E ndërsa bota sot, jo shumë larg nesh, po njeh ditët e para të një gjenocidi të ri, atë të Rusisë ndaj Ukrainës, këto ditë shënohen 23 vite nga koha e gjenocidit serb në Kosovë. Në marsin e vitit 1999 mijëra kosovarë u shpërngulën me dhunë nga makineria gjakatare e Serbisë në zonat kufitare të vendit tonë si në Tropojë, Has e Kukës. Familjet kuksiane hapën dyert pas datës 24 mars për të strehuar qindra e mijëra vëllezër kosovar në votrat e tyre.
Ajet Cenaj dhe Sherif Kastrati rrëfejnë e kujtojnë historinë e trishtë të strehimit dhe përballimit të krizës ndërsa Bashkim Shala tregon përvojën e tij si gazetar në raportimin e ngjarjeve të terrenit.
Kukësi në pranverën e vitit 1999 u bë kryeqyteti i botës. Aty u instaluan qindra zyra ndërlidhëse botërore si ajo e CNN, dhe po ashtu u vendosën dhe punuan mbi 4 mijë ekipe gazetarësh, ndërsa në Kukës mbi 420 mijë vëllezër kosovar kishin kërkuar strehim. Për aktin e mikpritjes bota propozoi që qyteti i Kukësit të mbante çmimin Nobël për paqe. Data 16 Prill shënon ditën përkujtimore të “Eksod 99-ës”. Qindra banorë nisin marshimin nga qyteti i Mitrovicës e me radhë në drejtim të Kukësit në kujtim të vuajtjeve e historisë por edhe në shenjë falenderimi për pritjen e ngrohtë të familjeve kuksiane.
