▪︎Havzi Nela mbeti jetim që në vegjëli, duke vuajtur varfërinë ekstreme.
▪︎Vuajti gjithsej 19 vite burg dhe 5 vite internim.
▪︎E spiunuan edhe njerëz të afërm e miq në mënyrë që të fitonin besimin dhe simpatinë e pushtetit.
▪︎Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane), armik (me të zeza), i Partisë e Popullit (me të kuqe).
▪︎Gjyqtarët, prokurorët dhe trupa gjykuese e tij kanë mbajtur mbiemra si Helmi, Speci, Bandilli.
▪︎Pushteti në mënyrë të organizuar ka vendosur autobuzë në dispozicion për të gjithë sektorët për t’i dërguar të shohin mësuesin e varur, si formë presioni për të mos ngritur krye në ditët e fundit të regjimit.
▪︎Disa persona-përbindësha, dy prej të cilëve i njoh personalisht, sot mbajnë pozita shoqërore të rëndësishme në qytetin e Kukësit, e kanë pështy dhe gjuajtur me gurë trupin e pajetë të poetit, për të rënë në sy të pushtetit.
▪︎Një grua shtatzënë dështoi fëmijën, ndërsa nga skena makabre, nxënësit e shkollave tmerroheshin netëve prej imazhit të ekzekutimit barbar.
▪︎Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll.
▪︎Havzi Nela mbante mbathur opinga llastiku natën e varjes.
▪︎Amaneti i fundit: “Kam 910 lekë, jepjani nanës”!
▪︎Të nesërmen e varjes, trupin e tij e kanë shëtitur nëpër qytet, mbi një makinë të hapur para se ta zhduknin kufomën. Njëra këmbë i varej te sponda.
▪︎Trupin e tij e kanë varrosur në këmbë, në një gropë të hapur për shtylla elektike, për ta humbur përgjithnjë.
▪︎Eshtrat e tij u gjendën rastësisht në 1993, por pa kokë. U varros në Kollovoz, por koka nuk dihet ku përfundoi. Ndoshta e copëtuan kafshët e egra. Shpresoj të kenë qenë vërtet kafshë, sepse dyshoj tek dykëmbëshit.
▪︎Tre kriminelët që i dhanë dënimin me varje janë Fehmi Avdiu, Ramiz Alia dhe Kristaq Rama.
▪︎Fehmi Avdiu u emërua kryetar i “Gjykatës së Lartë” në vitin 1998 kur komunistët erdhën sërish në pushtet. Edi Rama nuk ka kërkuar kurrë ndjesë publike për firmën e babait të tij, për këtë krim monstruoz, që është shumë më shumë se një varje e armikut të popullit.
▪︎Havzi Nela ishte ndër të vetmit mësues që hynte në klasë dhe jepte mësim me veshjen tradicionale, tirqi dhe kapuç të bardhë.
▪︎Gjimnazi i Kukësit mban emrin “Havzi Nela”, por kjo është shumë pak në nderim të figurës së tij gjigande!
Sot në pushtet janë mbi 90 % e ish-kriminelëve dhe bijtë e tyre që firmosën e mbështetën aktin barbar të varjes së poetit. Asnjë nuk ka shprehur pendesë deri më sot!
Artur A Kurtallari
