-Sa duhet me t’dhan?
-Pesëmij’ lekë, ne nuk e kena ndrru çmimin, – më thotë faturinoja i autobusit që mbante grumbullin e lekëve në dorë si kambistat dikur te banjot publike të qytetit. Mbante në dorë dhe një unazë me ngjyrë të florinjtë në gishtin tregues. Një këngë në sfond me zë të lartë, nuk na lejon të komunikojmë më tej dhe pyetja ime “Po furgonat a e kanë ndërru çmimin?” si rrjedhojë mbetet pa përgjigje. Kënga vazhdoi ritmin dhe dy vajza, të ulura në vendet e para, po regjistronin “live” në “instagram”. E drejtuan kameran nga vetja, por dalluan që ai pozicion kapte dhe pasagjerë të tjerë andaj e mbajtën shumë pak aty. Më pas e drejtuan telefonin nga xhami i madh i përparëm i autobusit. Pas pak minutash ekranit të telefonit i zu vend një pamje tjetër, e cila tashmë uronte mirëseardhjen me Malin e Gjalicës dhe Liqenin e Fierzës, që këtë herë ishte ndryshe për nga niveli, qëndronte te këmba e parë e urës. Gjithmonë kam menduar që kur liqeni shkon në atë fazë, natyra është e irrituar me njeriun dhe nuk mundet ta tregojë këtë vetëm se nëpërmjet kësaj replike. Shkrimtari P. në takimin e fundit më rrëfeu, gati në fshehtësi, për personin i cili ka gjetur i pari trupin e Havzi Nelës dhe që ka raportuar në rajon për këtë ngjarje të ububushme. Kisha një dëshirë të pamasë për ta intervistuar atë njeri por nuk jetonte më. Më thanë që është gjallë gruaja e tij por e vështirë që ajo të flasë për atë gjë pasi kjo është një temë delikate. Po thellohesha më shumë derisa ma ndërpreu këtë rrjedhë të marrë mendimesh thirrja e faturinos: “Kush ka me zbrit te Radio Kukësi. Stacioni i fundit është te Agjencia mrapa?”.
Si gjithmonë zgjedh këtë stacion që të zbres. Nuk e di pse më tërheq. Zbres jo se jam i ftuar në Radio Kukësi dhe as jam punonjës që po marr turnin por më pëlqen t’i kaloj afër dhe të jetë objekti i parë që shoh kur vij nga Tirana. Gjithnjë kam dashur të punoj aty por asnjëherë nuk kam mundur. Punonjësit e Radios, pas atyre të bibliotekës së qytetit, ose përpara ndonjëherë, më janë dukur njerëzit më të kulturuar të qytetit. Nuk njoh asnjë prej tyre. Edhepse një qytet shumë i vogël çuditërisht nuk kam lidhje miqësore me asnjë prej tyre. Më dukej sikur në personelin e Radio Kukësit përveçse gazetarëve dhe teknikës, aty kishte edhe një rrobaqepës, që kujdesej për të gjithë stafin. Shikoja më kërshëri veshjen e tyre kur zbrisnin shkallët, që ngjante me atë të trupës së teatrove, para dhe pas shfaqjes, tërheqëse, jo e zakonshme dhe e ndryshme nga dita në ditë.
Në rrethrrotullimin përballë Radios shoh që asfalti ishte plasaritur. Ishte bërë gropa-gropa. Makinat bënin trajektore të çuditshme, që nuk ngjajnë aspak më dikë që respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Po ta shikoje nga larg mendoje me vete si ka mundësi që tolerohet kjo gjendje anomalie në qarkullim. Por kur afroheshe nga afër e kuptoje që gropat ishin kaq të mëdha sa rrezikoje të dëmtoje seriozisht makinën nëse bie brenda. Për një moment mendova që Drejtoria e Kontrollit Teknik ishte zhvendosur aty ose të paktën kishte instaluar kamera përreth, që të bënte testin fizik të makinave, që tanimë me rregullat e reja bëhej dy herë në vit. Hyrja në qytetin e Kukësit ishte vendi më ideal për të bërë kolaudimin, testin fizik të automojeteve.


Një makinë policie qëndronte në krahun e djathtë, jo për t’u kujdesur që gropat mos të bëheshin më të thella por për të patrulluar mbase. Polici brenda, në krahun e pasagjerit dukej që po kontrollonte njoftimet në rrjetin social “facebook”. Një mizë kishte ndaluar dhe nuk lëvizte nga stema e Policisë së Shtetit, në krahun e tij të djathtë. Rruga me gropa vazhdonte përgjatë bulevardit kryesor dhe më tutje shikoje sërishmi disa gropa të reja që pushteti lokal apo bizneset përreth ishin munduar t’i mbulonin me disa tulla, që punonjësit e ndërtimtarisë i quajnë kocka. Nuk e kuptoj nga ka dalë ky emër, kockë, dhe të përdoret për një tullë që mbush trotuare. Tulla për të mbuluar gropat në asfalt më kujtoi kohën kur isha në fillore dhe Nëna më arnojte xhinset blu me copën e trikos që nuk e përdorja më pasi isha rritur, që kjo në fund ishte një kombinim fatal për dukjen e jashtme. I vetëm. Pa shokë. Në bankë të fundit.
Godina kryesore e bashkisë nuk kishte ndryshuar që nga hera e fundit që e kisha lënë. Makinat e administratës dhe disa të tjera në dukje private, vazhdonin të zinin trotuarin e këmbësorëve duke u parkuar përballë institucionit. Projektuesit e sheshit të ri, kishin harruar të caktonin një hapësirë parkimi për administratën. Përveçse zinin trotuarin e këmbësorëve shumica prej tyre kishin lëshuar dhe një masë të lëngshme të zezë, e cila me shumë gjasa ishte karburanti apo vaji i djegur, tregues këto të amortizimit të rëndë të makinave të administratës.
Dal nga pjesa e trotuarit e cila ishte e zënë dhe vazhdoj të ec në korsinë e makinave. Kryqëzohem në rrugë me një nënë që mbante fëmijën e saj në karrocë, i lëshoj rrugën deri në atë masë që për atë të mos përbënte rrezik ecja me fëmijën, dhe kaloj më nga korsia e makinave. Përballë shoh një makinë me targa të verdha që kishte parkuar në rrethrrotullim, në korsinë e djathtë. Me xhama të zinj. Shoh për fletë-gjobë të vendosur tek fshirësja e xhamit të përparëm, por nuk e gjej dot. Busti i Skëndërbeut ishte i zhveshur nga shkronjat e metalta por mëgjithatë e njoha se kush ishte. Kokën e mbante mënjanë, serioz, me drejtimin nga Gjykata.

Roja i gjykatës për një moment kaloi në vijat e bardha dhe u fut pas objektit të Muzeut Etnografik. Punonjësi i Muzeut po shoqëronte disa turist të huaj, të cilët po pyesnin për emërtimet e bareve në qytet që ishin si përgjigjja e një nxënësi për mësuesin e lëndës së Gjeografisë kur ai pyet se kush janë kryeqytetet europiane: Jerevani, Kosta, Berlini, Britania, Kopenhageni, Praga, etj. Kjo ishte një mënyrë për të mbuluar, aq sa mund të mbulohet, frustrimin dhe indiferentizmin tonë kulturor.
-Tashi që ike nga Tirana, s’po vjen mo ktej, as me i pa të shpisë, – më përshëndet një komshi i katit lart tek banesa, të cilin nuk e kam pëlqyer asnjëherë. Bisedat me hyrje jostandarte, sidomos me bashkëqytetarët e mi, të cilët nuk i shoh prej kohësh, më kanë tërhequr gjithmonë, por ky nuk ishte rasti. Edhe pse kishte kishte studiuar jashtë vendit, ai kishte mbetur i njëjti toç, madje emigrimi e kishte dëmtuar dhe më shumë, duke e bërë një fanatik të çmendur të disa veseve kulturore prapanike tonat.
-Po m’rri me çantë n’shpinë saher ëë, – shtoi ai, pa më lënë mundësi të bëj ndonjë koment për pohimin e parë. Jam i sigurt që aty mrena ke libra, nga ato jeshilt e Kadaresë. Ai ka qenë spiun por ti lexoje.
-E mbaj çantën sepse nuk mbahen në dorë gjithë kto gjëra që më duhet me i përdor shpeshherë, – i them. Çanta sot duhet parë si pjesë e zakonshme e veshjes së njeriut, njëjtë si çorapet, ora, kapelja ndonjëherë, aq më tepër për dikë që udhëton shpesh.
-A je te ardh ta qes një kafe? – tha, dhe drejtoi dorën për nga bari përballë gjykatës. Kafet e ndërtuara kohët e fundit në qytet, duke qenë se shumicën e fasadës e kanë të ndërtuar prej xhami, të japin mundësinë të shohësh klientelën nga jashtë dhe luksin për të ndërruar destinacion në kohë. Aty dallova dhe një komshi tjetër, të cilin nuk e pëlqeja më shumë sesa këtë të parin. Thash menjëherë “JO” dhe nuk fola asgjë tjetër. Nuk dhashë arsye. Nxora telefonin. Shtyp butonin djathtas. U ndez drita. Pashë orën. Më saktë pashë hapësirën e ekranit ku shfaqet ora.
-Kam për të takuar një shok, – i them. Kemi një detyrë kursi bashkë. Për fatin e mirë nuk nguli këmbë dhe u largua. Ktheva pak kokën dhe pashë që u fut tek bari. Me shumë gjasa ai kishte parë të njëjtën gjë që pashë dhe unë.
Ndarja me të mu duk sikur të kisha përfunduar të gjithë ciklin akademik me sukses, dhe jo vetëm një detyrë kursi. E pashë si një arritje tek vetja, personale dhe profesionale. E shtyp sërish butonin djathtas të telefonit dhe kësaj herë shoh që ora kishte vajtur 17.45. Kishte mbetur edhe çerek ore nga koha e nisjes. Afrohem nga Radio sërish dhe ndaloj, tek një zonë, e cila nuk ka asnjë shenjë, asnjë vijëzim horizontal, vërtikal, për stacion autobusi, por të gjithë ndalojnë me përpikmëri mu aty, poshtë pemës më gjethe halore.
-A ke bagazh?
–Jo, – i them, përpos disa kujtimeve që po i marr te sendilja ime.
-Paske fshit pak’, – mu përgjigj faturinoja. A nuk t’u nejt mo, që ike mrena ditës, – pyeti me një buzëqeshje që mua mu duk si ironike dhe i dha shenjë shoferit të mbyllte derën.
Futem brenda në korridorin e autobusit dhe ec me ngadalë duke parë emrat e udhëtarëve që tek ne shënoheshin me emër dhe mbiemër të plotë në fletë të bardha, të vogla, drejtkëndëshi. Unë i kisha dhënë në telefon vetëm emrin tim, Auron. Mbiemrin, jo për çështje kompleksiteti, nuk ja citova. Gjej vendin tim. E heq fletën, e fus në portofol dhe ulem. Për fatin e mirë isha vetëm. E shoh që afrohet.
-Pesëmij’ lekë tha. Na nuk e kena ndrru çmimin kurse furgonat po, – shtoi.
