Letër e hapur për z.Lulzim Basha
Sot është hera e parë që po ju drejtohem në emër që kur kam nisur të përkrah idenë e lëvizjen për ndryshimin e drejtimit të Partisë Demokratike; fillimisht pas humbjes në vitin 2017 dhe më pas më intensivisht në prill e shtator të vitit të kaluar. Përpara demokratëve, kur më është dhënë mundësia, kam thënë se jam kundër toksifikimit në politikë, pra sharjeve e akuzave që tejkalojnë çdo kufi etike, prandaj kam refuzuar në çdo moment t’ju etikoj vetëm për të qenë në sinkron me diskursin politik të kohës. Së dyti, ju keni drejtuar Partinë Demokratike për 9 vite dhe do të ishte papjekuri e madhe që të flisja me kompetencë për dikë që ka qenë në qendrën e gravitetit politik të vendit. Dhe së fundmi, unë nuk kam dashur të armiqësohem me asnjë demokrat; gjithmonë kam preferuar të dëgjoj e kuptoj palën që mendonte ndryshe, pra mbështetësit tuaj, edhe në rastet kur e perceptoja si jo të logjikshme dhe irracionale atë çka thonin.
Por Partia Demokratike sot është në një krizë që edhe mbështetësin më joaktiv do e shqetësonte. Ka vite që thuhet se PD-ja është në situatën më kritike që nga themelimi, por kësaj here është matematikisht e vërtetuar që kemi arritur fundin, me mandatin e tretë në opozitë, e me 13% të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 bashkive nën siglën zyrtare; me një PD e opozitë që tkurret në mbështetje dita ditës, pa kauzë, pa ideologji, pa strukturë të mirëorganizuar.
Ajo të cilës i druhem më shumë është etapa e rradhës, ajo që nën drejtimin tuaj ka filluar të kthehet në temë diskutimi e të konsiderohet si diçka relativisht e mundur: asgjësimi përfundimtar i Partisë Demokratike. Për nënat e baballarët tanë, një gjë e tillë do nënkuptonte shkatërrimin e një investimi të madh historik, një trashëgimie të cilën e lanë për ne. Opozita, e veçanërisht forca e parë e tranzicionit, supozohej të ishte pronë e gjithësecilit prej nesh, si vendi ku ndryshimet më të mëdha të kombit do kalonin. Si forum i hapur për çdo shtresë të shoqërisë shqiptare, çdo mendim e ide, reflektimi i kundërt i asaj çka përfaqësonte totalitarizmi shqiptar, pra një koalicion i gjerë politik e social i vendit për të thyer mitin e stereotipit historik anti-Shqiptar që ne kurrë s’bëhemi bashkë.
Prandaj sot ju shkruaj si i ri, si student, si mbështetës ndër vite i Partisë Demokratike, për atë çka ajo kurrë nuk pasqyroi e përfaqësoi në këto vite të drejtimit tuaj për ne të rinjtë, për gjeneratën tjetër të vendit.
I nderuar z.Basha! Sot ka një zgjidhje që unë preferoj ta quaj “Viti 0,” nga e cila del produkti përfundimtar. Zvogëlimi i mbështetjes ndaj Partisë Demokratike që për fat të keq nuk transferohet brenda opozitës por kalon me pushtetin, ka për fajtor kryesor jo një individ, por konceptin e ngritur prej tij, me PD-në si aset personal. Largimi juaj, në formën e dorëheqjes apo shkarkimit është e vetmja rrugë që shoqëria shqiptare të fitojë të drejtën e pronësisë mbi opozitën, ku produkti final është vetëm një: hapja nëpërmjet votës.
Ndoshta koha dhe historia nuk ishin në favorin tuaj në momentin që erdhët në krye të PD-së, por kohën e bëjnë njerëzit z.Basha. Në fund unë s’mund ta shoh krizën në PD në spektrin e një përplasjeje mes grupesh interesi, apo mes individësh, por përceptimesh se si zhvillohet opozitarizmi, e në një pikturë më të madhe sesa thjeshtë logoja e PD-së. Problemi në thelb është i një botëkuptimi më të gjerë dhe jo të drejtuar tek një person, dhe zgjidhja vjen duke pasqyruar të kundërtën e konceptit tuaj të opozitës.
Është koha për Mea Culpa Z.Basha, është koha për t’u larguar.
Bekim Bruka | Zani.al
