Anita Cahani – Portretin e nis gjithmonë nga sytë

-

-Me biçikletë dhe ti?

-Po. E përdor çdo ditë.

-Nuk duhej të kishe ardhur me vonesë si rregull.

-Dola më vonë nga puna sot prandaj.

-Le ta nisim me një pyetje të rëndë: A mendon që ke jetuar më përpara?

-Nuk e di. Nuk e kam menduar më përpara këtë.

-Nuk je e sigurt?

-Jo.

-Nuk ke jetuar as edhe një moment?

-E vështirë të them.

-Mirë pra meqë je e pasigurt, le të flasim për pikturën. Ti pikturon.

-Jo, unë vizatoj.

-Ouu. Uroj që kjo mos të duket sikur nuk jam përgatitur mirë dhe për më tepër të jetë një fyerje.

-Hehe, jo aspak.

-Ka ndryshim mes vizatimit dhe pikturës? Sa i madh është?

-Ka ndryshim sepse në pikturë ti përdor ngjyra, bojra…

-Por unë kam parë një pikturë tënden, Thethin.

-Po, unë e kam bërë por nuk është e përditshmja ime aty.

-Pse ke zgjedhur të vizatosh në vend që të pikturosh?

-Më ka ardhur natyrshëm, që në klasë të parë, vizatimet që na i kërkonin tek Abetarja. Ishin gjithmonë me laps.

-Unë maksimumi që bëja ishtë të vizatoja një dardhë dhe një mollë bashkë. Kjo ishte sa për të kaluar klasën kurse në qoftë se doje notën nëntë duhej t’i bëje me hije.

-Unë klasën e parë e kam bërë në Kukës dhe mësuese kisha Shpresa Spahiun.

-Jo, unë kam pasur një tjetër, nuk ja mbaj mend emrin, por mbaj mend që ishte praktikant mysliman. Vishte pantallona të gjata deri te kocka e këmbës.

-E mban mend pikturën e parë?

-Kemi qenë tek shkronja LL në Abetare. Në fund të faqes në Abetare kanë qenë disa detyra shtëpie për të bërë vizatime, zakonisht objekte që kishin lidhje me shkronjën që po mësonim atë ditë. Detyrat për vizatimet mua mi bënte gjithmonë vëllai deri sa një ditë mësuesja na kërkon që detyrat e shtëpisë t’i bënim në klasë. Nuk ishte vëllai aty, isha vetëm dhe fillova të qaja. Nuk dija fare dhe mendova çfarë do bëhet me mua. Duhet të vizatoja një kukull. Kukullën e vizatova por mbeta tek llampa pasi nuk bëja dot formën. Mezi po prisja të binte zilja që të mos më shikonte mësuesja llampën. Por ajo e pa që unë e kisha lënë në gjysmë dhe në fund e bëri zysha llampën.

-Bëri zysha llampën dhe ndriçoi jetën tënde.

-Jo, ndriçoi kukullën që ishte anash.

-Vëllait ti i tregove për këtë gjë pastaj?

-Mamit i tregova më parë pasi ajo nxiste vëllain të më ndihmonte mua me detyrat e shtëpisë.

-A pikturon dot në ambiente me zhurmë?

-Për sa kohë njerëzit nuk e kanë me mua, ose zhurma nuk është drejtuar për tek unë, mundem të pikturoj pa problem. Dhe unë vizatoj, nuk pikturoj.

-Më ndje me këtë termin edhe në vazhdim. Nëse e përdor pikturë dije që e kam fjalën për vizatimin. Shkojmë pak në Kukës?

-Shkojmë.

-Sapo futesh në qytet, sapo prezantohesh mua më duket sikur Mali i Gjalicës është “personi” i parë që më uron mirëseardhjen dhe që takoj përpara familjarëve. Në qoftë se do pikturoje Kukësin nga do e nisje? Më duket që kjo ishte një pyetje me përgjigjen brenda por ti gjithsesi më thuaj…

-Po në fakt Mali i Gjalicës e karakterizon qytetin e Kukësit. Ështe simbol. Dhe besoj pikturën për qytetin nga ai do e nisja.

-A të kuzhtëzon lapsi në përzgjedhjen e objekteve që do të vizatosh?

-Jo, se besoj. Unë bëj portrete më shumë por nuk kam nguruar dhe në objekte a figura të tjera.

-A mendon që je e çuditshme?

-Jo. Janë të tjerët të çuditshëm sidomos ata që pretendojnë që janë normal.

-Kush të komplimenton më shpesh për vizatimet e tua?

-Meshkujt që duan të flirtojnë (qesh).

-Çfarë vizatimesh zgjedhin zakonisht për të flirtuar?

-Sillen kinse si të habitur dhe pyesin “Pse ti e ke bërë këtë?”, “Kur do të ma bësh dhe një mua?”.

-Çfarë materialesh përdor kur vizaton? A është vetëm lapsi?

-Jo, mund të përdorësh karbonin, ngjyrat e drurit, të tjera.

-Ti vizatimet e tua i shet?

-Po, ka raste. Deri para një viti zakonisht merrja porosi shumë për portete.

-Ka kërkesë për portrete? Kush i kërkon më shumë?

-I kërkojnë zakonisht ato që duan të heqin qafe dhuratat për ditëlindje (qesh).

-Sa kohë të duhet për të bërë një portret?

-Zakonisht i mbyll brenda një dite.

-E dua më konkrete shifrën.

-Gjashtë orë.

-Bën pauza ndërmjet? Pi diçka? Pushon?

-Zakonisht përdor pije energjike.

-Kisha një pyetje të cilin u mundova ta moderoj por përfundimisht vendosa ta hiqja. Mendova dhe kisha frikën që mbase ti mund të jepje përgjigje pozitive dhe lexuesi i ri të nesërmen do mendonte që pija të nxit kreativitetin. Por gjithsesi po e bëj dhe po ia faturoj një koleges time, Erisës. Para se të dilja nga zyra i bëj të njohur që do të kem një intervistë me një artiste, piktore dhe nqs ke ndonjë pyetje më thuaj. Ajo donte që të pyesja për këtë: A përdor pije gjatë procesit të pikturuarit?

-E di që nuk është e mirë për shëndetin por përdor. Përdor vetëm pije energjike.

-Kur pikturon ti e lë telefonin në “silent”?

-Jo.

-Përgjigjesh në telefon kur t’i bien gjatë punës?

-Varet kush i bie dhe në çfarë momenti jam me pikturën.

-Personi i fundit që ia ke mbyllyr telefonin? Mund ta shohim?

-Vëllai.

-A është ai që të ndihmonte me pikturat në klasë të parë?

-Jo, është tjetri. Jeton në Angli.

-Një që pikturon quhet piktor. Po një që vizaton si quhet?

-Artist mbase.

-Kam vënë re që kohët e fundit po vizaton disa figura kombëtare. Ti më the që ke kërkesa nga njerëzit për portrete. Figurat kombëtare kush ti kërkoi?

-Ato nuk janë figurat kombëtare në fakt por janë aktorët shqiptar në rolin e figurave kombëtare.

-Ëëë…ok. Ti i ke marrë nga filmat po thua.

-Po.
-Më kujtove autobiografinë e Charli Chaplin me këtë. Për shkak të karakterit të tij madhështor, ka qenë personi i vetëm që kishte gati nga një imitues në çdo shtet të botës. Në një rast kur ai kishte paditur një person që po përdorte figurën e tij dhe po shkelte të drejtën e autorit, i padituri ishte mbrojtur në gjyq me një argument shumë interesant. Ai ishte shprehur që nuk po të imitoj ty por po imitoj kopjen tënde. Pra një imitues tjetër.

-Unë studioj për Dizajn dhe kam një detyrë kursi mbi një lëndë dhe detyra ishte për të vizatuar pullat postare.

-Kishe ndonjë personazh që e kishe më të lehtë ose më të vështirë për ta vizatuar? Një mjekër konike përshembull ta vështirëson emrin?

-Ndrek Luca ishte paksa i vështirë për arsye sepse kishte pozicionin e fytyrës si në profil, anash, dukë thënë “Shpifje” nëse e ke parë filmin…

-Unë nuk kam parë asnjë film shqiptar bardh e zi përveçse “Nëntori i Dytë”, versioni me ngjyra, që e kam parë bashkë me të dashurën për festat e nëntorit, i cili më ka shijuar shumë. Filmat bardh e zi i kam lidhur gjithmonë me varfërinë dhe prandaj kam hezituar t’i shoh.

-Kur bën një portret nga cila pjesë e fytyrës ia nis zakonisht? A ka një rregull për këtë?

-Ka një rregull por nuk para e zbatoj (qesh).

-Si është rregulli?

-Zakonisht niset nga forma e kokës, një si vezë, por nuk e nis nga kjo. Unë gjithmonë ia nis nga sytë.

-Nuk është e vështirë me sytë ngaqë janë dy?

-Jo.

-Në qoftë se bën një gabim kur shkruan në kompjuter ti ke mundësi ta fshish me vetëm një komandë “delete” ose “backspace”. Në pikturë a bëhen gabime dhe si fshihen ato?

-Bëhën patjetër por mund të mbulohen. Ka mënyra të ndryshme, duke përdorur gomën në rastin e vizatimit apo me bojë sipër në pikturë.

-Kur bën një pikturë kjo nënkupton medoemos ta kesh personin ose objektin përballë?

-Artistët më të mëdhenj, ata që nuk ekzistojnë më, pikturonin në këtë formë, pra duke mos e pasur personin përballë, duke e imagjinuar atë.

-Ti ke provuar?

-E kam provuar. Kam provuar të pikturoj veten.

-Si ishte?

-Interesante por më doli pak hunda e madhe. (qesh)

-E nise pikturën nga hunda?

-Jo, nga sytë gjithnjë por nuk e di.

-Çfarë shprehie zgjodhe tek vetja, e qeshur, serioze, nevrike?

-Serioze.

-Këtë e vendose që në fillim apo gjatë rrugës?

-Gjatë rrugës.

-Ka ndonjë arsye për qëndrimin tënd serioz në pikturë?

-Zakonisht e kam pasur më të lehtë të bëj pjesën e buzës, duke mos qeshur, pasi buzëqeshja krijon thyerje të cilat përkthehen në vështirësi me raste.

-Po pra, kush vizaton edhe dhëmbët e personit.

-Paleje pastaj ato që kanë tela tek dhëmbët.

-A ka Anita ndonjë qëllim madhor në jetën profesionale?

-Unë dua që një punim i imi të jetë i famshëm përpara meje. Dua që punimi im të bëjë bujë përpara se të njihet Anita.

-Çfarë kriteresh ke ti që një punim yti të jetë i famshëm përballë teje?

-Pyetje e vështirë. Punimi duhet të ketë historinë, teknikën, të çuditshmen, mesazhin e fortë…

-Pikturat e tua a prekin çështje politike?

-Jo.

-Pse?

-Më duket sikur e fus veten në një botë më mizerabël.

-E di se kush është presidenti aktual i Shqipërisë?

-Po, e di. E kemi përballë.

-A mendon që do të kishe më shumë ndjekës nëse do trajtoje tema të tilla?

-Ndoshta, por nuk më intereson dhe aq. Më mjafton të di që çalojmë komplet si popull dhe është e lehtë të gjendet nyja e ndrydhur.

-Vendi më inspirues për ty?

-Liqeni Artificial. Shkoj shpesh.

-Çfarë po punon për momentin?

-Një skicë për tatuazh.

-Do bësh tatuazh?

-Po, por këtë po e bëj për një person tjetër.

-Ti ke tatuazh? Dmth e pashë që paske tek krahu. Ti je këtu?

-Po, por i kam pasur flokët e gjata dikur.

-Pjesa e gjymtyrëve pse është e tillë?

-Janë krah robotik. Kisha një periudhë që mendoja që të gjithë njerëzit lëndojnë, të mirët kur ikin dhe të kqinjtë kur qëndrojnë. Kam vendosur dhe lule anash që janë shenjë e jetës. Njeriu i zhveshur nga emocionet është më pak i dëmshëm.

– Erisa, kolegia imja kishte dhe një pyetje të dytë për ty, përveçse atë me alkolin. Cila është ngjyra jote e preferuar në pikturë?

-E zeza.

-E zeza është ngjyrë?

-Po. Më duket sikur kombinohet lehtë me çdo gjë.

-Sot është dita e lindjes së shkrimtarit Martin Camaj. Është ndër shkrimtarët e mi të preferuar. Nuk e di pse por mu kujtua një poezi e tij e quajtur “Im bir dhe unë” ku ai jep kontrastin mes brezave dhe ritmin e shpejtë të kohës e cila ndryshon çdo gjë: Sot djali jem nuk është aspak si unë, din me folë në gjuhë të hueja, e para ‘i mij vjetsh si ka ndodh çdo punë. Shumë sende di për tokë, e qiell e dete, e veglat rroplanit.

-Ti si i mendon fëmijët e tu? Sa fëmijë mendon që do të pikturosh?

-Pikërisht, e para që mendoj është se si do të sillem unë si prind me fëmijën tim. Sa e gatshme do të jem unë t’i jap përgjigjen e saktë për atë që ai më pyet dhe sa e vlefshme do të jetë kjo. E mendoj si diçka sfiduese.

-Ashtu duhet të jetë. Më duket që ndikoi kjo poezia e Camajt në përgjigjen për pyetjen.

-Mbase.

-Ora paska vajtur ca kështu që mund ta mbyllim. Më vjen mirë që kaluam kohë bashkë. Nëse t’i bie telefonit ki parasysh që do të kem diçka të rëndësishme për të të thënë kështu që mos ma mbyll edhe nëse do të jesh diku pikturuar.

-Hehe. Nuk do ta mbyll.

 

 

Arben Vata
Arben Vata
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit. Ai mbulon çështje me rëndësi sociale dhe kulturore për komunitetin. Ai është edhe lëvrues i gazetarisë argëtuese.

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit