Pse mundësitë për aksident janë të mëdha tek Tuneli i Kalimashit dhe pse duhen vendosur radar automatik?

-

  1. Rrugë e drejtë dhe pa kthesa. Tuneli është i vetmi aks me gjatësinë më të madhe në të gjithë shtrirjen gjeografike të Rrugës së Kombit që është i drejtë, pa kthesa të forta dhe pa pjerrtësi të lartë. Ky shpeshherë është një rast i volitshëm për drejtuesit e automjeteve që të testojnë fuqinë e motorit të makinës së tyre. Të dy tunelet e Kalimashit kanë një gjatësi afërsisht prej 5.4 kilometrash dhe nuk kanë shumë ndryshime mes njëri-tjetrit sa i takon infrastrukturës, ndiçimit apo kufizimit të shpejtësisë.

 

  1. Ana vizuale. Tuneli i Kalimashit, që zë vend si një ndër tunelet më të gjatë në Shqipëri, është një panoramë tërheqëse për “story-t” dhe videot “live” të maniakëve të shpejtësisë. Pjesa e brendshme e makinave, e ashtëquajtur kroskot, ndriçohet estetikisht mirë në errësirën që krijon vetvetiu konstrukti i një tuneli. Dritat e tunelit apo makinave që kalojnë përgjatë (blu, kuq, verdhë, bardh) janë po ashtu filtra shumë të mirë për postimet e drejtuesve të automjeteve që tejkalojnë ndjeshëm shpejtësinë, duke ecur deri në 300 km/orë. Postimet me shumë “like” dhe varësia ndaj rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram janë një ndër arsyet kryesore pse shumë të rinjë tejkalojnë shpejtësinë në këtë aks rrugor.

 

  1. Motoja: Ku nuk ka policë, nuk ka gjobë. Mungesa e forcave policore në tunel e zgjeron dhe më shumë fushën e thyerjes së rregullave të qarkullimit rrugor. Rrallë qëllon që ka policë në hyrje apo në dalje të tunelit, me përjashtim të ndonjërit, që dhe ai del duke ngritur dorën sepse ka për t’u kthyer në shtëpi dhe nuk ka makinë të veten personale. Këtë situatë të mosprezencës së forcave policore e dinë shumë mirë drejtuesit e mjeteve dhe si rrjedhojë nuk kanë frikë që mund të bien pre e gjobës. Tradita e uljes së shpejtësisë dhe respektimit të sinjalistikës rrugore vetëm në akse të caktuara rrugore ku ka prezencë policore vazhdon të mbetet ende një shtojcë dhe aneks i shëmtuar i Kodit Rrugor Shqiptar.

 

  1. Stafi i monitorimit dhe ekraneve. Kompania koncesionare absolutisht që ka një staf të brendshëm që kujdeset dhe monitoron situatën në të dy tunelet dhe shumë thjeshtë mund të regjistrohen rastet e shkeljeve flagrante, ato të tejkalimeve marramendëse të shpejtësisë dhe më pas t’i kalojnë policisë rrugore ose kjo e fundit të stacionohet aty. Është më mirë të regjistrohet dhe ndëshkohët në kohë një drejtues automjeti që ecën me 260 km/orë sesa të shikosh më vonë momentin e përplasjes së makinave, të shohësh si janë shpërndarë copat e makinave apo se si zhduket gjaku i viktimave nga forcat e zjarrfikëses me presionin e fortë të ujit. Kompania koncesionare është tejet e kujdesshme kur vjen puna tek monitorimi i situatës tek tolli, te stacioni i pagesave. Rrallë qëllon që të kalojë një minibus me dopio-gomë dhë t’a paguajë taksën si të ishte automjet. Ndjeshmëria ndaj jetëve njerëzore dhe sigurisë në rrugë duhet të jetë e njëjtë, në mos më e lartë sesa ajo e mbledhjes së taksave. Raste si ai i fundit i ndodhur në Tunelin e Kalimashit më 07.01.2022 me pasojë vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e katër personave të tjerë, duhet të përsëriten sa më pak.

 

Kohët e fundit u bë bujë mediatike për një radar automatik, i montuar dhe i fshehur në një makinë policie që nuk dallonte me makinat e zakonshme, që po bënte namin me gjoba për të gjithë maniakët e shpejtësive. Ishte një radar që po zëvendësonte punën e mëparshme të policëve rrugor shqiptar. Vendet e tjera policët rrugor i përdorin vetëm në raste postblloku, bllokim trafiku, dhe jo për të mbajtur sahatin e shpejtësisë. Policët e qarkullimit në rrugë janë thjesht një mekanizëm që i çojnë ujë lumit të korrupsionit dhe nuk ndikojnë aspak në luftimin e fenomenit. Puna që bëjnë sot policët e qarkullimit rrugor që fshehen pas ferrave apo në sheshpushimet në autostradë është njëjtë si të ekzistonte zanati i mbajtësit të birilave të lojës “Bowling”. Dikur kishte punonjës që paguheshin për të stivuar birilat pasi i godisnin lojtarët që kishin paguar për lojën ndërsa sot ata nuk ekzsitojnë më pasi janë zëvendësuar me servera. Puna e policëve rrugor është një punë kompjuterike që mund të zevendësohet shumë lehtë me radar automatik. Kjo qasje ka më pak kosto financiare dhe nga ana tjetër rrit autoritetin e figurës së policit rrugor që nuk ka pse të qëndroje i fshehur pas pemëve dhe të anulojë një gjobë kur drejtuesi i mjetit del i njohur i një funksionari të lartë publik. Fshehja e punonjësit policor pas një trungu peme a ferre e dëmton figurën dhe reputacionin e policit. E nxjerr atë frikacak, skuth dhe tinëzar. Forca e ligjit duhet të jetë frontale, e hapur dhe e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Fundja ku është ndryshimi mes një gjobe që del nga një radar automatik dhe asaj që vendosët nga një polic rrugor?!

 

 

 

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit