Problemet me rrugët nuk kanë të mbaruar në këtë vend. Sigurisht që kjo nuk vjen për shkak se korja e tokës nuk po duron më asfaltin mbi sipërfaqe dhe as për shkak të luhatjes së përbërësve të shtresave të tokës por vjen si rrjedhojë e cilësisë së dobët të ndërtimit dhe mungesës së seriozitetit nda këtyre problemeve. Duket që rrugët ndërtohen enkas të dobëta në mënyrë që qeverisja t’i restaurojë dhe kështu të marrë komplimenta dhe ovacione disa herë për të njëjtin gjë. Duket si një mekanizëm i krijuar nga vetë ata për të mbajtur të freskët dhe sa më të gjatë lidhjen mes tyre. Por gjithsesi ky nuk është rasti. Banorët e kësaj lagje e kanë ndërtuar vetë këtë rrugë.
2.5 km rrugë e rrënuar deryron banorët e lagjes Gjutaj në fshatin Shtrezë të ecin në këmbë. 7 vjet më parë rreth 100 banorë të kësaj lagje mblodhën paratë me kontribut vullnetar dhe hapën rrugën, por sot ajo ka pësuar shembje dhe rrëshqitje në shumë pjesë të gjatësisë së saj. Banorët tregojnë vështirësitë që përjetojnë si në dimër ashtu dhe në verë. Të sëmurët i transportojnë me barrela, ushqimet me kafshë ndërsa vetë ecin në këmbë. Kërkesat e tyre të njëpasnjëshme drejtuar Bashkisë Kukës kanë rënë në vesh të shurdhër dhe nuk janë marrë parasysh. Përpos kësaj bashkia ka kthyer dhe përgjigje ironike banorëve duke iu shprehur që zona e tyre nuk është e rëndësishme për t’u investuar. Këto janë sfida të jetës së përditshme me të cilën përballen banorët por nga ana tjetër në terma më afatgjatë këto kthehen në shkaqe për emigrimet masive të popullsisë. Nuk duhet të harrojmë që në Kukës çdo javë nisen mikrobusë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane.
