Religjionet në Kukës

-

Në një nga leksionet e para të lëndës “Etnologjia e Religjionit” në sallën e madhe të leksioneve të Universitetit të Hamburgut, pedagogu i kësaj lënde paraqet në ekranin e madh të faqes së murit thënien: “Feja është opium për popullin”, dhe në të djathtë të citatit ishte dhe fotoja e autorit, Karl Marks. Në momentet e para ua tërhoqi direkt vëmendjen studentëve në sallë. Disa prej tyre reagonin me nënqeshje, disa shumë të vëmendshëm deri në përsiatje të thënies dhe të gjithë në pritje të fillimit të leksionit. Sigurisht ky ishte një lojë e pedagogut për të parë reagimet e studentëve si dhe për ta filluar orën e leksionit në formë diskursive. Nuk zgjatën pesë minuta kur ai konstatoi me një shikim të përgjithshëm reagimet e studentëve, mori një pozicion gatishmërie të trupit, u kthye në profil nga ekrani i madh në mur dhe lexoi me zë të lartë citatin:  “Feja është opium për popullin” ndërsa për koinçidencë dhe sikur të ishte llogaritur koha preçize e pohimit të citatit, u dëgjua në sallë një zile telefoni me refrenin e një këngetari të viteve 90‘ , Hadway, “What is love”. Dikush nga studentët kishte harruar të zbatonte rregullin rutinë të universiteteve, të linte në heshtje zilen e telefonit. Sigurisht që ky refren kënge shkaktoi të qeshura në sallë, pavarësisht sikletit të përdorueses së celularit dhe nxitimit të saj për ta hequr sa më shpejt zilen. Edhe pedagogu reagoi me një buzagaz dhe humor fin. U dha impakti sikur ky refren nxori në pah një nga tezat kryesore të leksionit.  Po! – tha ai, në të vërtetë bëhet fjalë edhe për dashurinë në këtë citat, dashuria dhe feja, lidhja mes tyre, dashuria si instrument kryesor i religjionit.

Kjo parantezë më çoi larg, në ekzistencën e religjioneve në qytetin e Kukësit, qytet i cili ka përmasa të vogla në krahasim me qytetet e tjera të vendit tonë dhe krejt të papërfillshme me ato europiane. Është tepër interesante se si në një qytet të vogël, post-socialist, relativisht të ri, të ushtrohen religjione të ndryshme.  E citova relativisht të ri sepse ky qytet (Kukësi i Ri) tashmë i ka mbushur 60 vite, dhe më shumë se gjysmën e jetës së tij ka notuar në ujërat e ateizmit. Shprehja e mësipërme “Feja është opium për popullin” ishte devizë kudo në shkolla, në ndërmarrje dhe në jetën e përditshme si pjesë e propagandës së sistemit komunist. Mund të thuhet se doza e propagandës komuniste ishte aq e madhe, saqë edhe citatet e filozofëve apo autorëve të huaj ia atribuonin Enver Hoxhës. Madje shumica e njerëzve kishin bindjen se këtë shprehje e ka thënë “shoku Enver”, dhe për shumë plagjiatura shprehjesh nga të mëdhenjtë e asaj kohe masa përgjithësisht shprehej: “ siç ka thënë shoku Enver”.

Me ndryshimin e sistemeve në vitet 90‘ dikotomia magjepsje-çmagjepsje ndryshoi kursin e rrugëtimit. Shqipëria u çmagjeps nga ideologjia marksiste që sipas saj feja legjitimon pushtetin dhe pasurinë e klasës dominuese pra si shprehje e ideologjisë së klasës dominante kundër klasave të tjera dhe hyri në procesin e magjepsjes së fesë, të mbinatyrshmes. Kjo e fundit spikati së pari me ri-ngritjeve e kishave dhe xhamive, të cilat sistemi komunist disa i shkatërroi dhe disa tjera i shndërroi në institucione profane. Ardhja gjithashtu e religjioneve të tjera nga bota, së bashku dhe me sektet fetare janë pjesë plotësuese  e magjepsjes. Ndërkohë që teza e çmagjepsjes së modernizimit në Europë dhe perëndim ishte e lidhur me arsyet e sekularizimit të shoqërisë. Shqipëria hyri gradualisht në procesin religjioz, proces i cili në fundvitet 90‘ kishte kulminacionet e tij me misionarë të ndryshëm. Disa teorikë e kanë definuar religjionin si një model fluid, që do të thotë që rrjedh nëpër etapa të ndryshme historike. Religjionet kanë jetuar përmes një konjukture, herë me zhvillimet e tij dhe herë me zbrapsjet, që prej shekullit të 15 dhe deri ditët e sotme të Postmodernizmit, i cili shënjon refleksivitetin ndaj kohës moderne, por edhe traditat religjioze si tradicionalizëm refleksiv. Konkretisht postmodernja e sotme e kupton religjionin si një instrument mbrojtjeje ndaj rrezikut të modernes dhe për arsye të potencialit komunitar mund të bëhet një pedante ose zëvendësuese e racionalitetit komunikativ. Kësaj teorie i shkon për shtat edhe vendi ynë, që në vitet e fundit po i nënshtrohet një rikthimi në traditat religjioze por të veshura me mantelin e modernizimit. Kukësi nga përbërja fetare ka një përqindje shumë të madhe dhe dominuese myslimane. Kjo bëhet fjalë pas viteve 90‘ dhe deri ditët e sotme, pasi në kohën e komunizmit ishte një qytet ateist, edhe pse ka pohime që është ushtruar përciptazi feja ose më saktë disa rituale të saj. Por më interesantja në këtë qytet është prania e disa feve të tjera që u përcollën nga misionarë të ardhur nga Europa perëndimore dhe Amerika, të cilat aktualisht janë Dëshmitarët e Jehovait dhe Komuniteti i Krishterë Ungjillor/Protestant, të cilët i përkasin një besimi tjetër ndryshe nga ai dominues mysliman në këtë qytet. Këta dy religjione përbëjnë një përqindje të vogël të popullsisë së Kukësit, me një variacion moshash nga 15 deri në 60 vjeç. Sigurisht që edhe prezenca e fëmijëve është e dukshme. Gjithashtu si këta dy religjione edhe te pjesa myslimane këto grupmosha janë praktikuese të saj, por përfshihen në praktikimin e saj edhe më të mëdhenj se 60 vjeç. Përveҁ ekzistencës së këtyre religjioneve në Kukës është edhe një pjesë tjetër e konsiderueshme që mund të klasifikohen tek ateistët dhe agonstikët, të cilët nuk e kanë çështje primare besimin por respektojnë festat kryesore të tyre, madje dhe marrin pjesë në to.

Në Kukës janë aktualisht dy xhami, njëra në pjesën jugore të qytetit, afër pedonales, ndërsa tjetra në drejtim të verilindjes së qytetit, tek ish-agjencia automobilistike dikur, dhe në hyrje të rrugës për në Prizëren siç e quajnë kuksianët. Ndërsa godina e Dëshmitarëve të Jehovait ndodhet afër xhamisë tek ish-agjencia automobilistike, në katin e dytë të një ndërtese, dhe Komuniteti i Krishterë Protestant ndodhet në një ambient afër qendrës së qytetit dhe si në analogji dy të lartpërmendurit gjeografikisht gjënden afër xhamisë kryesore të qytetit. Këta vendndodhje mund të jenë në këtë afërsi edhe krejt të rastësishme për faktin që Kukësi nuk është qytet i madh dhe sigurisht tentohet qendra e qytetit dhe pikat orientuese qëndrore.

Landscape, praktikat dhe ritualet tek këto komunitete

“Landscape” si term i postmodernizmit është përceptimi dhe formimi i hapësirës nga njerёzit dhe grupet sociale. Religjionet përgjithësisht kanë pjesën e tyre të hapësirës ku praktikohen besimet dhe aspekti deskriptiv i këtyre hapësirave jep një panoramë më të qartë rreth subjektit kryesor.

Anës teorike të shkrimit më duhej t’i shtoja ingridientë të prakticitetit për ta bërë shkrimin më gjithëpërfshirës e të plotë kundrejt vetes timë s’pari. Andaj vendosa që të shkoj në xhaminë e parë të qytetit, që ndodhet në afërsi të pedonales. Ishte hera e parë që hyja në xhaminë e Kukësit, megjithëse shumë herë e kisha bërë në plan për ta vizituar. Shumë pak metra nga trotuari i shëtitores së qytetit gjendesh para një porte të madhe hekuri me kangjella të zeza, ku mund të hysh në ambientet e jashtme të xhamisë nëpërmjet një dere të vogël. Sa kalon këtë derë shikon një lulishte të sistemuar dhe të mirëmbajtur dhe një platformë shatërvani në të majtë të saj. Pak më tutje ndodhet dhe një strukturë metalike, një vend parkimi për biçikletat. Përshëndetem me dy besimtarë aty në oborr dhe u kërkoj “leje” të hyj brenda, për të parë ambientin e brendshëm. Njëri nga besimtarët më shoqëroi menjëhërë. Me sa dukej ishte përgjegjës për t’u kujdesur për këtë pjesë organizative. Nga jashtë godina e xhamisë dukej me përmasa shumë të mëdha, për faktin se ngrihet pjesa e minares lart në drejtim të qiellit dhe pjesa hyrëse është tipike ajo arkitekturore orientale me kolonat e betonit rrumbullake që lartësojnë godinën, por edhe zgjerojnë hapësirën vizuale në të tre dimensionet.

Veprimi i parë që duhej të bëje pasi hyje brenda ishte të hiqje këpucët. Isha kurioz për këtë ritual pse duhej të kryhej, pyes dhe kjo sipas besimtarit përdoret për qëllime higjene dhe tingëllonte normale pasi që dyshemeja ishte e shtruar cep e më cep me një tapet dekorativ oriental me ngjyrë jeshile të kombinuar me bezhë. Gjithashtu në pjesën e parë hyrëse është një korridor i ngushtë kolonash, ku në të majtë janë dy palë shkallë, njëra palë të ҁonte poshtë në vendin e kryerjes së ritualit të abdesit dhe shkallët e tjera që të çonin sipër, vendi i faljes së “grave”, siҁ tregoi besimtari. Kjo e fundit më dha menjëherë impaktin e nxjerrjes nё pah të seksualitetit tek ritualet fetare, e shembullizuar në zona të ndara për praktikimin e kёtyre riteve. Këtë e pohoi edhe besimtari pas disa pyetjeve të mia me shumë “pse”.

“Dikur s´ka qen e lejume me u fal grat n´xhami, po tash asht ndryshe, vijn e falen, zakonisht të xhumava (Premteve), por vijn edhe n´dark, falen aty sipër se nuk u lejohet me pa ato burrat dhe anasjelltas”.

Teksa bisedonim dhe duke iu afruar vendit të predikimit vura re që sipër kokës time qëndronte i varur një abazhur i madh në formë kupole, me drita të shumta dhe në trajta të ndryshme gjeometrike që vareshin por që njëkohësisht shpërndanin ndriçimin në të gjithë ambientin. Në të gjitha anët e mureve ishin disa rafte ne kafe por të vogla librash, që ishte krejt e dukshme emblema e librit të shenjtë Kuranit, por edhe libra të tjerë “edukativ për fenë” siç e theksoi dhe besimtari. Vendi i predikimit ishte një pjesë e futur në mur të xhamisë, që i ngjante një dere me hark, me drejtim nga lindja e diellit dhe sipas shpjegimeve të besimtarit “asht drejtimi për nga Kibla, vendi i shenjtë n’Arabi”. Më ranë në sy anash kësaj dere një palë shkallë të vogla, të cilat të çonin në një ballkon të vogël pothuajse përmbi vendin e predikimit. Ky miniballkon ishte vendi i predikimit që kryhej normalisht në ditët e festave fetare si përshembull Fiter Bajramit. Në të djathtë të këtij ballkoni dallohej qartë një tabelë elektronike e ideuar si libri i Kuranit, por në funksion të tregimit të kohës së faljeve, të cilat shënoheshin në një miks gjuhësh shqip dhe arabisht. Së fundmi në të djathtë të hyrjes së xhamisë ndodheshin shkallët në drejtim të minares së xhamisë, ku kryhet thrirrja dhe lutja ndaj Allahut.

Përsa i përket ambienteve të Dëshmitarëve të Jehovait dhe Protestantëvë ata paraqiten në një ambient krejt modest, si nga ana e struktures arkitekturore ashtu edhe nga ajo e simbolikave. Hapësira tek të dy religjionet është pothuajse e njëjtë, afërsisht 50 metër katror, të llogaritur për një kapacitet jo të madh njerëzish, pa asnjë simbolikë fetare siç normalisht mund të mendohet objekti i parë kryqi.

“Nuk kemi simbolika të tilla fare, madje kryqin e konsiderojmë si vuajtje të Jezu Krishtit dhe këtë nuk duam ta transmetojmë, si simbol kemi t´ardhurin e perëndisë Jezu Krishtin ose Jehovain”.

Të ngjashme janë edhe narrativat e komunitetit të krishterë protestant. Këta religjione kanë të përbashkët dhe podiumin e predikimit në krye të dhomës dhe lutjet me anë të një monitori të fiksuar në mur. Tek ky monitor shfaqen këngët dhe lutjet por dallimi mes tyre është se protestantët shoqërojnë lutjen me instrumenta muzikorë si përshembull me piano dhe kitarë akustike kurse Dëshmitarët e Jehovait nuk praktikojnë instrumentet muzikorë por kënga është e pranishme nëpërmjet një magnetofoni ose kompjuteri. Duhet thënë se hapësira e jashtme dekorative mungon te këta të fundit. Brenda ambienteve ndodhen rafte librash kryesisht me praninë e librit të shenjtë Biblës, si edhe libra edukues fetarë për fëmijë dhe historik në lidhje me religjionin. Diçka e veçantë tek protestantët është se një raft relativisht i madh librash disponon literaturë të zhanreve të ndryshme nga autorë shqiptare, kryesisht letërsi.

 

Sociologu francez Emilie Durkheim e klasifikon religjionin nëpërmjet dy fenomeneve: Besimi dhe Riti. Besimi që ka pjesën kognitive përbëhet nga reprezentacionet kolektive. Në rastin tonë konkret është mendimi në të mbinatyrshmen, përshembull myslimanët besojnë në Allah dhe e gjitha kjo paraqitje kolektive transmetohet me besimin se ekziston vetëm një Zot, që është Allahu që shprehet përmes thirrjes “Allah Akbar” (Allahu është një). Po të njëjtin reprezantim kolektiv paraqesin Dëshmitarët e Jehovait dhe Protestantët duke njohur transhandenten nëpërmjet të dërguarit të perëndisë Jezu Krishtit si shpëtimtar i njerëzimit. Pothuajse të gjithë religjionet nuk përceptohen pa simbolikat dhe ritualet e tyre, të cilat i ushtrojnë më së shumti në aktet ceremoniale. Nëpërmjet simboleve shfaqet ndjenja e solidaritetit tek pjesëmarrësit, si përshembull tek libri i Kuranit dhe ai i Biblës janë simbolikat kryesore që përfaqësojnë këta komunitete.

Ritet janë veprimet, të cilat përcaktojnë mënyrat e sjelljes që ndryshojnë nga njëri-tjetri por që në thelb mbeten të ngjashme. Pjesëmarrësit e një rituali duhet të jenë prezent, që do të thotë të jenë fizikisht aty në vendin e ritualit, të dukshëm dhe në marrëdhënie të ndërsjelltë. Besimtarët myslimanë, të Jehovait, protestantët kryejnë ceremonitë në hapësirat e tyre, duke qenë fizikisht prezent dhe duke shkëmbyer ritualet mes tyre, si përshembull mbajtja e duarve para fytyrës dhe me drejtim lart nga myslimanët apo ngritja e dorës së djathtë lart për nga qielli nga protestantët. Në rastin e pandemisë ky ritual është plotësuar nëpërmjet takimeve online, që akoma mbetet në fuqi për dëshmitarët e Johovait.

Aktorët e ritualit ndajnë një fokus të ndërsjelltë, ata janë protagonistë në një event dhe nëpërmjet ritualit qëndrojnë në sinkron dhe koordinohen me njëri-tjetrin. Thirrja “Allah Akbar” përsëritet në kor dhe shoqërohet me përkuljen e trupit dhe rënien në gjunj të të gjithë trupës. Gjithashtu edhe pas lutjes së trinisë “Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt” dhe deri tek vargu i fundit “Sepse e jotja është mbretëria, fuqia, lavdia, përjetë” shoqërohet me ritualin e mbylljes së syve dhe thënies në kor të shprehjes, që finalizohet me një “Amen” në fund.

Në mënyrë përmbledhëse në të tre religjionet është për t’u vënë re se pjesëmarrja në rituale ka një formë unison, atë të lëvizjeve të sinkronizuara dhe sjelljeve ritmike. Në fund të fundit numri i të gjithë këtyre pasazheve sakrale, të cilat referohen tek njëra-tjetra, rezultojnë në një strukturë, të cilat formojnë një sistem koherent. Ky sistem ka si subjekt religjionin, pavarësisht besimeve që përfaqësojnë. Këta besime bashkëjetojnë në Kukës me njëri-tjetrin, të lidhura fort me transhandenten dhe besimin e një jete të përtejme.

“Funi i funit krejt jena njerztt e Zotit“, –  ishte kjo një frazë e shkëputur nga biseda me një të moshuar i cili fliste me tone të qeta e të sigurta sikur të vinte me dëshmi okulare nga bota tjetër e përtejme.

 

***Gerlus***

 

Dërgo artikullin

Të Fundit

Kategoritë

LËR NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here

Komentet e Fundit