po si ndërvepronin individët me njëri-tjetrin me anën e tapave të liqenit?
Koleksionistët njiheshin si më të interesuarit për një palë tapa liqeni, duke qenë se kishin tendencë dhe dëshirë për të zgjeruar njohjet, por edhe tendencën për të ndryshuar statusin e tyre social. Një nga mbledhësit që atëherë ishte peshkatar shprehet se nëpërmjet një palë “tapë liqeni për femra” ai krijoi një tjetër konfidencë me një mësuese, madje e konsideronte qëllimisht si favorizim ndaj një note kaluese në shkollën e natës atëherë. Rolin kryesor në këtë proces interaksionesh e luanin këpucarët e qytetit sepse këta ishin ata që ndonëse prapa kulisave, finalizonin procesin artizanal të prodhimit. Nuk duhet harruar të përmendet se në ato vite, jo vetëm në Kukës por edhe në të gjithë Shqipërinë, përveçse bliheshin këpucët në dyqane, një pjesë e madhe e qytetarëve “Bënin këpucë me porosi“. Ishte tejet familjare dhe imazh i përsëritur i një kujtese fotografike tabela tek çdo repart këpucarie “Bëjme këpucë me porosi“. Në këtë kuadër ishte mundësia që edhe me tapat e liqenit të bëheshin këpucë me porosi.
Një këpucar me përvojë pune 40–vjeçare pohon që për rastin e tapave të liqenit, kategorizohej porosia “Me materialin e klientit“ që ishte një ndër opsionet e punimeve të këpucëve me porosi, duke cituar çmimin prej 700 lekë.
Logjikisht për realizimin e këpucëve nuk mjaftonin vetëm tapat, duhej edhe lëkura që kryesisht në atë kohë ishte e racionizuar (me racion). Në këtë linjë hynin një sërë personazhesh, duhej të krijohej lidhja me një furnitor, përgjegjës reparti, magazinier, drejtor si dhe oficer, për të siguruar lëkurën cilësore, e cila prodhohej në Vlorë dhe në Korçë. Oficerët nuk përfshiheshin në sigurimin e lëkurës, por në mënyrë implicite ishin si një lloj distributorësh të lëkurës, pasi ata posedonin nga shteti për çdo vit çizme lëkure, dhe sigurisht nga puna në terren e tyre këta çizme dëmtoheshin, por lëkura mbetej cilësore. Kjo lëkurë përdorej për këpuce të tjera me tapa liqeni, të cilët shkëmbenin në raporte të ndryshme: tap liqeni-lëkurë, kjo sipas marrëveshjes direkte apo indirekte që arriheshin me këpucarët. Përshembull si favorizim mund të kërkohej një palë këpuce me tapa liqeni për veten dhe bashkëshorten në këmbim të çizmeve të dëmtuara të lëkurës.
“Ma shum kemi bo kpuc me tapa liqeni për kto knej ka komiteti“, – thotë këpucari sepse i kishin mundësitë më shumë dhe na tregonin me katalogje se si i donin.
Përveç pjesës së katalogjeve, që siguroheshin disi fshehtas atëherë dhe ishin shumë të paktë në numër, nuk mund të lëmë pa përmendur pjesën kreative dhe inovative të këpucarëve, të cilët ishin të gjithë të specializuar. Madje këpucarët e Kukësit ishin ndërmjetësit e performimit të modës që në ato vite sollën nje “boom“ inovacionesh dhe risish në modelet e ndryshme të këpucëve me tapa liqeni, e cila përçohej pothuajse në të gjithë rrethet kryesore të Shqipërisë. Kjo modë përcillej nëpërmjet studentëve kryesisht dhe të rinjve të qytetit tonë që studionin në shkollat e mesme dhe të larta, Tiranë, Shkodër, Gjirokastër. Disa nga të rinjtë e asaj kohe kujtojnë me nostalgji dhe me një mimikë prej krenarie, që sapo shkonim në Tiranë, binim direkt në sy prej këpucëve me tapa liqeni, pasi ishin të veçanta. Madje këpucet me tapa liqeni u bënë objekt tregtie dhe flirti tek kjo kategori aktorësh.

“Për një student ishte shumë në atë kohë me i shit n’ven kpuct me tapa liqeni 3000 a 4000 lekë. Se 4000 lek ishte edhe nji rrogë mujore, kurse ne me nji palë kpuc. Plus që edhe vajzat e Tiranes dhe të tjerat na shihnin ndryshe, ose kur nji shok ja kishte vu synin noj vajze, ja jepnim borxh kpuct me tapa liqeni”.
Nuk ishin vetëm meshkujt që kishin këpucë më tapa liqeni. Të shumta në numër ishin edhe femrat të cilat preferonin shumë sandalet me tapa liqeni, për shkak të shumëllojshmërisë së ngjyrave dhe formave. Me tapa liqeni mund të bëheshin edhe taka ortopedike. Përveç kësaj femrat gëzonin privilegjin të merrnin dhuratë kepucë ose sandale me tapa liqeni, duke filluar nga koleksionisti i tapave, tek këpucari, shoku i klasës apo i punës, gjimnazisti apo studenti, për shumë arsye duke filluar nga flirti, pozicioni i punës apo për arsye të tjera.
Nëse do të hidhnim vëmendjen tek këto shkëmbime në përgjithësi, të cilët kishin një spekter të larmishëm, ku përfshihej i gjithë “network”-u i njerëzve në rrethe të ndryshme, që rezulton me një ndërveprim social nëpërmjet objektit “tapë liqeni”. Tek ky interaksion duhet të përmendet një fenomen mjaft interesant që sot është evident në trendet e politikat mjedisore, ambientaliste: termi “to sustainable”. Kjo fjalë në anglisht që është gjeneralizuar dhe është integruar si nje term internacional, ka të bëjë me të mbajturit mirë të gjërave ose që objektet e dëmtuara të rigjenerohen dhe të risillen përsëri në përdorim. Ne rastin konkret kemi objektin tapë liqeni që vërtitet në trekëndëshin Sufiçencë, Efiçencë dhe Konsistencë. Pra në ato vite nëpërmjet tapave te liqenit pakësohej prodhimi dhe konsumi i këpucëve tjera në qytetin e Kukësit, që prodhoheshin në fabrikat e këpucëve, sepse banorët riciklonin materialin e tyre ose të objekteve të tjera dhe bashkë me tapat krijonin një objekt të ri që ripërdorej: këpucën më tapa. Duhet theksuar si detaj që tapat e liqenit mund të përdoreshin edhe dy herë të tjera në rast se demtohej pjesa tjetër e këpucës, ose në rast se do ishte dëshira apo preferenca për të ndryshuar modelin e këpucës.
Tapat e liqenit shënuan një fazë të rëndësishme në zhvillimin kulturor e shpirtëror të qytetit. Ata u lëkundën lehtë për një kohë të konsiderueshme në brigjet e liqenit kuksian duke lënë gjurmë në kujtesën kolektike. Kaleidoskopi tapë liqeni në vitet 80‘ u bë një mjet i veçantë i ndërveprimit mes shtresave të ndryshme sociale.
**Gerlus**
