Marrëdhëniet e shqiptarëve me protestat ndër vite kanë shënuar një kthesë dhe moment kyç pikërisht me datë 31 mars 2018, atëhere kur qytetarët e Kukësit dolën dhe u bashkuan në protestën që kulmoi me djegien dhe shkatërrimin e platformave lekmbledhëse në stacionin e pagesave në Kalimash. Ai ishte leksioni më i mirë i dhënë ndonjëherë demokracisë së gjithë viteve të fundit në Shqipëri. Ishte një protestë, ndër të rrallat, që shkaktoi zbythjen e qeverisë.
Nuk ishte një ndeshje me armë të barabarta. Njëra palë, ajo e popullit luante në një tavolinë me letra të hapura e ndërsa pala tjetër fshihej, ishte ankthioze, kishte temperaturë dhe shfaqej tinëzare në daljet publike. Duket që kjo lojë nuk ka mbaruar ende. Kompania koncesionare ditët e fundit ka ndryshuar sjellje dhe bizneset në Kukës janë duke paguar pesë euro.
Shoqata “Biznesi për Biznesin” ka mbajtur një takim konsultativ ditën e djeshme për situatën e re të krijuar në stacionin e pagesave në Rrugën e Kombit, të cilët kanë rritur tarifën për bizneset e Kukësit. Kjo rritje sipas përfaqësuesve të shoqatës është në kundërshtim me VKM nr.517, datë 4/9/2018. Në takim janë diskutuar po ashtu dhe mënyrat e mundshme të reagimit. Shoqata ka ftuar dhe inkurajuar çdo biznes apo qytetar që të bëhen pjesë e reagimit duke argumentuar me foto, video-regjistrim, apo audio shkeljen që po ndodh aty.

